Kina nuk i njeh dhe nuk i pranon tarifat antisubvencion nga BE-ja ndaj automjeteve elektrike kineze
2024-10-30 12:21:37

foto VCG

foto VCG

Komisioni Evropian bëri të ditur të martën se mbaroi hetimin antisubvencion dhe mori vendimin për të caktuar tarifa përfundimtare antisubvencion ndaj automjeteve elektrike të importuara nga Kina.

Këto tarifa do të zbatohen nga 31 tetori 2024 dhe do të kenë një afat pesëvjeçar.

Tarifat për prodhuesit e automjeteve elektrike të Kinës që ishin nën hetim, janë të ndryshme: BYD 17.0 %, "Geely" 18.8 %, SAIC 35.3 % dhe kompani të tjera bashkëpunuese 20.7%. Pas paraqitjes së kërkesës për shqyrtim të veçantë, tarifa për "Tesla"-n do të jetë 7.8 %, ndërkohë që për kompani të tjera jobashkëpunuese është 35.3%.

Për këtë vendim të BE-së, zëdhënësi i Ministrisë së Tregtisë të Kinës tha të martën në një konferencë shtypi se pala kineze ka vënë në dukje më se një herë që në hetimin antisubvencion të BE-së ndaj automjeteve elektrike kineze ekzistojnë shumë elemente të paarsyeshme e të paligjshme dhe ky është një veprim proteksionist i "konkurrencës së pandershme" nën petkun e "konkurrencës së ndershme". Kina nuk e njeh dhe nuk e pranon këtë vendim dhe ka paraqitur padi ndaj tij ndërmjet mekanizmit të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve të Organizatës Botërore të Tregtisë. Pala kineze do të vazhdojë të ndërmarrë të gjitha masat e duhura për të mbrojtur me vendosmëri të drejtat e interesat e ligjshme të ndërmarrjeve kineze.

"Ndërkohë, kemi vëmë re që pala evropiane ka shprehur dëshirë për vijimin e konsultimeve me palën kineze mbi premtimin e çmimeve. Kina ka qenë gjithmonë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve tregtare ndërmjet konsultimeve e dialogut dhe ka bërë përpjekje me të gjitha forcat për këtë. Aktualisht, grupet teknike të të dyja palëve po zhvillojnë raundin e ri të konsultimeve dhe shpresojmë që pala evropiane do ta nxitë atë bashkë me palën kineze me qëndrim konstruktiv, duke mbajtur parasysh interesat thelbësorë të secilës palë në bazë të parimit të pragmatizmit e të ekuilibrit, për të arritur sa më parë një projekt zgjidhjeje të pranuar nga të dyja palët, për shmangien e përshkallëzimit të fërkimeve tregtare," tha zëdhënësi kinez.