Sivjet sipërmarrjet e huaja kanë shtuar njëra pas tjetrës investimet e tyre në Kinë. Kompania gjermane “Siemens” bëri një investim shtesë në vlerën 1.1 miliard juanë në qytetin Chengdu, për të ndërtuar një bazë të prodhimit të zgjuar të produkteve automatike. Po ashtu, një tjetër gjigant gjerman, BMW, filloi ndërtimin në qytetin Shenyang të projektit të baterive të energjisë të brezit të 6-të me investime të përgjithshme prej 10 miliardë juanësh. Kompania amerikane e vaksinave “Moderna” ka nënshkruar memorandumin e investimeve në Kinë për të krijuar, prodhuar e shitur barna mRNA.
Të dhënat e ekonomisë kombëtare kineze në gjashtëmujorin e parë të vitit 2023, të publikuara të hënën, kanë vërtetuar besimin e biznesmenëve të huaj. Në gjashtëmujorin e parë, PBB-ja kineze arriti në 59 trilionë e 303 miliardë e 400 milionë juanë, duke u rritur 5.5 % në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo rritje është më e shpejtë se ajo e ekonomive kryesore botërore, çka tregon që Kina vazhdon të jetë motori i rritjes globale.
Për investimet e huaja, Kina ofron një mundësi të mirë me tregun e vet të madh. Në gjysmën e parë të vitit 2023, vëllimi i përgjithshëm i shitjes me pakicë të mallrave të konsumit arriti në 22 trilionë e 758 miliardë e 800 milionë juanë, 8.2 % më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas të dhënave të shitjes për gjashtë muajt e parë të publikuara nga Grupi gjerman “Mercedes-Benz”, Kina vazhdon të jetë tregu më i madh i këtij grupi në botë. Në gjashtëmujorin e parë të sivjetshëm, shitja e automjeteve në Kinë arriti në 374.6 mijë, duke u rritur 7 % në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Foto nga VCG
Mund të shohim se sipërmarrjet e huaja kanë marrë përfitime konkrete nga tregu kinez. Sipas vlerësimeve të Administratës Shtetërore të Këmbimit Valutor të Kinës, norma e fitimit të investimeve të huaja në Kinë është 9.1 %. Në Evropë e Amerikë, kjo normë arrin rreth 3 %, kurse në ekonomitë e reja 4 - 8 %. Këtë vit Kina ka promovuar ndërtimin e sistemit të tregut me standard të lartë e të tregut kombëtar të unifikuar, dhe ka zgjeruar hapjen duke krijuar një mjedis biznesi të orientuar nga tregu, të bazuar në ligj dhe të ndërkombëtarizuar. Në këtë sfond, drejtuesit e kompanive shumëkombëshe, si “Microsoft”, “Apple”, “Tesla”, “Pfizer”, “Starbucks” etj., e kanë vizituar me radhë Kinën.
“Kina ka dhënë një mbështetje të rëndësishme në funksionimin e zinxhirëve globalë të industrisë e të furnizimit.” Ky është bërë një konsensus i shumë personaliteteve ndërkombëtare. Në gjysmëvitin e parë, vëllimi i përgjithshëm i import-eksportit të mallrave të Kinës arriti në 20.1 trilionë juanë, duke i kaluar për herë të parë 20 trilonët.
Kina ka luajtur gjithmonë rolin e vet në qeverisjen globale, duke krijuar shumë lehtësi ndaj investimeve të huaja. Pak ditë më parë përfunduan bisedimet e Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT) për “Marrëveshjen për lehtësimin e investimeve”. “Lehtësimi i investimeve” është tema kryesore e shpallur nga Kina në OBT. Gjatë procesit të bisedimeve, Kina paraqiti me radhë 15 projekte, duke luajtur një rol të rëndësishëm për arritjen e marrëveshjes. Parashikohet se, pas vënies në zbatim, kjo marrëveshje do t’i sjellë globit 1 trilion dollarë përfitime të rritjes ekonomike.
Sot ekonomia globale po përballon sfidat e inflacionit të lartë, të konflikteve rajonale, të krizave energjetike e ushqimore etj. dhe “qëndrueshmëria” është një burim i çmuar në botë. Kësisoj, zhvillimi me qëndrueshmëri i ekonomisë kineze është duke i sjellë botës besim. (Fani)