Europa jo më “fushëbetejë ” e politikës së jashtme amerikane
2023-06-13 17:59:35

Europa refuzon të jetë “ fushëbetejë ” e politikës së jashtme amerikane. Në këtë këndvështrim e lexoj sondazhin e fundit të Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë lidhur me marrëdhëniet e Europës me Kinën, SHBA-në, Rusinë.

Përgjatë dy dekadave të fundit zhvillimet globale kanë prodhuar ngjarje të ndryshme gjeopolitike,  në fokus të së cilës ishin SHBA-të, ndërsa Europa ishte “dëm kolateral” i politikës së jashtme amerikane.

Them këtë duke marrë parasysh se SHBA-ja në rastet e Libisë, Sirisë dhe Irakut, Afganistanit u përfshi në ndërhyrje të ndryshme ushtarake për të nxitur ndryshimin politik ose për të luftuar grupet terroriste dhe si pasoje me miliona refugjatë  nga  Siria, Iraku, Afganistani dhe vende të tjera mësyn duke kërkuar siguri në Evropë.

Europa jo vetëm që u bë pritëse e refugjateve, por shpesh herë u përballë me sfida të sigurisë. Shumë vende europiane u bënë shënjestra e terroristëve duke mbjell kështu frikë e pasiguri në shtëpinë e tyre.

CFP

CFP

Nisur nga sondazhi i fundit,  Bashkimi Evropian ka të ngjarë të përballet me vendime të vështira strategjike: nëse do të mbështesë Shtetet e Bashkuara në konkurrencën e saj gjeopolitike me Kinën.

Ata tashmë kanë pësuar dhe mësuar njëkohësisht nga një aleancë të pakushtëzuar. Për këtë shumica e evropianëve duan që vendet e tyre të mbeten neutrale në një konflikt midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës për rajonin e Tajvanit të Kinës, ndërkohë që duan gjithashtu të zvogëlojnë varësinë ushtarake të kontinentit nga SHBA, sipas sondazhit të fundit nga Këshilli Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë.

Sipas gjetjeve të reja të publikuara nga Këshilli Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë (ECFR) të mërkurën, shumica e evropianëve e shohin Kinën si një "partner të domosdoshëm" dhe jo si një rival apo kundërshtar, ndryshe nga shumica e amerikanëve. Për më tepër, në rast të një konflikti të mundshëm midis SHBA-së dhe Kinës mbi Tajvanin, shumica e evropianëve do të preferonin të qëndronin jashtë tij.

Më shumë se 60% e të anketuarve në 11 vendet e anketuara të BE-së thanë se do të dëshironin që vendi i tyre të qëndronte neutral, zbuloi sondazhi i ECFR mbi qëndrimet evropiane ndaj SHBA-së, Rusisë dhe Kinës, i publikuar të mërkurën.

Të anketuarit gjithashtu e panë Kinën më shumë si një partner strategjik sesa një aleat, një rival apo një kundërshtar, zbuloi sondazhi.

Sondazhi i opinionit i kryer në prill në 11 shtete anëtare të BE-së tregoi gjithashtu se gati gjysma e të pyeturve e shohin Kinën si një "partner të domosdoshëm" dhe jo një kërcënim apo rival.

CFP

CFP

Me 16,168 të anketuar në një gamë të gjerë temash, studimi tregon se instinktet e tyre për politikën e jashtme bashkëpunuese po përshtaten me polarizimin në rritje të realitetit të ri gjeopolitik.

Të pyetur për skenarin hipotetik të një konflikti midis Kinës dhe SHBA-së për Tajvanin, ata u pyetën se çfarë do të donin të bënte vendi i tyre. Një mesatare prej 62 përqind donin neutralitet me një ngurrim për të hequr rrezikun nga Kina – edhe pse ata theksuan disa rreziqe në praninë ekonomike të Kinës në Evropë.

Në sondazh u përfshinë banorë të Austrisë, Bullgarisë, Danimarkës, Francës, Gjermanisë, Hungarisë, Italisë, Holandës, Polonisë, Spanjës dhe Suedisë.

Gjermania, Suedia, Franca dhe Danimarka janë të vetmet vende në anketë, ku pikëpamja mbizotëruese ishte për të hedhur Kinën si një 'rival' ose një 'kundërshtar'. Ndërkohë, mesatarisht 43 për qind në të gjitha shtetet e shohin Kinën si një "partner të domosdoshëm".

Konflikti në Ukrainë e ka parë Evropën duke bashkëpunuar ngushtë me SHBA-në dhe shumica e qytetarëve pajtohen se Uashingtoni është një aleat ose të paktën një partner. Megjithatë, tre të katërtat e të anketuarve thanë se Evropa nuk mund të mbështetet gjithmonë te Uashingtoni dhe se ajo duhet të kujdeset për aftësitë e saj mbrojtëse.

Vetëm 8 për qind besonin se SHBA-ja do ta mbrojë gjithmonë Evropën dhe për këtë arsye evropianët nuk kishin nevojë të jepnin përparësi për një kapacitet të pavarur ushtarak.

Raporti përfundon se liderët evropianë kanë një mundësi për të ndërtuar konsensus publik rreth qasjes së Evropës ndaj Kinës, SHBA-së dhe Rusisë, duke theksuar nevojën për të kuptuar se çfarë e motivon publikun dhe për të komunikuar qartë për të ardhmen.

Duke gjykuar nga ky sondazh, Evropa po anon drejt këndvështrimit të Macron dhe shpreson për bashkëpunim, sesa përballje me Kinën.

Ajo tregon se pikëpamja e publikut evropian për Kinën është më shumë në përputhje me presidentin francez Emmanuel Macron.

