Ekonomia e Kinës do të mbetet e qendrueshme dhe me rritje pozitive në gjysmën e dytë të këtij viti, duke ndjekur rimëkëmbjen në vazhdimësi të gjysmës së parë të këtij viti. Kjo pasi një sërë politikash kanë filluar të hyjnë në fuqi, tha planifikuesi kryesor ekonomik i Kinës në një konferencë për shtyp të zhvilluar të premten.
Yuan Da, drejtor i Departamentit të Ekonomisë Kombëtare pranë Komisionit Kombëtar të Zhvillimit të Reformës, theksoi ndryshimet pozitive në tregues të ndryshëm ekonomikë gjatë muajit korrik, duke përfshirë rritjen më të shpejtë të prodhimit të energjisë, përmirësimin e pritshmërive të tregut dhe një rritje dymujore të indeksit të menaxherëve të blerjeve të prodhimit (PMI).
foto: VCG
Duke paraqitur masat, Yuan tha se së pari Kina ka marrë masa për të zgjeruar dhe forcuar politika të favorshme, duke përfshirë lehtësimet tatimore për firmat e vogla, përjashtimin e taksës së blerjes për automjetet me energji të re, çka ka rritur besimin e bizneseve dhe ka krijuar një mjedis të qëndrueshëm politikash për ta.
Së dyti, u zbatuan gjithashtu një sërë masash të reja mbi çështje konkrete, duke përfshirë mbështetjen financiare për kompanitë e teknologjisë, nxitjen për konsumin e automjeteve dhe pajisjeve elektronike, si dhe masat për të përkrahur ekonominë private.
Gjithashtu, në përgjigje të ndryshimeve të reja ekonomike në tremujorin e dytë, janë paraqitur një sërë masash, të cilat synojnë uljen e normave të interesit, stimulimin e konsumit, rinovimin e fshatrave urbane në qytete dhe zgjerimin e emetimit të produkteve të besimit të investimeve në pasuri të paluajtshme në sektorin e infrastrukturës, duke ofruar mbështetje të fortë politike për rimëkëmbjen e vazhdueshme ekonomike, sipas Yuan.
foto: VCG
Në vijim, politikbërësit do të vazhdojnë "të planifikojnë dhe studiojnë një grup politikash rezervë më të synuara dhe më të forta", të cilat do të zbatohen kur të jetë e nevojshme, shtoi ai. Këto politika rezervë do të fokusohen në gjashtë fusha kryesore, duke përfshirë zgjerimin e kërkesës së brendshme, nxitjen e ekonomisë reale, promovimin e vetëstudimit të teknologjisë, thellimin e reformave dhe hapjes, përmirësimin e jetesës së njerëzve dhe zbutjen e rreziqeve të mëdha.
Konkretisht, do të bëhen përpjekje për nxitjen e blerjeve të automjeteve dhe të investimeve private, si dhe për plotësimin e kërkesës së qytetarëve për banesa.
foto: VCG
Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme do të marrin më shumë mbështetje fiskale dhe financiare. Do të përshpejtohen përmirësimet industriale dhe do të kultivohen më shumë sektorë strategjikë zhvillimorë. Kina do t’i inkurajojë firmat që të marrin pjesë në mënyrë aktive në përparimet e rëndësishme teknologjike.
Do të bëhen përpjekje gjithashtu për të nxitur ekonominë private dhe për të shtyrë përpara hapjen institucionale. Të sapodiplomuarve në universitete dhe grupeve kyçe në kërkim të punësimit do t'u jepen më shumë ndihmë dhe rrjeti i sigurimeve shoqërore do të forcohet.
foto: VCG
Rreziqet dhe problemet në sektorin e pasurive të paluajtshme, borxhet e qeverisjes vendore dhe financat do të menaxhohen në mënyrë efektive, për të zbutur çdo rrezik të mundshëm sistemik. (Li Huailiang/Edmond)