Ambasadat kineze festojnë 75-vjetorin e themelimit të RPK-së
2024-10-03 15:42:56

Ambasadat kineze në ShBA, Norvegji, Sllovaki dhe Rumani organizuan të hënën pritje për të festuar 75-vjetorin e themelimit të Republikës Popullore të Kinës (RPK).

Foto nga ambasada kineze në ShBA

Ambasadori kinez në Shtetet e Bashkuara, Xie Feng, mbajti një fjalim gjatë pritjes. Ndihmëssekretari i Shtetit për Çështjet e Azisë Lindore dhe Paqësorit i ShBA-së Daniel Kritenbrink, drejtorja e lartë për çështjet e Kinës në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë Sarah Beran dhe mbi 700 të ftuar kinezë dhe amerikanë ishin të pranishëm në këtë pritje.       

Xie theksoi se ky vit shënon 45-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kinës e ShBA-së dhe këto marrëdhënie janë përsëri në një pikënisje të re. "Respekt i ndërsjellë do të thotë se duhet të jemi partnerë, jo rivalë. Bashkëjetesë paqësore do të thotë se duhet të qëndrojmë te vijat bazë dhe të shmangim kthimin prapa. Bashkëpunim me përfitime të ndërsjella do të thotë se duhet të kërkojmë përfitime të ndërsjella dhe të refuzojmë lojën ku fituesi i merr të gjitha," u shpreh ai.

Foto nga ambasada kineze në Norvegji

Në Oslo, ambasadorja kineze në Norvegji, Hou Yue, tha se gjatë 75 vjetëve të fundit, populli kinez, nën udhëheqjen e Partisë Komuniste të Kinës, ka vazhduar të përparojë, duke krijuar dy mrekulli: rritjen e shpejtë ekonomike dhe qëndrueshmërinë shoqërore. Ajo theksoi se plenumi i tretë i Komitetit Qendror të 20-të të PKK-së bëri planifikime sistematike për thellimin e mëtejshëm të reformës dhe promovimin e modernizimit kinez, gjë që do të sjellë mundësi të reja për bashkëpunimin praktik ndërmjet Kinës dhe Norvegjisë.

Gjatë pritjes u shfaq së bashku me programe të tjera një dokumentar i titulluar "Njerëzit e Veriut – Harbin", i prodhuar nga CGTN-i, media norvegjeze dhe "bridge builders".

Foto nga ambasada kineze në Rumani

Ambasadori kinez në Rumani Han Chunlin mbajti një fjalim gjatë pritjes, duke shprehur angazhimin e Kinës për të punuar me Rumaninë për të shfrytëzuar platforma të tilla si “Një brez, një rrugë” dhe mekanizmi i bashkëpunimit ndërmjet Kinës e vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore, me qëllim forcimin e shkëmbimeve dhe të bashkëpunimit dypalësh në të gjitha fushat, për përfitime të ndërsjella ndërmjet të dy vendeve.