Kujtojmë e Presidenti francez tha se "rreziku i madh" me të cilin përballet Evropa është se ajo "kapet në kriza që nuk janë tonat" - duke përfshirë Tajvanin - duke e penguar Evropën "të ndërtojë autonominë e saj strategjike", duke shtuar se kontinenti duhet të rezistojë të bëhet "ndjekës i Amerikës". ”

Megjithatë, çështja e neutralitetit në raport me Kinën është e ndërlikuar duke marrë parasysh partneritetin strategjik të Europës me SHBA-të.

Përplasja midis SHBA dhe Europës përballë Kinës është një temë komplekse që prek shumë aspekte politike, ekonomike dhe strategjike të ndryshme.

Historikisht, SHBA dhe Evropa kanë pasur një marrëdhënie të ngushtë, si në fushën e tregtisë ashtu edhe në mbrojtjen e vlerave të përbashkëta, siç janë demokracia dhe të drejtat e njeriut. Megjithatë, ka pasur disa dallime të dukshme midis këtyre dy blloqeve gjatë vitëve të fundit në mënyrën se si të trajtojnë marrëdhëniet me Kinën.

Një nga pikat kryesore të përplasjes midis SHBA dhe Europës përballë Kinës ka të bëjë me rivalitetin ekonomik. Kina është një fuqi ekonomike e rritur dhe po konkuron me SHBA-në dhe Evropën në shumë fusha industriale.

Në vitet e fundit, SHBA-ja ka marrë masa të rëndësishme për të kundërshtuar kinezët në fushën e tregtisë dhe sigurisë. Administrata e mëparshme e presidentit Donald Trump vendosi tarifa shtesë ndaj prodhimeve kineze dhe në disa raste ndaj produkteve evropiane, duke rritur tensionet me të dyja palët. Për të kundërshtuar zhvillimin e teknologjisë kineze, SHBA-ja ka ndërmarrë veprime për të bllokuar hyrjen e kompanive kineze në tregun e saj dhe ka bërë përpjekje për të ndikuar shtetet e tjera, përfshirë edhe Evropën, që të bëjnë të njëjtën gjë.

(Mos )uniteti i BE-së ndaj Kinës 

Disa liderë evropianë, duke përfshirë Macron dhe kancelarin gjerman Olaf Scholz, kanë udhëtuar së fundmi në Pekin, duke forcuar urat e bashkëpunimit ndërmjet Europës dhe Kinës.

Xinhua

Xinhua

Në nëntor 2022, menjëherë pasi Xi Jinping mori mandatin e tij të tretë si sekretar i përgjithshëm i Partisë Komuniste Kineze, kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, i bëri nderimet e tij udhëheqësit kinez me një vizitë shtetërore. Që atëherë, liderë të ndryshëm evropianë kanë shkuar në Pekin: nga presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, te kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, te vizita e përbashkët e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe presidentit francez Emmanuel Macron në prill 2023.

Xinhua

Xinhua

Macron foli për ringjalljen e partneritetit strategjik dhe global me Kinën dhe shmangu qëllimisht vërejtjet kritike për temën e Tajvanit. Ashtu si Scholz para tij, Macron shoqërohej nga një delegacion biznesi, i cili lidhi marrëveshje të shumta në Kinë. Mesazhi i Macron për Xi ishte i qartë: Parisi dëshiron marrëdhënie të ngushta ekonomike me Pekinin, edhe nëse Kina mban marrëdhënie me Kremlinin. Në fakt, Macron shpesh ka sugjeruar që BE-ja duhet të punojë me Kinën për të zgjidhur problemin e Rusisë.

Por këto udhëtime nuk kanë sinjalizuar unitetin evropian për Kinën. Përkundrazi, qeveritë evropiane kanë pikëpamje të ndryshme ndaj Kinës, me von der Leyen dhe Macron që kanë dy qasje të ndryshme.

Në një fjalim kryesor në mars 2023, von der Leyen tha se Pekini po përpiqet për siguri dhe kontroll në vend të reformave dhe hapjes, dhe po synon të ndryshojë sistematikisht rendin ndërkombëtar, duke e bërë Kinën më pak të varur nga bota dhe botën më të varur nga Kina. Von der Leyen hoqi dorë nga treshja e krijuar e BE-së për të përshkruar Kinën si një "partner, konkurrent dhe rival sistematik" dhe theksoi nevojën për minimizimin aktiv, strategjik dhe shumëdimensional të rrezikut në marrëdhëniet e Evropës me Pekinin.

Sidoqoftë në sondazhin e fundit, vetë qytetarët europianë e kanë shprehur me një qëndrim tejet realist se cilat janë vijat e kuqe të bashkëpunimit ose mosbashkëpunimit me Kinën.

Ky është mesazh i fortë se qeveritë evropiane duhet të inkurajohen nga kjo mbështetje publike për të investuar më shumë në mbrojtjen evropiane dhe për të forcuar koordinimin e tyre të mbrojtjes dhe politikës së jashtme por mbi të gjitha nuk duhet të bëhen palë në konflikte të palëve të treta.

Ndërsa sot bota ka pësuar ndryshime thelbësore, me rëndësi është pranimi i një realiteti të ri siç është ajo e një botë shumëpolare e cila kërkon po bashkëpunim shumëpalësh.

Ndaj Kina dhe Bashkimi Evropian si dy ndër vendet me ekonomitë më të mëdha në botë, sikundër kanë arritur të kapërcejnë barrierat e tyre mund të forcojnë edhe më shumë bashkëpunimin jo vetëm për të mirën e përbashkët, por mund të ndihmojnë gjithashtu  që zhvillimi global të jetë i fortë dhe i qëndrueshëm. Këtë e thanë vete qytetaret europianë, tani udhëheqësit politik të Europës duhet të veprojnë …

Marjana DODA