Monedha zyrtare kineze e emetuar një vit para shpalljes së Republikës Popullore të Kinës në vitin 1948 quhet Renminbi ose “monedha e popullit”. Që nga nisja e qarkullimit të saj kjo monedhë ka patur një ecuri me plot sfida, por mbi të gjitha arritje që kanë shoqëruar rritjen e ekonomisë kineze.
Në ditët tona qasja e qeverisë kineze që drejton ekonominë e dytë botërore është rritja e ndërkombëtarizimit të renminbi-së, të konvertueshmërisë së saj dhe digjitalizimit
Për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) dr. Enriko Ceko komenton historinë e monedhës zyrtare kineze, ecurinë dhe pritshmëritë e zhvillimit të saj në nivel global.
Banka Popullore e Kinës (Foto China Daily)
Renminbi, historia e suksesit e monedhës kineze
Renminbi që në kinezisht do të thotë 'Monedha e popullit' është monedha zyrtare e Republikës Popullore të Kinës. Renminbi lëshohet nga Banka Popullore e Kinës, autoriteti monetar i Kinës
Renminbi u prezantua nga Banka Popullore e Kinës në dhjetor 1948, rreth një vit para krijimit të Republikës Popullore të Kinës.
Në fund të viteve 1980 dhe në fillim të viteve 1990, Kina punoi për ta bërë renminbin më të konvertueshëm.
Që nga viti 2013, renminbi është i konvertueshëm në llogaritë rrjedhëse, por jo në llogaritë kapitale. Qëllimi përfundimtar ka qenë që renminbi të bëhet plotësisht i konvertueshëm.
Pas ndërkombëtarizimit të renminbit, më 30 nëntor 2015, FMN votoi për përcaktimin e renminbit si një nga disa monedhat kryesore botërore, duke e përfshirë atë në shportën e të drejtave të veçanta të tërheqjes. Renminbi u bë monedha e parë e tregut në zhvillim që u përfshi në shportën SDR të FMN-së më 1 tetor 2016. Monedhat e tjera kryesore botërore janë dollari, euro, stërlina dhe jen.
Në tetor 2019, banka qendrore e Kinës, PBOC, njoftoi se një renminbi digjital do të dalë pas vitesh përgatitjeje.
Kina ka bërë reforma të mëdha për të rritur pozicionin ndërkombëtar të monedhës së saj.
Dr. E. Ceko në intervistë për CMG
Në intervistë për Grupin Mediatik të Kinës dr. Enriko Ceko komenton monedhën kineze që nga prezantimi i saj, ecurinë, konvertimin, ndërkombëtarizimin dhe digjitalizimin.
CMG: Monedha kineze RMB, e njohur dhe si juan ndoshta nuk është shumë e njohur për shqiptarët në përgjithësi, me përjashtim të atyre që kryejnë shkëmbime tregtare me Kinën, apo të tjerë që studiojnë dhe punojnë në këtë vend. Cila është historia e kësaj monedhe?
Dr. Enriko Ceko: Historia e parasë në Kinë ka shoqëruar gjithë historinë botërore. Fillimisht në Kinë është përdorur paraja metalike dhe pastaj u zëvendësua me kartmonedha. Në një vend që ka zhvillim ekonomik ekzistenca e parasë është një mjet që lehtëson shkëmbimin e produkteve dhe të shërbimeve, por jo vetëm kaq. Paraja, qoftë metalike apo në formën e kartmonedhës duhet të ketë disa karakteristika që të shërbejë si mjet shkëmbimi.
Në radhë të parë paraja duhet të tregojë vlerën e mallit. Duke thënë për shembull kaq juan ne themi vlerën e mallit sepse për këtë mall është përdorur kaq punë për t’u realizuar.
E dyta, paraja duhet të jetë e vështirë për t’u falsifikuar. Sepse paratë metalike, por dhe kartmonedhat mund të falsifikohen.
Në aspektin tjetër duhet të jetë një mjet këmbimi, i cili të jetë lehtësisht i lëvizshëm, që të mund ta marrësh me vete për ta transportuar.
Gjithashtu monedha duhet të jetë e qëndrueshme dhe të ketë fortësinë e saj si e tillë. Qëndrueshmëria e monedhës tregon aftësinë e saj për të bërë biznes. Monedha duhet të jetë e pranuar nga të gjitha palët, jo vetëm nga ata që e kanë prodhuar atë. Është shumë e rëndësishme që të jetë një monedhë e lakmueshme, sepse plotëson të gjitha karakteristikat e mësipërme.
Nëse prodhojmë për shembull një kartmonedhë, ajo nuk shërben vetëm për ne, por për të gjithë ata që e përdorin.
