Kina dënon sanksionet e ShBA-së për makinat e prodhimit të tabletave
2023-05-31 21:31:18

Ambasada kineze në ShBA ka dënuar ashpër sanksionet ndaj 13 subjekteve dhe individëve me qendër në Kinë lidhur me përfshirjen e dyshuar "në përhapjen ndërkombëtare të pajisjeve të përdorura për prodhimin e drogës".

CFP

CFP

ShBA-ja po mashtron publikun mbi dështimin e vet për të trajtuar problemet në rritje të drogës në vend, tha ambasada në një deklaratë të martën.

Më parë po atë ditë, Departamenti i Thesarit i ShBA-së vendosi sanksione mbi individët dhe bizneset në Kinë e Meksikë që dyshohet se "kanë ndihmuar për të ofruar makinat që përdoren për të bërë ilaçe false në përpjekjet e fundit për të përballuar trafikimin e fentanilit sintetik opioid vdekjeprurës."

"Sanksionet e Departamentit të Thesarit synojnë çdo fazë të zinxhirit të furnizimit vdekjeprurës që ushqen rritjen e forcës helmuese të fentanilit dhe të vdekjeve anembanë vendit," tha nënsekretari i Thesarit për Terrorizmin dhe Shërbimin Informativ Financiar Brian E. Nelson në një deklaratë.

Makinat dhe kallëpet për prodhimin e tabletave të eksportuara nga Kina, për të cilat ShBA-ja thotë se përdoren për prodhimin e ilaçeve false në Meksikë, janë makina normale që përdoren ligjërisht dhe rëndom në prodhim në mjekësinë industriale, theksoi ambasada.

Duke vënë në dukje se qeveria kineze ka një qëndrim të fortë kundër narkotikëve dhe ka bashkëpunuar me palën amerikane për të ndihmuar në zgjidhjen e çështjes së abuzimit të fentanilit në ShBA, ambasada tha se "ShBA-ja ka sanksionuar përsëri individët dhe subjektet kineze, gjë që është një shkelje serioze e të drejtave dhe interesave të ligjshme të kompanive dhe individëve përkatës."

Me 5 për qind të popullsisë botërore, ShBA-ja konsumon 80 për qind të opioidëve në shkallë botërore, u shpreh ambasada, duke shtuar se "megjithatë ShBA-ja ende nuk ka bërë një klasifikim të përhershëm si kategori të substancave të lidhura me fentanilin."

Ndërsa Kina dhe pjesa tjetër e botës forcojnë kontrollin e substancave lidhur me fentanilin, abuzimi i fentanilit në ShBA është përkeqësuar dhe ka marrë edhe më shumë jetë, vuri në dukje ambasada kineze.

Përqindja e vdekjeve nga mbidoza e drogës që përfshijnë fentanilin sintetik opioid më tepër se u trefishua në Shtetet e Bashkuara nga viti 2016 deri më 2021, sipas një raporti nga Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) e Shteteve të Bashkuara të publikuar këtë muaj.

Sipas "Reuters"-it, ShBA-ja ka kërkuar ndihmë më të madhe nga Kina për pengimin e fluksit të paligjshëm të lëndëve kimike për të bërë fentanilin nga Kina, por zyrtarët amerikanë pretendojnë se "homologët kinezë ngurrojnë të bashkëpunojnë pasi marrëdhëniet midis të dy vendeve janë përkeqësuar."

Në vend që të punojë për të pakësuar kërkesën për drogë brenda vendit, të forcojë menaxhimin e ilaçeve që merren me recetë dhe të shtojë ndërgjegjësimin e publikut rreth dëmeve të drogës, ShBA-ja përdor sanksionet ndaj vendeve të tjera për të mashtruar publikun dhe për ta hequr fajin nga vetja për mosveprimin e saj, tha ambasada. Sipas saj, sanksionet e ShBA-së kundër kompanive dhe shtetasve kinezë do të shtojnë më shumë pengesat për bashkëpunimin kino-amerikan kundër narkotikëve dhe Kina do të vazhdojë të bëjë atë që është e nevojshme për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e ligjshme të kompanive dhe individëve kinezë, shtoi ajo.