Kruja (Foto Atsh)
Kryeministri shqiptar Edi Rama, ndërsa publikoi në rrjetet sociale pamje nga restaurimi i shtëpive të Kalasë së Krujës, duke ruajtur etnografinë mesjetare, deklaroi se përmes Bonusit të Rijetësimit, shteti fton pronarët apo përdoruesit e objekteve të propozuara për restaurim dhe rijetësim të bëhen bashkë në investime në pronat e tyre për t’i mirëmbajtur dhe rijetësuar, shkruan “ATSH”.
Rijetëzimi i banesave në zonat historike është një nismë e qeverisë shqiptare që synon restaurimin e objekteve monumente kulture, por edhe ato që nuk mbajnë këtë status, por gjenden në qendra historike e arkeologjike, lagje-kala etj.
Me anë të Bonusit të Rijetësimit mund të ndërhyhet deri në 1 milion lekë për ndërhyrje mirëmbajtje dhe konservuese në pronësi private, që të ndikojnë në vlera dhe unitetin kompozicional të ansamblit historik e urban të qendrave historike.
Ndërsa deri në 5 milionë lekë mund të ndërhyhet për restaurim dhe rijetësim të pjesshëm ose të plotë në pasuritë e paluajtshme, në pronësi private, pjesë përbërëse e ansambleve historike urbane, qendrave historike, zonave arkeologjike ose me status pasuri kulturore, si objekte të veçanta jashtë këtyre zonave. (Irma)