Foto nga VCG
Në mars të vitit 2013, kryetari i shtetit i Kinës Xi Jinping mbajti një fjalim në Institutin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Moskës, në të cilin ai për herë të parë paraqiti konceptin e “bashkësisë me fate të përbashkëta të njerëzimit”. Më pas, ky koncept është përfshirë për gjashtë vjet me radhë në rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, si edhe është përfshirë shumë herë në rezolutat dhe deklaratat e ndryshme të mekanizmave shumëpalësh, si Organizata e Bashkëpunimit të Shangait dhe BRICS, duke u njohur dhe duke u mbështetur gjerësisht nga bashkësia ndërkombëtare, thuhet në një koment të CMG-së.
Më 26 shtator u publikua zyrtarisht libri i bardhë "Një bashkësi globale me të ardhme të përbashkët: Propozimet dhe veprimet e Kinës", ku janë shtjelluar në mënyrë të gjithanshme përmbajtja dhe arritjet konkrete të procesit të ndërtimit të bashkësisë me fate të përbashkëta të njerëzimit.
Foto nga VCG
Lindja e një koncepti pioner nuk mund të ndahet nga epoka dhe mjedisi, ose më mirë, lindja e tij synon pikërisht zgjidhjen e problemeve të kohës. 10 vjet më parë, kur Kina paraqiti konceptin e një bashkësie me fate të përbashkëta për njerëzimin, ishte e vështirë të parashikohej se gjendja botërore do të ndryshonte në mënyrë kaq të ndjeshme dhe kaq të ndërlikuar: nga mosmarrëveshjet tregtare deri në konkurrencën e fuqive të mëdha, nga pandemia e COVID-19 deri në konfliktin Rusi-Ukrainë, nga zgjerimi i hendekut Veri-Jug deri në krizën ekologjike, bota ka hyrë në një periudhë të re me trazira dhe ndryshime. "Ku do të shkojë njerëzimi?" është pyetja e epokës.
Koncepti i ndërtimit të bashkësisë me fate të përbashkëta të njerëzimit është përgjigjja e Kinës për këtë “pyetje të epokës”, duke dëshmuar vëzhgimet e thella të Kinës për gjendjen e botës, vijon komenti. Ky koncept thekson se fatet e çdo kombi, të çdo vendi dhe çdo individi janë të lidhura ngushtë; nxitja e ndërtimit të një bote me paqe të përhershme, siguri të gjerë, lulëzim të përbashkët, hapje e gjithëpërfshirje, pastërti dhe bukuri; këmbëngulja për konceptin e qeverisjes globale me konsultime të përbashkëta dhe që vendet e ndryshme të jenë pjesëmarrëse, kontribuuese dhe përfituese sa i përket paqes dhe zhvillimit botëror... Mund të shihet që ky koncept ka thyer mendimin hegjemonist të disa vendeve dhe përputhet me dëshirat e popujve të të gjitha vendeve për zhvillimin paqësor, barazinë dhe drejtësinë, duke krijuar emëruesin më të madh të përbashkët për ndërtimin e një bote më të mirë dhe duke pasqyruar pikëpamjen e veçantë të Kinës për zhvillimin e njerëzimit. Kjo ka gjetur jehonë të gjerë në bashkësinë ndërkombëtare.
Koncepti i bashkësisë me fate të përbashkëta të njerëzimit përfshin jo vetëm një dëshirë të bukur, por edhe rrugët praktike dhe planet e veprimit. Gjatë dekadës së kaluar, nga ndërtimi i përbashkët i "Një brez, një rrugë" deri në Nismën e Zhvillimit Global, Nismën e Sigurisë Globale dhe Nismën e Qytetërimit Global, Kina ka nxitur vazhdimisht idenë e ndërtimit të një bashkësie me fate të përbashkëta për njerëzimin, duke sjellë përfitime të mëdha për tërë botën.
Bashkëpunimi Jug-Jug është një shembull. Si vendi më i madh në zhvillim në botë dhe një anëtar i Jugut Global, Kina ka bashkëpunuar me afro 20 organizata ndërkombëtare dhe ka zbatuar mbi 130 projekte në rreth 60 vende, si Etiopi, Pakistan dhe Nigeri, të cilat kanë mbuluar fusha si pakësimi i varfërisë, siguria ushqimore, parandalimi epidemik dhe ndryshimi klimatik, duke favorizuar mbi 30 milionë njerëz. Sipas raportit nga Banka Botërore, zbatimi i plotë i nismës "Një brez, një rrugë" do të shtojë tregtinë mes vendeve pjesëmarrëse me 4.1 %. Deri në vitin 2030, nisma "Një brez, një rrugë" do të krijojë 1.6 trilionë dollarë përfitime në vit për botën.
Foto nga VCG
Ndryshe nga mendësia e disa vendeve perëndimore që “Fituesi merr gjithçka”, koncepti i ndërtimit të një bashkësie me fate të përbashkëta për njerëzimin propozon që zhvillimi paqësor të ngrihet mbi konfliktet e konfrontimet, siguria e përbashkët të zëvendësojë sigurinë absolute, mendësia “Fituesi merr gjithçka” të ndryshojë në përfitimet e ndërsjella, si edhe parandalimi i konflikteve të bëhet nëpërmjet shkëmbimeve dhe mësimit të ndërsjellë. Sipas këtij koncepti, “çështjet globale duhet të diskutohen nga të gjitha palët, sistemi i qeverisjes globale duhet të ndërtohet bashkërisht dhe frytet e qeverisjes globale duhet të ndahen nga të gjithë”. Ky në fakt është projekti kinez për përmirësimin e qeverisjes globale, mbyllet komenti i CMG-së. (Jiang Lei)