Monedhat e para të vërteta në botë që janë dhe monedhat prej ari, bronxi dhe argjendi e kanë fillimin në territorin e Kinës së sotme, madje ka qenë një periudhë shumë e famshme në historinë e këtij vendi kur ka qenë argjendi mjeti i këmbimit dhe jo floriri.
Kur flasim për kartmonedha në Kinë është prodhuar kartmonedha e pare, e cila datohet rreth 800 vjet përpara erës sonë nga perandori Hien Tsung. Në këtë periudhë ka patur një periudhë mjaft interesante të prodhimit të parave në Kinë.
Por çfarë ndodhi me monedhën e vjetër kineze para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore?
Monedha e vjetër kineze për shkak të gjendjes ekonomike, por dhe në rang botëror për shkak të konflikteve të kohës çuan në zhvlerësimin e saj. Me ardhjen në fuqi të PKK-së në vitin 1948 të prodhohej kartmonedha kineze RMB ose juan, me nëndarjet e saj. Njësia kryesore është juani me nëndarjet e veta.
CMG: Në Kinë në gjuhën e përditëshme kartmonedhat nuk quhen Renminbi, por “kuai” që do të thotë “cope”
Dr. Enriko Ceko: Ndërsa Renminbi ose shkurtimisht RMB është si njihet kartmonedha kineze në gjuhën standarde ndërkombëtare, ndërsa në kursin e këmbimit është CNY. Monedha kineze siç e njohim ne sot ka patur dy periudha të rëndësishme historike pas vitit 1948 kur u emetua për kerë të pare kjo monedhë dhe në dhjetor 1948 është lëshuar kartmonedha e pare ashtu siç e njohim sot. Edhe nga pamja e jashtme kartmonedha nuk ka pësuar shumë ndryshime, por me kalimin e kohës kjo monedhë është forcuar edhe më shumë duke luajtur një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare.
CMG: Që nga viti 2013, renminbi është i konvertueshëm në llogaritë rrjedhëse, por jo në llogaritë kapitale. Kur pritet që renminbi të bëhet plotësisht e konvertueshme?.
Dr. Enriko Ceko: Fondi Monetar Ndërkombëtar e ka pranuar monedhën kineze si monedhë kryesore në marrëdhëniet ndërkombëtare në vitin 2016. Kjo nuk ishte rastësore, por erdhi si rezultat i forcimit të ekonomisë kineze dhe i zgjerimit të marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare të Kinës me botën.
CMG: E keni fjalën këtu për 1 tetor 2016 kur FMN e përfshiu Renminbi në shportën SDR ?
Dr. Enriko Ceko: Po, por çfarë është SDR dhe shporta? SDR është monedha ndërkombëtare e vetme nëpërmjet të cilës realizohen kalimet e të gjitha financimeve të FMN-së për vendet me të cilat ai ka marrëveshje bashkëpunimi. Marrëveshjet e bashkëpunimit midis shteteve dhe FMN-së janë njëvjeçare dhe disavjeçare dhe synimi kryesor i tyre është që vendet, të cilat nënshkruajnë marrëveshje me FMN, duke ndjekur logjikën dhe këshillat e Fondit të forcojnë ekonominë e tyre, duke përmirësuar legjislacionin ekonomik.
Kjo është në dallim nga Banka Botërore, e cila jep kredi për vendet që duan të zhvillohen, si vendet e varfra dhe në zhvillim. Pra FMN ka dhënë kredi dhe për Francën, Italinë apo vende të tjera. Për shembull në Francë para krizës ekonomike botërore 2008-2012 Franca ka marrë miliarda SDR për të investuar në sistemin e saj energjitik, ndërsa Italia në veri të saj ka marrë po ashtu miliarda SDR për të rehabilituar sistemin e menaxhimit të ujrave.
Vendi që merr mbështetje nga FMN nuk ka rëndësi nëse e merr atë në dollar, në juan apo në paund britanik sepse e gjitha konvertohet në SDR. Monedha kineze është lehtësisht e konvertueshme në monedhën ndërkombëtare SDR ashtu si dhe dollari, paundi britanik apo euro, të cilat janë monedhat kryesore dhe kjo tregon forcimin e ekonomisë kineze.
FMN në vitin 2022 i bëri një vlerësim tjetër pozitiv monedhës kineze duke i shtuar 1.36 pikë dhe nga vendi i 7-të shkoi në vendin e 5-të, ndërsa aktualisht ka vajtur në vendin e 3-të, pas dollarit amerikan dhe paundit britanik.
CMG: Në vendet e Azisë një turist mund të paguajë me kartmonedhën kineze juan, por kjo nuk ndodh në vendet europiane dhe as në Shqipëri. Ndërkohë në pikat e këmbimit monetar në Shqipëri nuk mund të këmbesh juan me lekë. Pse ndodh kjo?
