Organi ligjvënës i Kinës, Komiteti i Përhershëm i Asamblesë Kombëtare Popullore të Kinës (parlamenti kinez), filloi të hënën shqyrtimin e projektligjit të arsimit parashkollor. Ky projektligj fokusohet mbi problemet që shqetësojnë publikun, si mungesa e vendeve në kopshtet e fëmijëve dhe kostoja e lartë e tyre. Po ashtu, qeverisë i jepet më shumë përgjegjësi për administrimin e kopshteve të fëmijëve, për nxitjen e zhvillimit cilësor të arsimit parashkollor dhe ofrimin e shërbimeve më të barabarta për të gjithë.
Ministri kinez i Arsimit Huai Jinpeng(Foto:VCG)
Arsimi parashkollor është një çështje e rëndësishme publike dhe një pjesë përbërëse e sistemit të arsimit kombëtar që ka të bëjë me rritjen e miliona fëmijëve dhe të ardhmen e vendit. Prandaj, reforma në këtë drejtim është një ndër temat më të diskutuara. Lidhur me këtë, ministri i Arsimit Huai Jinpeng u shpreh gjatë shpjegimit në seancën parlamentare se synimi i projektligjit është për të mundësuar që çdo fëmijë të gëzojë arsim parashkollor të barabartë dhe cilësor.
Vitet e fundit, pavarësisht zhvillimit të shpejtë, arsimi parashkollor ka mbtur një pikë e dobët e sistemit arsimor kombëtar. Ai përballet me probleme si mungesa e burimeve publike, diferenca e dukshme e nivelit profesional dhe sistemi i prapambetur i formimit të stafit mësimor, që kufizojnë përparimin e mëtejshëm të këtij arsimi.
Prandaj, ministri Huai vuri në dukje se duhet të përshpejtohet puna për hartimin e ligjit të arsimit parashkollor.
“Në projektligj qartësohet pozicionimi i arsimit parashkollor dhe theksohet roli kryesor i organeve të qeverisjes në këtë drejtim, duke rregulluar pjesëmarrjen e forcave shoqërore në të. Do të kërkohet nga organet e qeverisjes vendore të ndërtojnë më shumë kopshte fëmijësh publike, duke frenuar tarifat e larta të kopshteve private. Fondet financiare dhe shtetërore ndalohen të ndërtojnë kopshte fitimprurëse dhe kopshtet e fëmijëve, pavarësisht publike apo private, nuk lejohen të listohën në bursë si pasuri e ndërmarrjeve,” shtoi ministri në sqarim.
Foto:VCG
Sipas projektligjit, organet e qeverisjes vendore duhet të marrin masa për të garantuar që fëmijët e grupmoshës përkatëse të regjistrohen në kopshtet që kanë afër shtëpisë. Gjatë procesit të regjistrimit, nuk duhet të organizohet asnjë provim a test i çfarëdo lloj forme. Në kopshte nuk lejohet dhënia e njohurive të shkollës fillore dhe duhet të forcohet më tej garantimi i sigurisë së fëmijëve.
Në të njëjtën kohë, kërkohet që gjithë stafi i kopshteve të fëmijëve të përmbushë kriteret profesionale ose të ketë trajnimet e duhura. Edukatorët dhe pjesa tjetër e stafit duhet të regjistrohen te administrata vendore e arsimit dhe të kalojnë kontrollin shëndetësor dhe të penalitetit. Ata që nuk janë të përshtatshëm të merren me arsimin parashkollor, nuk mund të punësohen.
Përveç kësaj, për sa i përket garantimit të financimit, në projektligj qartësohet më tej se fondet e arsimit parashkollor do të vijnë kryesisht nga buxheti qeveritar, me një përpjesëtim të arsyeshëm nga familjet dhe ndihmë nga kanale të tjera financimi, duke realizuar barazinë arsimore e duke zvogëluar më tej hendekun ndërmjet zonave rurale e urbane, si edhe ndërmjet krahinave.
Foto:VCG
Projektligji përbëhet nga 74 nene, duke përfshirë pozicionimin e arsimit parashkollor, përmirësimin e mekanizmit të krijimit të kopshteve, rregullimin e funksionimit, forcimin e punës së krijimit të stafit dhe përmirësimin e mekanizmit të financimit dhe të mbikëqyrjes. Përcaktohen njëkohësisht përgjegjësitë ligjore të organeve të qeverisjes të niveleve të ndryshme, të sektorit publik, të pronarëve dhe stafit të kopshteve të fëmijëve në rast të shkeljes së ligjit.