Sezoni veror, Kumbaro inspektim në pikat kufitare: Përmirësojmë kushtet pritëse për turistët
2023-06-01 11:58:16

Foto nga ATSH

Çelja e sezonit turistik veror ka sjellë rritjen e flukseve të vizitorëve nëpër pikat kufitare. Ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro, ka nisur një tur inspektimesh nëpër këto pika, për të parë nga afër punën për pritjen e vizitorëve dhe evitimin e radhëve në kufi, bën të ditur “RTSH”.

“Kemi nisur një tur inspektimesh në pikat doganore. Në Qafë Botë është bërë një rinovim dhe punë e madhe për përmirësimin e kushteve pritëse të turistëve. Shifrat janë më të larta se vitin e kaluar dhe masat janë marrë që gjithçka të shkojë në rregull dhe të mos kemi asnjë lloj episodi të pakëndshëm. Është pjesë e mikpritjes së turizmit shqiptar”,- tha Kumbaro.

Drejtori i përgjithshëm i Doganave, Gent Gazheli, u shpreh se pritet një intensitet i madh në sezonin veror. Sipas tij, janë marrë të gjitha masat dhe pritet të jetë një vit i mbarë për turizmin.

Për vitin 2022, nga pika kufitare e Qafë Botës kanë hyrë 108 mijë vizitorë të huaj. Gjatë muajve janar-prill 2023, në Shqipëri kanë hyrë 57% vizitorë të huaj më shumë se në të njëjtën periudhë e vitit të kaluar. (Elona)