Qytetet inteligjente ndajnë histori të qeverisjes digjitale
2023-05-31 14:17:05

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Ekspertët mendojnë se qeverisja digjitale është një prirje, jo një zgjedhje, në zgjidhjen e problemeve të përbashkëta të zhvillimit urban, siç janë plakja e popullsisë, dhe për përmirësimin e efikasitetit për të përfituar njerëzit në këto kohë në ndryshim. Shumë vende kanë prezantuar mjete digjitale, si të dhënat e mëdha dhe inteligjencën artificiale, në krijimin e qyteteve inteligjente dhe arritje të rëndësishme që janë bërë në fusha të tilla si bujqësia, arsimi dhe industria.

Në një fermë inteligjente në Palmerston North, në Zelandën e Re, inteligjenca artificiale përdoret për të monitoruar lopët dhe u mundëson atyre të kullosin lirshëm me pak ndërhyrje njerëzore.

“Do të ketë gjithashtu një zonë me monitorim digjital, ku procesi i mjeljes është automatizuar në mënyrë që lopët të mund të milen kur të ndjejnë nevojën për t'u mjelur. Me këtë proces, lehtësohet puna e njerëzve”,- deklaroi për “China Daily” Gabrielle Loga, menaxhere e marrëdhënieve ndërkombëtare për Palmerston North, në Forumin “Smart City for International Friendship Cities”, të zhvilluar në Guiyang, në provincën kineze Guizhou.

“Zbatimi i inteligjencës artificiale jo vetëm që është i shkëlqyeshëm për vetë prodhimin, por ka nxitur dhe turizmin. Po ashtu është veçanërisht i popullarizuar me fëmijët për qëllime arsimore”,- tha ajo, duke theksuar se shpreson në një bashkëpunim së shpejti me Guiyang për bujqësinë e zgjuar.

Palmerston North konsulton banorët për çështje publike, për të cilat Loga thotë se gjenerohen dokumente që zakonisht kërkojnë shumë kohë për t'u lexuar.

“Por, meqë kemi eksperimentuar me modele të mëdha gjuhësore, inteligjenca artificiale ka qenë në gjendje të na ndihmojë të kalojmë parashtresat shumë më shpejt, kështu që ne do të jemi në gjendje të inkurajojmë më shumë paraqitje në të ardhmen dhe të kuptojmë më mirë se çfarë duan banorët tanë”, tha ajo.

Këshilli i qytetit ka miratuar gjithashtu monitorimin inteligjent mjedisor dhe monitorimin inteligjent për speciet e rrezikuara, si dhe i kushton rëndësi ndërtesave të gjelbra dhe ndërtimeve të qëndrueshme.

Si një qytet simotër i Guiyang për 31 vitet e fundit, Palmerston North shpreson të vazhdojë bashkëpunimin në teknologjinë bujqësore, mësimin e zgjuar dhe digjitalizimin, tha Loga, duke shtuar se gjithashtu po kërkon të zgjerojë bashkëpunimin në fusha të tjera si tregtia dhe ekoturizmi.

Busan në Korenë e Jugut, qyteti i parë inteligjent i miratuar nga vendi në vitin 2018, ka prezantuar shërbime novatore si menaxhimi i cilësisë së ujit në kohë reale, parkimi inteligjent, mjekësia inteligjente dhe aplikacionet pa karbon në zonën e tij “Eco City” prej 28.000 kilometrash katrorë. Në janar 2022, 65 familje u zhvendosën në “Eco City” për të testuar shërbimet dhe autoritetet lokale po minimizojnë problemet përpara se sistemi të zgjerohet në zona të tjera, deklaroi Kim Myogeum, përfaqësuesja kryesore e Zyrës së Shangait në Busan.

“Busani u bë një shoqëri super e plakur në vitin 2022 dhe ka shumë banorë të moshuar që jetojnë vetëm. Ne vëzhgojmë sjelljen dhe gjendjen e tyre, në mënyrë që ndihma dhe kujdesi mund të ofrohet në kohën e duhur”, tha ajo, duke shtuar se teknologjia po përdoret për të krijuar një mjedis më të shëndetshëm dhe më të pastër, që banorët të jetojnë më mirë.

Busani renditet i pari për sa i përket ndërtimit të qytetit të zgjuar në Korenë e Jugut, sipas Kim.

Në Tripoli të Greqisë janë instaluar pajisje në të gjitha zonat publike për të monitoruar përdorimin e energjisë.

“Nëpërmjet llogaritjes inteligjente, burimet e nevojshme mund të përcaktohen saktësisht për të shmangur përdorimin e tepruar. Me përmbytjet që janë bërë një rrezik më i shpeshtë, qyteti ka zhvilluar një sistem alarmi për të paralajmëruar banorët”,- deklaroi Konstantinos Tzoumis, kryebashkiak i Tripolit, në forumin “China International Big Data Industry Expo 2023”.

Për herë të parë këtë vit në forum u ngrit një stendë speciale për të shfaqur arritjet e 13 qyteteve në tetë vende - Greqi, Itali, Korenë e Jugut, Zelandën e Re, Spanjë, Tajlandë, Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara.

Bernadia Irawati Tjandradewi, sekretarja e përgjithshme e Qyteteve të Bashkuara dhe Pushtetit Lokal të Seksionit Azi-Paqësor, deklaroi se ndarja e përvojave të qeverisjes digjitale është e rëndësishme sepse qytetet dhe qeveritë lokale kanë një sërë informacionesh për përmirësimin e produktivitetit dhe për të ndihmuar në lehtësimin e jetesës së njerëzve.

“Nga ky forum, ne mësojmë se si qytetet kanë përdorur teknologjinë inteligjente në fusha si bujqësia, shëndetësia dhe arsimi. Kjo frymëzon edhe qeveritë e tjera vendore të bëjnë më mirë”,- tha ajo.

Organizata, e cila lidh 140.000 qytete në 140 vende dhe rajone, planifikon të krijojë një komitet për qeverisjen digjitale për të ndihmuar më shumë qeveri dhe qytete të përqafojnë digjitalizimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm, shtoi ajo.