Kartmonedha kineze (Foto China Daily)
Dr. Enriko Ceko: Pyetja është me vlerë për publikun. Jo vetëm për publikun shqiptar, por dhe për kinezët që duan të vizitojnë Shqipërinë, si dhe për të huaj të tjerë. Ne jemi si vend gjeografikisht larg nga Kina dhe në exchange, në zyrat e këmbimit valutor të vendit ku je do të gjesh para në dollarë amerikanë, euro, paund britanik dhe të vendeve që ke përreth. Mendoj se ekonomia shqiptare nuk ka qenë shumë e lidhur më pare në aspektin e volumit tregtar me ekonominë kineze që t’i detyrojë exchange-t të mbajnë rezervë fizikisht në monedhë dhe kartmonedhë kineze.
Për shembull nëse në një exchange klienti sjell dollarë amerikanë dhe kërkon t’i shkëmbejë me juanë, kjo zyrë këmbimi ku do t’i gjejë juanët nëse nuk vjen dikush tjetër të këmbejë juanë me lekë? Pra duhet të ekzistojë një natyrë e tillë këmbimi që një zyrë këmbimi valutor të ketë si reserve juanë për këmbim.
CMG: Ndoshta ndikon dhe fakti se Shqipëria është një vend I vogël, sepse në vende të mëdha të Europës Perëndimore bankat e mëdha kineze si Banka Popullore, apo ICBC dhe banka të tjera kanë filialet e tyre, që lehtësojnë këmbimin e juan-it me monedhat e tjera
Dr. Enriko Ceko: Po është e vërtetë, por edhe në këto vende nëse klienti nuk shkon në exchange në kryeqytet apo qytetet e mëdha, në qytete të tjera nuk e ka mundësinë e këtij këmbimi.
Duhet të kemi parasysh që qeveria kineze historikisht ka patur një qasje shumë pozitive për të luftuar korrupsionin dhe një nga mënyrat për ta bërë këtë është reduktimi sa më shumë të jetë e mundur i parasë fizike dhe kryerja e pagesave nëpërmjet sistemit online. Ndaj nëse bizneset nuk e kanë problem çeshtjen e këmbimit valutor sepse i bëjnë pagesat online, çeshtja mbetet për ata individë që duan të kenë disa para kineze nëse duan të shkojnë në Kinë, apo kinezë që duan të këmbejnë paratë e tyre në kartmonedhat e vendeve të tjera.
Mendoj që do të ishte mire që exchange-t shqiptare, jo vetëm për paranë kineze por dhe paratë e vendeve të tjera me të cilat kemi shtuar marrëdhëniet e biznesit, të gjejnë një mënyrë për të operuar në lidhje me këto kartmonedha. Disa vende e kanë zgjidhur këtë duke krijuar një zyrë të përbashkët këmbimi në të cilën ka para jo vetëm nga 7-8 vendet kryesore me të cilat kanë biznes, por dhe me 25-26 vende të tjera.
CMG: Ndoshta kjo do të bëhet e nevojshme tani që mes dy vendeve tona janë hequr vizat dhe priten shkëmbime më të mëdha në turizëm, por dhe tregti apo arsim
Dr. Enriko Ceko: Shtimi i fluksit të turistëve, shtimi i mundësive për biznes dhe qasja që ka qeveria kineze për projekte të mëdha infrastrukturore si nisma “Një brez, një rrugë” dhe Mekanizmi i Bashkëpunimit Kinë- Europë Qendrore dhe Lindore, besoj se do të ketë nevojë për monedhën kineze dhe këmbimin e saj.
CMG: Në tetor 2019, banka qendrore e Kinës, PBOC, njoftoi se një reminbi dixhital do të dalë pas vitesh përgatitjeje. Çfarë ndikimi do të ketë digjitalizimi i RMB në ekonominë vendase, por dhe shkëmbimet me jashtë?
Dr. Enriko Ceko: E preka pak më pare luftën kundër korrupsionit dhe monedha digjitale është një nga arsyet kryesore nëpërmjet së cilës shmanget evazioni fiskal, transaksionet e dyshimta, duke qenë lehtësisht e kontrollueshme.
Eshtë e vërtetë që ka një njoftim të tillë, madje është një qytet në Kinë I cili ka filluar të paguajë punonjësit e administrates publike me monedhën digjitale. Pra këta punonjës e marrin rrogën në bankë me monedhë digjitale.
