Foto nga MPJ
Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi i theksoi një veprimtari të mërkurën në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju-Jork se Kina është e gatshme të thellojë bashkëpunimin me të gjitha palët në kuadrin e Nismës së Zhvillimit Global të propozuar tre vjet më parë nga presidenti kinez Xi Jinping.
Duke folur në veprimtarinë me temë "Nisma e Zhvillimit Global mbështet Jugun Global - Kina në veprim", Wang, gjithashtu anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, tha se gjatë tre vjetëve që nga shpallja e saj, Nisma e Zhvillimit Global ka evoluuar nga një propozim i Kinës në një konsensus ndërkombëtar dhe nga një koncept bashkëpunimi në veprime të përbashkëta, duke kontribuuar me zgjidhjet e Kinës dhe duke i dhënë forcën e Kinës zbatimit të Agjendës për Zhvillimin e Vazhdueshëm 2030 të Kombeve të Bashkuara.
Nisma ka konsoliduar vazhdimisht konsensusin mbi përparësitë e zhvillimit, duke u bërë një shembull i gjallë i ndërtimit të një bashkësie me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin në fushën e zhvillimit, theksoi kreu i diplomacisë kineze.
Duke vënë në dukje mbështetjen dhe pjesëmarrjen e mbi 100 vendeve e 20 organizatave ndërkombëtare dhe përparimin e rëndësishëm të kësaj nisme në ndërtimin e mekanizmit, Wang tha se asnjë vend nuk duhet të mbetet prapa në procesin e modernizimit global e se Nisma e Zhvillimit Global i jep përparësi përkrahjes së zhvillimit e rilindjes së vendeve të Jugut Global.
"Ne jemi të gatshëm të thellojmë bashkëpunimin me të gjitha palët në kuadër të Nismës së Zhvillimit Global dhe të përshpejtojmë zbatimin e Agjendës për Zhvillimin e Vazhdueshëm 2030 të Kombeve të Bashkuara, në mënyrë që nga modernizimi të përfitojnë çdo vend dhe çdo njeri," u shpreh Wang.
Pjesëmarrës në këtë veprimtari ishte edhe Philemon Yang, kryetar i sesionit të 79-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, i cili tha se Nisma e Zhvillimit Global e propozuar nga Kina ka dëshmuar aftësi të forta udhëheqëse dhe ka marrë mbështetje nga shumë vende.
Sipas tij, kjo nismë ka rëndësi të madhe, pasi ofron një rrugë të re për të përshpejtuar realizimin e Objektivave të Zhvillimit të Vazhdueshëm dhe për të ndihmuar vendet në Jugun Global.