Ministrat e Jashtëm të Kinës dhe Koresë së Veriut shkëmbejnë mesazhe urimi për 75-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike
2024-10-06 15:56:29

Wang Yi, Anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, njëkohësisht Ministër i Jashtëm i vendit shkëmbeu mesazhe urimi me homologen e tij koreano-veriore, Choe Son-hui, për të kremtuar 75-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Wang Yi theksoi se Kina dhe Koreja e Veriut janë miq fqinjë dhe kanë një marrëdhënie miqësore prej historisë së gjatë. Gjatë 75 viteve të fundit, marrëdhëniet midis dy vendeve janë thelluar dhe bashkëpunimi në fusha të ndryshme ka sjellë rezultate të frytshme.

Vitet e fundit, nën udhëheqjen e liderëve më të lartë të dy vendeve, Xi Jinping dhe Kim Jong Un, marrëdhëniet tradicionale të miqësisë dhe bashkëpunimit kanë hyrë në një periudhë të re historike. Ruajtja, konsolidimi dhe zhvillimi i marrëdhënieve midis Kinës dhe Koresë së Veriut, mbetet një prioritet i pandryshuar për PKK-në dhe qeverinë kineze.

Kina është e gatshme të bashkëpunojë me Korenë e Veriut për të nxitur zhvillime më të mëdha në marrëdhëniet dypalëshe, sipas konsensusit të rëndësishëm të arritur nga liderët më të lartë dhe dëshirave të përbashkëta të popujve të dy vendeve.

Choe Son-hui theksoi se që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike 75 vjet më parë, Koreja e Veriut dhe Kina kanë mbështetur njëra-tjetrën dhe kanë bashkëpunuar ngushtë në fusha si politika, ekonomia dhe kultura.

Në kontekstin e ndërlikuar ndërkombëtar me ndryshime shpeshta, forcimi dhe zhvillimi i miqësisë midis Koresë së Veriut e Kinës, si edhe përparimi i përbashkët të kauzës socialiste, mbeten detyra të rëndësishme për departamentet diplomatike të dy vendeve.

Ministrja e Jashtme e Koresë së Veriut shprehu besimin se nën udhëheqjen e Presidentit Xi Jinping, Kina do të arrijë suksese të mëtejshme në realizimin e ripërtëritjes kombëtare.