Kryeministri kinez Li Qiang u kthye të shtunën në Pekin pas vizitës në Gjermani dhe Francë. Ai pati kontakte të gjera me përfaqësues nga qarqet politike e të biznesit të këtyre dy vendeve, duke theksuar se zhvillimi i Kinës sjell vetëm mundësi dhe jo rreziqe për botën. Liderët e Gjermanisë dhe Francës e kanë bërë të qartë se nuk mbështesin “shkëputjen” dhe kundërshtojnë kundërvënien ndërmjet kampeve të çdo forme. Në situatën komplekse ndërkombëtare, Kina dhe BE-ja kanë arritur një konsensus për "mosshkëputjen" dhe promovimin e bashkëpunimit, duke i sjellë më shumë siguri botës.
Foto:VCG
Që nga fundi i vitit të kaluar, Kina dhe Evropa kanë nisur një raund të ri shkëmbimesh të nivelit të lartë. Kancelari gjerman Olaf Scholz, presidenti francez Emmanuel Macron dhe liderë të tjerë evropianë e vizituan Kinën njëri pas tjetrit dhe arritën një sërë konsensusesh të rëndësishme me liderin e lartë kinez për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe bashkëpunimin Kinë-BE. Qëllimi i udhëtimit të kryeministrit kinez në Evropë këtë herë është vënia në jetë e këtyre konsensuseve dhe promovimi i bashkëpunimit praktik ndërmjet të dy palëve.
Duke gjykuar nga rezultatet e vizitës, mund të thuhet se "janë ndezur shkëndija të reja" për bashkëpunimin e Kinës dhe BE-së. Në Gjermani, kryeministri kinez dhe homologu i tij gjerman bashkëkryesuan raundin e shtatë të Konsultimit Ndërqeveritar Kinë-Gjermani dhe dëshmuan nënshkrimin e një sërë marrëveshjesh bashkëpunimi mbi ndryshimin klimatik, inovacionin dhe prodhimin e përparuar. Në Francë, pala kineze dhe ajo franceze zhvilluan shkëmbime të thelluara për zbatimin e konsensusit strategjik të dy krerëve të shteteve. Kina u ftua të marrë pjesë në Samitin për një Pakt të Ri Global Financimi të iniciuar nga presidenti francez Macron... Gazeta gjermane "Der Tagesspiegel" deklaroi se Kina është ende një vend partner i rëndësishëm i Gjermanisë dhe i Evropës. Ndërsa « Nouvelles d’Europe » beson se zgjerimi i bashkëpunimit kino-francez mund të shërbejë si një “spirancë stabilizuese” për marrëdhëniet kino-evropiane.
Foto:Xinhua
Aktualisht, brenda Evropës, ka zëra të ndryshëm se si duhet parë e trajtuar bashkëpunimi me Kinën, dhe mendimet në këtë drejtim shpesh janë të ndërlikuara dhe të ngatërruara. Nuk janë vetëm faktorët ideologjikë që ekzistojnë prej kohësh, por edhe arsyet e ndërhyrjes dhe sabotimit të forcave të jashtme për të ruajtur hegjemoninë. Jo shumë kohë më parë, disa funksionarë të nivelit të lartë të BE-së propozuan konceptin e “çrrezikimit”, të cilin disa media perëndimore e barazuan me “desinicizimin” apo shmangien e rolit e të ndikimit të Kinës, duke krijuar një zhurmë të re për pengimin e bashkëpunimit Kinë-BE.
Gjatë kësaj vizite në Evropë, pala kineze e shpjegoi këtë çështje në shumë raste dhe dha mesazhe të tilla si mbështetja e fortë për globalizimin ekonomik, mosndryshimi i bazave të qëndrueshme ekonomike afatgjata të Kinës dhe perspektivat e gjera për përfitimet e ndërsjella Kinë-BE. Deklarata të tilla si "parandalimi i rrezikut dhe bashkëpunimi nuk e përjashtojnë njëri-tjetrin", "mosbashkëpunimi është rreziku më i madh dhe moszhvillimi është pasiguria më e madhe" dhe "bashkëpunimi është e vetmja rrugëdalje dhe mënyra më e mirë për t'u përballur me vështirësitë dhe sfidat", i pakësuan në mënyrë efektive "zhurmat" në arenën politike evropiane, duke përcjellë "harmoninë" e përfitimit të ndërsjellë dhe duke u pritur pozitivisht nga liderët politikë evropianë.
