Kapsula hapësinore pneumatike e Kinës kalon testin në orbitë
2024-11-22 11:33:49

Një kapsulë pneumatike e ka kaluar me sukses të plotë testin e fluturimit në orbitë me satelitin "Shijian-19" të Kinës, bëri të ditur Akademia e Teknologjisë Hapësinore e Kinës (CAST) të enjten. 

Ky është një lloj i ri kapsule hermetike shumëfunksionale, që ka një sipërfaqe elastike. Ajo ngjeshet e paloset gjatë nisjes, dhe hapet e fryhet pas hyrjes në orbitë. 

Kapsula është e lehtë dhe ka një efektshmëri të lartë palosjeje, çka e bën një mjet efektiv për të krijuar kapsula të mëdha të mbyllura hermetikisht në hapësirë. 

Gjatë testit të verifikimit të teknologjisë së mbajtjes, kapsula iu nënshtrua një vlerësimi mjedisor të procesit të nisjes dhe përfundoi me sukses një varg veprimesh fluturimi, duke përfshirë hapjen, fryrjen, shpalosjen dhe ruajtjen e trysnisë. 

Tregues të tillë, si kapaciteti mbartës i trupit të kapsulës, hermetizmi dhe temperatura e kapsulës së brendshme, përmbushën kriteret e verifikimit teknik. 

Arritjet teknologjike të kapsulës pneumatike do të sigurojnë mbështetje teknike për projektet më të mëdha hapësinore të Kinës, të tilla si stacioni hapësiror dhe zbritja e astronautëve në Hënë, tha CAST-i.