Ditët e fundit, kryeministri kinez Li Qiang drejtoi një forum për ndërmarrjet e platformave, ku pjesëmarrësit diskutuan mënyrat për të promovuar zhvillimin e shëndetshëm dhe të qëndrueshëm të këtij sektori. Ekonomia e platformave ofron një shtysë të re për inovacionin dhe një kanal të ri punësimi. Vitet e fundit, ekonomia e platformave në Kinë është zhvilluar shpejt dhe zë një pozicion udhëheqës në botë, duke luajtur një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në promovimin e risisë dhe punësimit.
Foto:VCG
Si nxitëse të inovacionit, ndërmarrjet e platformave janë një forcë kryesore për të promovuar inovacionin shoqëror. Të dhënat e Komisionit Kombëtar të Zhvillimit dhe Reformës të Kinës për tremujorin e parë të sivjetshëm tregojnë se 10 sipërmarrjet më të mira të platformave në Kinë i rritën investimet e tyre kryesisht nëpërmjet investimeve të pavarura ose investimeve ndihmëse nga kompanitë mëmë, dhe përqindja e investimeve në mikroçipa, drejtimin autonom të makinave, energjinë e re, bujqësi dhe fusha të tjera u rrit me 15.6 pikë përqindjeje në krahasim me tremujorin e fundit të vitit të kaluar. Nga viti 2020 deri në vitin 2022, 10 ndërmarrjet kryesore të platformave në Kinë investuan më shumë se 500 miliardë juanë në kërkim dhe zhvillim, me një normë mesatare vjetore rritjeje prej 15 për qind. Numri i përgjithshëm i patentave të autorizuara i ka kaluar 50 mijët dhe cilësia e patentave është përmirësuar vazhdimisht, duke u bërë një forcë thelbësore e inovacionit teknologjik. Për më tepër, ndërmarrjet e platformës përdorin gjithashtu teknologjinë, fluksin në rrjet dhe të dhënat për të tërhequr dhe përfshirë ndërmarrjet si të pjesës së sipërme, ashtu edhe të poshtme të zinxhirit industrial, duke promovuar përmirësimin e efikasitetit të prodhimit në industritë tradicionale dhe duke përshpejtuar formimin e ekologjisë së inovacionit bashkëpunues. Për shembull, duke u mbështetur në epërsitë e tyre teknologjike, ndërmarrjet e platformave kanë krijuar dhe kanë nxjerrë në treg produkte të punës në internet dhe produkte logjistike të shpërndarjes së mallrave me makina pa drejtues, të cilat jo vetëm që dhanë kontribut të madh në parandalimin dhe kontrollin e epidemisë, por gjithashtu hodhën një bazë të shëndoshë për shumë ndërmarrje të vogla e të mesme për të përmirësuar efikasitetin e tyre të funksionimit dhe transformimin digjital.
Foto:VCG
Punësimi ka një rëndësi jetike për mirëqenien e njerëzve dhe është një tregues i zhvillimit ekonomik. Ndërmarrjet e platformës kanë luajtur një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në stabilizimin dhe promovimin e punësimit. Nga njëra anë, ekonomia e platformës ka ndryshuar modelet tradicionale të punësimit nëpërmjet risive teknologjike dhe integrimit me ekonominë reale, gjë që ka krijuar shumë sektorë dhe vende pune të reja. Sipas të dhënave të publikuara në "Sistemin e klasifikimit të profesioneve të Republikës Popullore të Kinës (2022)", vjet kishte 158 profesione të reja në Kinë, nga të cilat 97 ishin të lidhura me industrinë digjitale. Nga ana tjetër, ndërmarrjet e platformës ofrojnë shumë lloje pune, si edhe punë me kohë të plotë, me kohë të pjesshme etj. Ndërmarrjet e platformës jo vetëm që krijojnë një bazë për krijimin e vendeve të reja të punës që kërkojnë punë intensive, si për shembull, dërgues pakosh dhe drejtues taksish të porositura me aplikacion në celular, por edhe punë që kërkojnë njohuri intensive, si arsimimi në internet dhe planifikimi inovativ, të cilat mund të ofrojnë mundësi punësimi për punëtorë me nivele të ndryshme arsimore dhe aftësish. Sondazhi i 9-të e Burimeve Njerëzore i Kinës tregon se tani në vend ka 84 milionë punëtorë në sektorët e ekonomisë së platformave, duke përfshirë drejtues kamionësh ose taksish të porositura me aplikacion në celular, dërgues të postës së shpejtë ose të ushqimeve etj., që përbëjnë 21 për qind të numrit të përgjithshëm të punonjësve, duke qenë një pjesë e madhe e fuqisë punëtore kineze. Përveç kësaj, ndërmarrjet e platformave lidhin dhjetëra milionë ndërmarrje të vogla e të mesme dhe qindra milionë punëtorë. Duke u mbështetur mbi teknologjinë digjitale, ato mund të përmbushin saktësisht kërkesat e punëmarrësve dhe të punëdhënësve në shkallë të gjerë dhe me efikasitet të lartë, duke lehtësuar kështu asimetrinë e informacionit në tregun e punës dhe duke ulur papunësinë gjatë transformimit ekonomik.
Foto:VCG
Presidenti kinez Xi Jinping ka thënë se duhet të mbështeten ndërmarrjet e platformave për të luajtur një rol të plotë në krijimin e vendeve të punës, zgjerimin e konsumit dhe ngritjen e aftësisë konkurruese ndërkombëtare, për të promovuar zhvillimin e qëndrueshëm të standardizuar dhe të shëndetshëm të ekonomisë së platformave. Ai kërkoi njëkohësisht që, gjatë rrugës së modernizimit, qeveria duhet të përmirësojë vazhdimisht ligjet dhe rregulloret, si edhe mjedisin e biznesit, për të standardizuar zhvillimin e ndërmarrjeve të platformave, t'i nxisë ato të luajnë si duhet rolin e tyre pozitiv në promovimin e inovacionit e të punësimit dhe të rrisë vlerën strategjike të ekonomisë së platformave në sistemin ekonomik modern të vendit.(Zhang Yan/Artan)