Për shembull, kancelari gjerman Olaf Scholz tha se Gjermania mirëpret zhvillimin e lulëzimin e Kinës dhe kundërshton çdo formë shkëputjeje, duke theksuar që "çrrezikimi" nuk është "desinicizim". Kryeministrja franceze Élisabeth Borne vlerësoi dhënien e vazhdueshme të sinjaleve pozitive nga Kina për zgjerimin e hapjes dhe vuri në dukje se BE-ja i përmbahet autonomisë strategjike dhe nuk mbështet "shkëputjen dhe prishjen e zinxhirëve". Si dy “lokomotivat” e BE-së, deklaratat e liderëve të Gjermanisë dhe Francës ndihmojnë për të përmbledhur energji pozitive për bashkëpunimin e Evropës me Kinën dhe për të promovuar ruajtjen nga BE-ja të pavarësisë, arsyeshmërisë dhe pragmatizmit lidhur me Kinën.
Foto:Xinhua
Në fakt, nëse shikohet statusi i tanishëm i bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar Kinë-BE, njerëzit do të jenë më të vetëdijshëm se zërat për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe përfaqësojnë zgjedhjen e duhur të Evropës. Aktualisht, Kina dhe BE-ja janë partneret e dyta më të mëdha tregtare të njëra-tjetrës. Në vitin 2022, vëllimi i tregtisë kino-evropiane arriti në 847.3 miliardë dollarë amerikanë, me një rritje prej 2.4 % në krahasim me vitin 2021; ndërsa investimet evropiane në Kinë kapën vlerën 12.1 miliardë dollarë, duke pasur një rritje thelbësore prej 70% dhe sektori i automjeteve vazhdoi të jetë "pika e nxehtë" e këtyre investimeve. Ndërkohë, investimet e Kinës në Evropë vjet ishin 11.1 miliard dollarë , 21 % më shumë se më vitin 2021. Rritja e investimeve kineze është përqendruar në energjinë e re, automjetet, makineritë e pajisjet dhe fusha të tjera. Bashkëpunimi ekonomik e tregtar Kinë-BE është plot me gjallëri e me potenciale.
Gjatë vizitës së kryeministrit kinez në Evropë, Kina arriti me Gjermaninë dhe Francën shumë rezultate në thellimin e bashkëpunimit praktik. Për shembull, Kina dhe Gjermania ranë dakord të krijojnë një mekanizëm dialogu dhe bashkëpunimi për ndryshimet klimatike e transformimin e gjelbër dhe të vazhdojnë të thellojnë bashkëpunimin në fushat e ekonomisë, tregtisë, investimeve, prodhimit të automjeteve, teknologjisë së lartë dhe energjisë së re. Ndërkohë, Kina dhe Franca janë të gatshme të forcojnë bashkërendimin dhe të thellojnë bashkëpunimin në fushat e hapësirës ajrore, energjisë bërthamore, bujqësisë dhe ushqimit. Gjermania dhe Franca mirëpritën gjithashtu shtimin e investimeve prej kompanive kineze. Kina dhe BE-ja, nga ana e tyre, po ndërmarrin veprime konkrete për të forcuar lidhjen e bashkëpunimin dhe për t'i thënë "jo" zhurmës së "shkëputjes dhe prishjes së zinxhirëve".
Foto:Xinhua
Ky vit shënon 20-vjetorin e krijimit të partneritetit të gjithanshëm strategjik Kinë-BE. Përgjatë rrugës së zhvillimit të marrëdhënieve dypalëshe, për shkak të dallimeve në histori, kulturë, nivel zhvillimi dhe ideologji ndërmjet Kinës e Evropës, është normale që të dy palët të kenë pikëpamje të ndryshme për disa çështje. Por ndërmjet Kinës e BE-së nuk ka konflikt thelbësor interesi, por ekziston një nevojë e fortë për bashkëpunim. Kjo u pasqyrua plotësisht në udhëtimin e kryeministrit kinez në Evropë. Duke kundërshtuar së bashku "shkëputjen dhe prishjen e zinxhirëve" dhe duke iu përmbajtur multilateralizmit të vërtetë, Kina dhe BE-ja do të përfitojnë më shumë nga zhvillimi i njëra-tjetrës. Kjo përbën gjithashtu diçka që është në interes edhe të botës.