Hapet në Tianjin aktiviteti kryesor për inteligjencën artificiale në Kinës
2023-05-19 17:47:47

Kongresi i shtatë Botëror i Inteligjencës (WIC), një ngjarje e madhe e inteligjencës artificiale në Kinë, filloi të enjten në komunën veriore të Tianjin. Me synimin për të ndërtuar një platformë globale për shkëmbime akademike, ekspozita, inovacion dhe promovime të biznesit në fushën e teknologjisë inteligjente, ngjarja e këtij viti ka tërhequr pothuajse 500 ekspozues nga e gjithë bota, bën të ditur “Xinhua”.

“Në vitet e fundit, Kina ka përjetuar rritje të shpejtë në industrinë e inteligjencës artificiale, duke rezultuar në përfitime të dukshme ekonomike dhe sociale”,- tha Wang Zhigang, ministri për Shkencën dhe Teknologjinë në Kinë, duke folur në ceremoninë e hapjes.

Deri në vitin 2022, Kina kishte siguruar pozitën e parë globalisht për sa i përket numrit të aplikimeve për patentë të paraqitura për teknologjitë e inteligjencës artificiale. Shkalla e industrisë bazë të inteligjencës artificiale në Kinë ka tejkaluar 500 miliardë juanë (rreth 71.46 miliardë dollarë amerikanë), me më shumë se 4200 ndërmarrje të mëdha, që përbëjnë afërsisht 16 për qind të totalit global, vuri në dukje ministri.

Veprimtaria katërditore, me temë “Inteligjenca: Hapësirë e gjerë zhvillimi, nxitës e rritjes së qëndrueshme”, po mbahet në Qendrën Kombëtare të Konventave dhe Ekspozitave në Tianjin dhe shumë vende të tjera në qytetin port.

Që nga inaugurimi i saj në vitin 2017, aktiviteti ka ofruar një platformë për shkencëtarët, sipërmarrësit dhe ekonomistët nga brenda dhe jashtë vendit për të diskutuar tendencat kufitare të teknologjisë inteligjente. (Elona)