Ndotja e ambientit rrit rrezikun e demencës
2023-08-31 11:43:23

Ekspozimi afatgjatë ndaj një prej llojeve më të përhapura të ndotjes së ajrit mund të rrisë rrezikun e zhvillimit të demencës, një sëmundje neurologjike dobësuese e lidhur me humbjen e kujtesës dhe uljen e funksionit njohës, sipas një studimi të ri, cituar nga “ATSH”.

“Studiuesit në Universitetin e Miçiganit kanë arritur në përfundimin se personat që jetojnë me nivele më të larta të grimcave të imta, ose PM2.5, mund të përballen me një rrezik më të madh për t’u prekur nga demenca”, sipas studimit.

Shkencëtarët monitoruan shëndetin kognitiv të gati 28.000 personave të moshës 50 vjeç e lart që jetonin në SHBA midis viteve 1998 dhe 2016.

Pesëmbëdhjetë për qind e këtij grupi u prekën nga demenca dhe ata që jetonin në zona më të ndotura kishin më shumë gjasa të prekeshin. Bazuar në këto rezultate, studimi vlerëson se ndotja e grimcave të imta mund të jetë përgjegjëse për 188.000 diagnoza të demencës çdo vit në SHBA.

Shkencëtarët ekzaminuan ekspozimin ndaj nëntë llojeve të ndryshme të grimcave. “Ekspozimi ndaj ndotjes nga zjarret dhe pluhuri bujqësor kishte lidhjet më të forta me prevalencën e demencës”, sipas Boya Zhang, autore kryesore dhe studiuese në Universitetin e Miçiganit.

“Arsyeja kryesore për këtë dallim mund të jetë për shkak të karakteristikave të ndryshme fizike ose kimike të PM2.5 nga këto burime të ndryshme. Të gjitha grimcat janë të dëmshme,  por ndotjet nga zjarret dhe bujqësia mund të jenë më të dëmshme për aftësitë  njohëse”,- tha ajo.

Studimi shërben gjithashtu si një kujtesë e efekteve gjithëpërfshirëse që mund të ketë ndotja e ajrit në shëndetin e njeriut.

Tashmë është zbuluar se ndotja nga grimcat kontribuon në sëmundjet e mushkërive, ataket në zemër, goditjet në tru, peshën e vogël të lindjes dhe diabetin.  (Elona)