CMG: Në Kinë ka një rritje shumë të madhe të digjitalizimit të shërbimeve dhe pagesave. Në telefonin celular çdo shtetas mund të ketë bankën e tij. Nuk përdor para Cash për të paguar por përdor aplikacione permes celularit. Kjo në një farë mënyre mund të vështirësojë pagesat e të huajve kur vizitojnë Kinën, sepse nuk i kanë dhe nuk i njohin këto aplikacione
Dr. Enriko Ceko: Këtë e quajmë “digital gap” që nënkupton se ka një hapësirë të paplotësuar nga ata që përdorin digjitalizimin dhe ata që nuk e përdorin atë. Kina futet te 20 vendet e para në botë sa i përket nivelit të lartë të digjitalizimit të ekonomisë, duke u renditur në krah me SHBA, Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Japoninë të G20. Por janë vendet e tjera që nëse duan të bëjnë biznes me vendet që përdorin ekonominë digjitale duhet të jenë në të njejtin nivel.
Monedha kineze (Currency blog)
Bëhet fjalë për nivel njohurish por dhe teknologjie. Kjo është arsyeja që qeveria shqiptare në dhjetorin e kaluar deklaroi që pjesa më e madhe e buxhetit të shtetit për vitin 2023 do të shkojë për digjitalizimin e ekonomisë dhe kjo është një gjë shumë e mire. Sepse nuk mund të bësh biznes sot me SHBA-në, Britaninë e Madhe dhe Kinën nëse nuk ke një ekonomi digjitale për të qarkulluar informacionin dhe për të kryer pagesat.
Fakti që ekonomia kineze po ecën jo thjesht drejt digjitalizimit, por dhe monedhës digjitale të detyron të ngresh sistemin dhe njerëzit pastaj të mësohen me këtë sistem dhe ta përdorin. Nëse do të bëjmë një krahasim të çmimeve të produkteve në tregun ndërkombëtar dhe nëse duam të kemi produkte dhe shërbime cilësore duhet të kemi parasysh se në Kinë sot mund të gjesh produkte dhe shërbime me vlerë 10 herë më të ulët se sa në tregun e vendeve të tjera shumë të zhvilluara me të njejtën cilësi. Kina zë vendin e pare në botë për numrin e kompanive të certifikuara me standardet ISO, që do të thotë cilësi.
Madje dhe vendet që thonë se kanë produkte dhe shërbime për të ofruar në tregun ndërkombëtar ose lëndën e pare e marrin nga Kina, ose produktin gjysmë të gatshëm e marrin nga Kina, ose produktin e gatshëm e marrin po nga Kina, por i vendosin label-in, etiketën e tyre. Kështu që ku ka më mire se sa të shkosh te vendi i origjinës, ku produktin mund ta marrësh me koston më të ulët nga burimi?
Fakti që tani ekziston trendi i pagesave online sjell mjaft lehtësi, por ka dhe një sistem tjetër të pagesave me Kinën që është sistemi i pagesave me anë të certifikatës së parasë. Kjo është hedhur në qarkullim që në vitin 1978 por për shkak të situatës ndërkombëtare jo shumë vende e pranuan si mënyrë sepse nëse e pranonin shpërthimi ekonomik i Kinës do të realizohej që në vitin 1990. Prandaj u përdor si një mekanizëm për të frenuar shpërthimin ekonomik të Kinës. Megjithatë kjo mënyrë pagese njihet sot dhe është lehtësisht e pranueshme jo vetëm nga bankat kineze por dhe nga bankat e tjera.
CMG: Ky është një lloj çeku?
Dr. Enriko Ceko: Po është në formën e çekut, por quhet certifikatë për efekt të monedhës kineze sepse çeku në konceptin ndërkombëtar ka disa karakteristika, por për t’u dalluar që ti po kryen një veprim nëpërmjet Bankës Qendrore të Kinës quhet certifikatë e pagesës. Ky është një mjet pagese shumë i përhapur kryesisht nga vendet e Europës Lindore që janë anëtare të BE-së dhe që kanë shkëmbime tregtare me Kinën kanë kanë filluar ta përdorin shumë dhe si mjet pagese, pa përmendur këtu pjesën e të gjithë Azisë që e përdor si mjet pagese.
Fakti që vendet që janë përreth Kinës si Rusia, Mongolia, Nepali, India të dy Koretë, Vietnami e Kamboxhia, Malajzia dhe Singapori e kanë shtuar kryerjen e pagesës me këtë mënyrë dhe me pagesë digjitale tregon që paraja kineze është lehtësisht e konvertueshme në tregun ndërkombëtar. Ndërkohë fakti që FMN ka pranuar që pothuajse 18 për qind e të gjithë rezervës së tij të jetë në juan është një tregues shumë i rëndësishëm.
Kina është në këtë nivel sepse në vitin 1944 është një ndër themelueset e Bankës Botërore dhe të Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Intervistoi Eda Merepeza