Kina nis me sukses anijen kozmike me astronautë "Shenzhou-19" për misionin e stacionit hapësinor
2024-10-30 11:40:07

foto nga Xinhua

foto nga Xinhua

Anija kozmike kineze me astronautë "Shenzhou-19" u lëshua me sukses me një raketë mbartëse "Marshimi i Madh-2F" në orën 4:27 të mëngjesit të mërkurën nga Qendra e Lëshimit të Satelitëve e Jiuquan-it në Veriperëndim të Kinës.

Rreth 10 minuta pas lëshimit, anija kozmike u nda nga raketa dhe hyri në orbitën e paracaktuar. Ekuipazhi i "Shenzhou-19" është në gjendje normale.

"Nisja e anijes kozmike me ekuipazh 'Shenzhou-19'  pati një sukses i plotë," njoftoi Agjencia e Fluturimeve Hapësinore me Astronautë e Kinës.

Rreth 6.5 orë pas nisjes, anija kozmike do të kryejë një takim të automatizuar të shpejtë dhe do të ankorohet me portën e përparme të "Tianhe", moduli bazë i Stacionit Hapësinor të Kinës, duke realizuar një kombinim të tre moduleve dhe tre anijeve kozmike.

foto nga Xinhua

Tre taikonautët në anije - Cai Xuzhe, Song Lingdong dhe Wang Haoze - do të hyjnë më pas në modulin bazë për t'u takuar me tre astronautët e "Shenzhou-18". Ekuipazhi i "Shenzhou-19" do të kryejë një ndërrim në orbitë me ekuipazhin e "Shenzhou-18" dhe do të qëndrojë në stacionin hapësinor për rreth gjashtë muaj. Gjatë misionit, ata do të presin mbërritjen e anijes së mallrave "Tianzhou-8" dhe anijes kozmike me ekuipazh "Shenzhou-20".

Taikonautët do të kryejnë teste të shkencës hapësinore dhe aplikimit, do të kryejnë veprimtari jashtë anijes, do të instalojnë pajisje mbrojtëse kundër mbeturinave të hapësirës dhe do të instalojnë e rikthejnë ngarkesat e pajisjet jashtë anijes. Ata do të marrin pjesë gjithashtu në veprimtari të arsimit shkencor e të mirëqënies publike dhe në teste të tjera të ngarkesës.

"Shenzhou-19" shënon misionin e katërt me ekuipazh në fazën e aplikimit e zhvillimit të stacionit hapësinor të Kinës dhe misionin e 33-të të programit të fluturimeve hapësinore me astronautë të Kinës.