Ditët e fundit, kryeministri kinez Li Qiang u takua me përfaqësues nga firmat kryesore të platformave digjitale të vendit, si "Alibaba", "Douyin" dhe "Meituan". Ai vuri në dukje se ekonomia e platformave ka pasur një rol gjithnjë e më të spikatur në rritjen ekonomike të vendit dhe forcimin e konkurrueshmërisë ndërkombëtare.
Foto:VCG
Platformat digjitale janë shndërruar në një forcë transformuese, që sipas ekspertëve, mundëson modele të reja biznesi, duke nxitur risi dhe duke ofruar mundësi punësimi. Për shembull, platformat e tregtisë në internet, si "Amazon" dhe "eBay", kanë revolucionarizuar bizneset e shitjes me pakicë, duke u ofruar konsumatorëve mundësi të jashtëzakonshme drejt një game të gjerë produktesh dhe shërbimesh globale. Platformat e shërbimit sipas kërkesave, si "Uber" dhe "Airbnb", kanë ndikuar në sektorët e transportit dhe akomodimit, duke mundësuar që pasuri të shfrytëzuara jo me kapacitet të plotë (si automjetet dhe hapësirat e banimit) të jenë të përdorueshme nga konsumatorët. Platformat e mediave sociale, duke përfshirë "Facebook", "YouTube" dhe "TikTok", kanë ndryshuar mënyrën se si njerëzit lidhen e komunikojnë me njëri-tjetrin dhe kanë riformësuar peizazhin e reklamave dhe bizneseve mediatike, duke krijuar role të reja, si influencues e bashkësi digjitale.
Platformat digjitale sjellin përfitime si për bizneset, ashtu edhe për konsumatorët. Për bizneset, ato ofrojnë qasje te një bazë e madhe përdoruesish, duke sjellë mundësi për zgjerimin e tregut dhe sigurimin e klientëve nëpërmjet zgjidhjeve me kosto efektive, duke shfrytëzuar infrastrukturën dhe teknologjitë ekzistuese. Për konsumatorët, platformat krijojnë përvoja të përshtatshme, të përballueshme dhe të personalizuara me një gamë të gjerë produktesh, shërbimesh dhe informacionesh miqësore ndaj përdoruesve dhe efektive. Konsumatorët mund të përfitojnë nga çmimet konkurruese, vlerësimet e konsumatorëve të tjerë dhe rekomandimet, duke përmirësuar procesin e tyre të vendimmarrjes. Pandemia e COVID-19 e ka zgjeruar më tej përhapjen e platformave digjitale dhe ka treguar rëndësinë e lidhjeve digjitale dhe të kompanive të platformave. Megjithatë, për shkak të arkitekturës së tyre komplekse, natyrës së shpërndarë dhe ndërthurjes me organizatat, tregjet dhe teknologjitë, platformat digjitale sjellin gjithashtu shqetësime dhe sfida në lidhje me privatësinë e të dhënave, sigurinë dhe praktikat e mundshme monopoliste, duke nxitur diskutime të vazhdueshme rreth administrimit dhe etikës në hapësirën digjitale. Përveç kësaj, konkurrenca e ndershme dhe çështjet e punës kanë ngjallur gjithashtu vëmendje. Rregullatorët dhe politikëbërësit përballen me sfidën e arritjes së një ekuilibri midis konkurrencës së tregut dhe mbrojtjes së konsumatorit.
Foto:VCG
Platformat digjitale kanë nxitur inovacionin në mënyra të ndryshme, si nxitja e bashkëpunimit dhe bashkëkrijimit midis pjesëmarrësve të ndryshëm, lejimi i shfrytëzimit të një game të gjerë burimesh (të dhëna dhe mjete), tregje dhe mundësi, shfrytëzimi i njohurive të bazuara në të dhëna, trajtimi i çështjeve komplekse dhe sfidave, duke mundësuar eksperimentimin dhe marrjen përsipër të rrezikut, duke mbështetur zhvillimin e palëve të treta, duke nxitur modele novatore biznesi, duke inkurajuar sipërmarrjen dhe kompanitë fillestare, dhe duke zgjeruar kërkimin global dhe hyrjen në treg. Disa faktorë kanë kontribuar në zhvillimin e inovacionit të platformave digjitale. Përparimet teknologjike, të tilla si integrimi dhe personalizimi i inteligjencës artificiale dhe të mësuarit automatik, integrimi i Internetit të Gjërave, platformat e zinxhirit të blloqeve dhe decentralizimit, integrimi i realitetit të zgjeruar (si realiteti virtual, ashtu edhe realiteti i shtuar), informatika skajore për performancë në kohë reale, bashkëpunimi i të dhënave dhe inovacioni i hapur, integrimi dhe ndërveprimi ndërmjet platformave, dhe qëndrueshmëria dhe teknologjitë e gjelbra, luajnë një rol kryesor në fuqizimin e platformave inovative. Këto teknologji janë integruar në platforma për të përmirësuar përvojat e përdoruesve, për të rritur efikasitetin dhe për të mundësuar shërbime të reja. Për më tepër, rritja eksponenciale e të dhënave dhe disponueshmëria e informatikës cloud kanë lehtësuar shkallëzueshmërinë dhe efikasitetin e platformave digjitale. Nëpërmjet analizës së të dhënave dhe inteligjencës artificiale, platformat mund të krijojnë njohuri, të personalizojnë përvojat dhe të ofrojnë rekomandime të përshtatura për përdoruesit. Infrastruktura e informatikës cloud i lejon platformat të trajtojnë vëllime të mëdha të të dhënave dhe ndërveprimeve të përdoruesve, duke mundësuar përvoja të pandërprera për miliona përdorues në të njëjtën kohë.
Zhvillimi i mëtejshëm i platformave digjitale për punësimin do të paraqesë gjithashtu mundësi dhe sfida. Nga njëra anë, inteligjenca artificialedhe automatizimi, modelet hibride të punës, rregullimi elastik i punës dhe zhvillimi i aftësive në platforma digjitale do të ndryshojnë rolet tradicionale të punës dhe do të krijojnë të reja. Platformat digjitale mund të fuqizojnë punëtorët përmes kooperativave, të rrisin ndërlidhjen globale, të promovojnë të mësuarit gjatë gjithë jetës dhe të nxisin sipërmarrjen. Nga ana tjetër, duhet të trajtohen shqetësimet për të drejtat e punës, mbrojtjen/përfitimet e punëtorëve dhe shpërndarjen e barabartë të vlerës në platformat digjitale, për të siguruar një ekonomi digjitale të drejtë dhe përfshirëse.(Zhang Yan/Artan)