Çfarë po ndodh me ekonominë europiane?
2023-08-09 14:45:42

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Qyteti belg i Anverpit, i njohur edhe si Anversë, është një qendër e njohur e përpunimit dhe e tregtimit të diamanteve dhe njihet si kryeqendra e diamantit në Europë. Mirëpo kohët e fundit sektori i përpunimit të diamanteve është ndikuar rëndë nga sanksionet e vendeve perëndimore ndaj Rusisë, pasi ky qytet nuk mund të marrë lëndë të parë nga Rusia.

 

Philip Schwarz është pronari i kompanisë "Diamond Plaza". Ai tha: “Shumë kompani kanë shkuar në vende si Dubai dhe India. Biznesi (i diamantit) është shumë i vështirë tani.”

 

Nënkryetari i bashkisë së qytetit Antverp, Peter Wouters, vuri në dukje: “Sanksioni mbi diamantet e Rusisë duhet të jetë në shkallë globale. Përndryshe, nëse vetëm Antverpi i bojkoton, ata do të zgjedhin kanale të tjera shpërndarjeje. Në vend që të goditet Rusia, jemi ne që bëhemi viktimë. Prandaj, ne e kundërshtojmë me vendosmëri një sanksion të tillë.”

 

Në fakt, sektori i diamanteve është vetëm një mikrokozmos i dëmeve ndaj ekonomisë europiane. Nën ndikimin nga kriza e Ukrainës dhe çmimet e larta të energjisë, ekonomia europiane është në prag të recesionit. Kapitalet po largohen dhe tregu është shumë i shqetësuar.

 

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Kryetari i Shoqatës së Rrugës së Re të Mëndafshit të Italisë, Francesco Maringiò, tha: “Nëse fokusohemi tek Italia, mund të shohim që zhvillimi ekonomik është ngadalësuar në mënyrë të dukshme. Në krahasim me tremujorin e parë, kur shënoi rritje 0.6 % , në tremujorin e 2-të GDP-ja pati rënie me 0.3 %. Ndërkohë, edhe konsumi i brendshëm pati ulje dhe eksportet mbetën në vend. Duke marrë parasysh edhe vendimin e Bankës Qendrore Europiane (BQE) për rritjen e normës së interesit, shumë analistë kanë vënë në dukje që kjo do të shpejtojë recesionin ekonomik të vendeve europiane, përveç Gjermanisë. Perspektiva për rritje është pothuajse zero.”

 

Drejtori i Qendrës së Zhvillimit të Vazhdueshëm të Shqipërisë, Enriko Ceko, u shpreh: “Mendohet se në të paktën 20 vitet që vijnë, produktiviteti i ekonomisë evropiane do të ulet me rreth 1% në vit dhe, nëse marrim parasysh edhe rritjen e moshës mesatare të popullsisë në Evropë, eficenca dhe efektiviteti i ekonomisë evropiane rrezikohet edhe më shumë.”

 

 

Sipas raportit "Parashikimi i ekonomisë botërore" të FMN-së, rritja ekonomike në Eurozonë gjatë vitit 2023 do të ulet në 0.9 %, nga 3.5 % që ishte vjet. Rritja në Gjermani në tremujorin e parë të sivjetshëm, për shkak që sektori i prodhimit ishte i dobët dhe ekonomia u tkurr, është ulur me 0.2 pikë përqindjeje, duke arritur në -0.3%.

 

Ish-drejtori i Çështjeve Europiane dhe Ndërkombëtare i landit gjerman të Hesenit, dr. Michael Borchmann, tha: “Një agjenci lajmesh kritike në Gjermani u tall se parashikimi i FMN-së për Rusinë ishte i pari që i dha qeverisë gjermane një shuplakë në fytyrë. Më parë, ministri i Jashtëm gjerman kishte deklaruar me mburrje se sanksionet e BE-së do ta shkatërronin Rusinë. Megjithatë, sot Gjermania është humbëse ekonomike.”

 

Në fund të korrikut, BQE-ja shpalli që Eurozona do ta ngrejë me 25 pikë bazë normën e interesit. Në vitin e fundit, BQE-ja e ka ngritur 9 herë normën e interesit, duke e rritur me 425 pikë bazë. Analistët janë të mendimit që ky veprim ka si qëllim për të ulur inflacionin, por gjithashtu ka shtuar koston e financimit të ndërmarrjeve, çka nuk është mirë për mëkëmbjen ekonomike.

 

Partneri i Grupit të Konsultimeve BGT, Vagner Morais, tha: “Evropa për momentin po jeton në një kohë komplekse me çmime të larta të energjisë e me inflacion të lartë, gjë që pa dyshim po ndikon në forcën konkurruese të kompanive evropiane.”

 

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Shoqata e Dhomave Europiane të Tregtisë dhe Industrisë publikoi një raport, ku thuhet që afro 90 % e anëtarëve të saj mendojnë që, në krahasim me rajonet e tjera të botës, mjedisi i investimeve në BE nuk është tërheqës si tre vjet më parë. ShBA-ja miratoi Projektligjin e Uljes së Inflacionit, çka ka nxitur kapitalet ndërkombëtare të lëvizin nga Europa për në ShBA, duke pakësuar konkurrueshmërinë e Europës.

 

Kryetari i Dhomës së Tregtisë Belgjikë-Kinë, Bernard Dewit, tha: “Një shembull i sfidës për konkurrencën e Evropës vjen nga Shtetet e Bashkuara. Shtetet e Bashkuara kanë një Projektligj të Uljes së Inflacionit që po favorizon kompanitë amerikane, po favorizon investimet në ShBA nga kompanitë e huaja dhe po u jep ndihmë kompanive të huaja për të qenë më aktive në ShBA.”

 

Ndërsa kreu i Shoqatës së Rrugës së Re të Mëndafshit të Italisë, Francesco Maringiò, u shpreh: “Vendet europiane kanë dy zgjedhje: o të veprojnë si struci e të fusin kokën në rërë, o të përballen faktet e të hartojnë strategji efektive dhe të zhvillojnë dialog me të gjitha vendet, veçanërisht me ato që nxisin rritjen globale. Kështu që vendet europiane do të zhvillohen pandërprerë.”

(Jiang Lei)