Foto nga VCG
Në fund të majit, u përurua në distriktin Chaoyang të qytetit Pekin zona për selinë e organizatave tekniko-shkencore ndërkombëtare. Shumë përfaqësues të huaj të këtyre organizatave ndërkombëtare në Kinë shprehën bindjen se ndërtimi i kësaj zone do të nxitë shkëmbimet e bashkëpunimin tekniko-shkencor midis Kinës dhe vendeve të huaja.
Organizatat ndërkombëtare të shkencës dhe tekonologjisë janë një lidhje e rëndësishme për bashkimin e burimeve globale të inovacionit, duke luajtur një rol të rëndësishëm për krijimin e një sistemi të hapur të risive tekniko-shkencore dhe forcimin e bashkëpunimit mes qarqeve studimore ndërkombëtare. Për të promovuar zhvillimin e organizatave tekniko-shkencore ndërkombëtare në Kinë, Shoqata kineze për Shkencë dhe Teknologji dhe bashkia e qytetit Pekin ndërtuan bashkërisht zonën e parë për selinë e organizatave tekniko-shkencore ndërkombëtare.
Në ceremoninë e përurimit, nënkryetari i bashkisë së qytetit Pekin Yu Yingjie u shpreh se zona për selinë e organizatave tekniko-shkencore ndërkombëtare do t’i ndihmojë këto organizata të hyjnë në Kinë për të marrë pjesë në hapjen me botën e jashtme dhe zhvillimin e Kinës. Yu Yingjie tha: “Besoj se zona për selinë e organizatave tekniko-shkencore ndërkombëtare në Pekin do të jetë një shembull për zgjerimin e bashkëpunimit ndërkombëtar të risive tekniko-shkencore. Shpresoj që më shumë organizata tekniko-shkencore ndërkombëtare do të marrin pjesë në zhvillimin e Pekinit dhe në krijimin e një mjedisi të hapur e të barabartë të zhvillimit tekniko-shkencor për të arritur përfitime të përbashkëta”.
Pekini është një nga rajonet me themelet më të forta tekniko-shkencore, burimet më të përqendruara të risive, me mbi 90 shkolla të larta, mbi 1 mijë institute kërkimore-shkencore dhe afro 30 mijë sipërmarrje me teknologji të lartë. Numri i studiuesve aktivë i kalon 470 mijë, duke zënë vendin e parë në botë. Anëtari i Shoqatës Ndërkombëtare të Shkencave Zoologjike dhe profesori i Universitetit Pedagogjik të Pekinit Eric Ameca është i mendimit se Pekini ka epërsi për tërheqjen e talenteve globale dhe ndërtimi i zonës për selinë e organizatave tekniko-shkencore ndërkombëtare do të jetë në favor të përparimit të përbashkët të teknikës e shkencës kineze dhe botërore. “Mendoj se Pekini ka pozicionin e mirë gjeografik, ndërsa studiuesit nga i gjithë vendi mund të takohen në Pekin me lehtësi. E njëjta gjë vlen edhe për dijetarët e huaj që mund të punojnë dhe komunikojnë më lehtë.” - tha Eric Ameca. (Fani)