Ditët e fundit, me vijimin pa ndërprerje të derdhjes së ujit të ndotur radioaktiv nga centrali bërthamor i dëmtuar i Fukushimës në Paqësor, po ngrihen gjithnjë e më shumë zëra kritike ndaj vendimit të papërgjegjshëm të qeverisë japoneze. Por Japonia, pa u përpjekur për të korrigjuar veprimin e gabuar, po ngre gishtin e akuzës ndaj Kinës. Shumë media japoneze kanë spekuluar me njoftime si “janë acaruar ndjenjat antijaponeze në Kinë”, “banorët kinezë po ndërmarrin veprime 'ngacmimi' ndaj Japonisë” etj. Ndërkohë, kryeministri Fumio Kishida dhe politikanë të tjerë të palës japoneze i kanë kërkuar palës kineze të heqë kufizimet e importit ndaj produkteve detare japoneze.
Centrali bërthamor i dëmtuar i Fukushimës(Foto:VCG)
Në fakt, që dy vjet më parë, kur Tokioja deklaroi vendimin e lëshimit të ujit të ndotur radioaktiv në det, Japonia ka nisur veprimin e “pastrimit” dhe “propagandës”. Vetëm në buxhetin e vitit 2021 të qeverisë japoneze për Agjencinë e Rindërtimit, fondet për marrëdhëniet me publikun lidhur me aksidentin e Fukushimës janë ngritur deri në 2 miliardë jenë, katërfishi i shumës së një viti më parë. Pas studimit të të dhënave të publikuara nga Ministria e Punëve të Jashtme e Japonisë, del se buxheti i kësaj ministrie për vitet 2022 dhe 2023 ka në fokus forcimin e propagandës për të zhbërë ndikimet negative të lëshimit të ujit radioaktiv. Në ditën kur nisi lëshimi (24 gusht), sipas njoftimeve të medias NHK, Ministria e Jashtme e Japonisë hartoi politikat e publicitetit kundër të ashtuquajturave “lajme të rreme”, me një shumë gati 70 miliardë jenë, shifër kjo pothuajse 20 herë më e madhe se buxheti për trajtimin e lëshimit të ujit të ndotur.
Disa analistë vunë në dukje se përbaltja e Japonisë kundër Kinës synon vetëviktimizimin, për të ngatërruar publikun e për të mbuluar faktin se ajo është “autore” e dëmtimit të shëndetit njerëzor dhe të sigurisë mjedisore, si edhe "për të amortizuar" dënimet kundër lëshimit të ujit.
Protesta në Japoni kundër vendimit të qeverisë(Foto:VCG)
Sipas një komenti të Grupit Mediatik të Kinës, qeveria japoneze shpërfill dyshimet dhe kundërshtimet ndërkombëtare dhe këmbëngul ta derdhë ujin e ndotur radioaktiv në det, duke sjellë rreziqe të paparashikueshme për mjedisin botëror oqeanik dhe shëndetin e gjithë njerëzimit, gjë që ka ngjallur zemërim ndërkombëtar. Shqetësimet e konsumatorëve kinezë për sigurinë ushqimore janë reale dhe të forta. “Sigurisht, qeveria kineze duhet të reagojë ndaj preokupimeve të publikut, duke u bazuar mbi shkencë dhe fakte, dhe të marrë masat e nevojshme për të mbrojtur sigurinë e mjedisit oqeanik dhe shëndetin e popullit kinez. Në të njëjtën kohë, Kina do të mbrojë si gjithmonë sigurinë dhe të drejtat e ligjshme të shtetase të huaj që jetojnë në Kinë,” shkruhet në koment.
Në fakt, ditët e fundit, ambasada kineze në Japoni ka marrë shumë telefonata ngacmuese nga banorët japonezë, gjë që ka penguar rëndë funksionimin normal të saj.
Në koment thuhet se, nga ana tjetër, arsyeja përse Japonia drejtohet kundër Kinës, ka të bëjë me mjedisin e brendshëm politik të saj. Tani qarqet politike japoneze po bëhen më konservatore dhe shoqëria japoneze është plot me opinion negativ ndaj Kinës. Kështu që spekulimi i çdo teme lidhur Kinën si “kërcënim” etj., është bërë një mënyrë e zakonshme veprimi e disa politikanëve japonezë. Pas nisjes së zbatimit të planit të lëshimit të ujit radioaktiv, një sondazh i kryer nga 26 deri më 27 gusht nga "Mainichi Shimbun" tregon se përqindja e përkrahjes ndaj kabinetit të kryesuar nga Fumio Kishida është ulur deri në 26 %, duke qenë për të dytin muaj radhazi nën nivelin e “rrezikut” prej 30 %.
Protesta në Kore të Jugut kundër vendimit të qeverisë japoneze(Foto:VCG)
Disa analistë vunë në dukje se përbaltja e Japonisë ndaj Kinës synon zhvendosjen e fokusit të opinionit publik dhe fitoren në zgjedhje, duke e shndërruar Kinën në një kritikuese “agresive”.(Zhang Yan/Artan)