Një teknik korrigjon një aplikacion në një fabrikë inteligjente të Institutit të Bujqësisë Urbane të Akademisë Kineze të Shkencave Bujqësore në Zonën e Re Tianfu, Provinca Sichuan e Kinës jugperëndimore, 16 tetor 2024. (Xinhua/Liu Kun)
Sektori prodhues i Kinës iu rikthye zgjerimit në tetor, pas pesë muajsh tkurrjeje radhazi, falë mbështetjes nga politikat e qeverisë që sollën rritjen e aktiviteteve të biznesit dhe shtimin e besimit në treg.
Sipas një deklarate të enjten të Byrosë Kombëtare të Statistikave, PMI, indeksi i menaxherëve të blerjeve për sektorin e prodhimit të Kinës arriti në 50.1 në tetor, nga 49.8 që ishte në shtator, duke tejkaluar për herë të parë që nga maji linjën e rritjes ose rënies prej 50.
Të dhënat tregojnë se veprimtaria prodhuese regjistroi një rritje më të shpejtë këtë muaj, me sektorë kryesorë lëndët e para bazë, prodhimin e pajisjeve, prodhimin e teknologjisë së lartë dhe mallrat e konsumit, të cilat vazhdojnë paraqitjen e tyre të qëndrueshme dhe pozitive.
Veçanërisht, industritë e pajisjeve të përgjithshme, automobilave dhe makinerive elektrike raportuan zgjerim të shpejtë, me nën-indekset e prodhimit dhe porosive të reja mbi 54.
foto VCG
Indeksi i pritshmërisë së biznesit gjithashtu u rrit në 54 në tetor, niveli më i lartë në katër muaj, duke reflektuar besimin në rritje midis prodhuesve.
Wen Tao, një analist në Qendrën e Informacionit të Logjistikës në Kinë, tha se teksa vitet e kaluara PMI e prodhimit në tetor shpesh binte nën atë të shtatorit, ndaj shifra në rritje e këtij tetori thekson efikasitetin e politikave të fundit të qeverisë.
Këtë vit Kina ka ndërmarrë një sërë politikash për të forcuar ekonominë.
Në veçanti, që nga fundi i shtatorit, qeveria qendrore po zbaton atë që ekspertët e konsiderojnë një paketë masash makroekonomike të rëndësishme, që fokusohet në rritjen e rregullimeve kundërciklike, zgjerimin e kërkesës së brendshme efektive, mbështetjen e operacioneve të biznesit, promovimin e rimëkëmbjes së tregut të pronave dhe gjallërimin e tregjeve të kapitalit.
Gjendja ekonomike pritet të përmirësohet vazhdimisht, ndërsa paketa e re e politikave do të shpaloset dhe politikat ekzistuese do të hyjnë gradualisht në fuqi, tha statisticieni i NBS Zhao Qinghe.