E dërguara e posaçme e presidentit kinez merr pjesë në ceremoninë e betimit të presidentes meksikane
2024-10-03 15:38:51

E dërguara e posaçme e presidentit të Kinës Xi Jinping, Tie Ning, mori pjesë të martën në ceremoninë e betimit të presidentes meksikane në Meksiko.

Claudia Sheinbaum Pardo u betua të martën si presidentja e parë femër e Meksikës, pasi 62-vjeçarja fitoi zgjedhjet presidenciale në qershor.

Gjatë një takimi me Sheinbaum pas ceremonisë, Tie Ning, zv.kryetare e Komitetit të Përhershëm të Asamblesë Kombëtare Popullore, organi më i lartë legjislativ i Kinës, i përcolli presidentes meksikane urimet dhe përshëndetjet e Xi Jinping-ut.

Foto nga VCG

Presidentja meksikane Claudia Sheinbaum Pardo/VCG

Tie theksoi se vitet e fundit, Kina dhe Meksika kanë ruajtur një nivel të lartë zhvillimi të partneritetit të tyre strategjik gjithëpërfshirës, i cili është bërë gjithnjë e më strategjik, përplotësues dhe me përfitime të ndërsjella.

Ajo shtoi se Kina është e gatshme të forcojë bashkërendimin e strategjive të zhvillimit me Meksikën, në mënyrë që të dy vendet të bëhen miq të besueshëm e partnerë të mirë në zhvillimin e përbashkët në rrugën e modernizimit.

Nga ana e saj, presidentja Sheinbaum i kërkoi znj. Tie t'i përcjellë respektin e saj të lartë dhe përshëndetjet e sinqerta presidentit Xi, si edhe e falënderoi homologun e vet kinez që ka çuar një të dërguar të posaçme në ceremoninë e saj të betmit, duke theksuar se Meksika dhe Kina janë partnere të mira që e mbështesin njëra-tjetrën.

Qeveria e re meksikane u kushton rëndësi të madhe marrëdhënieve me Kinën dhe është e gatshme të forcojë më tej shkëmbimet miqësore me palën kineze në fusha të ndryshme, për të promovuar zhvillimin më të madh të marrëdhënieve Meksikë-Kinë, u shpreh Sheinbaum.