Udhëheqësit e Kinës dhe Kazakistanit përshëndetin "tre dekadat e arta" të ardhshme të marrëdhënieve dypalëshe
2023-05-18 11:39:33

Foto nga Xinhua

Foto nga Xinhua

Të mërkurën, presidenti kinez Xi Jinping dhe homologu i tij i Kazakistanit Kassym-Jomart Tokayev përshëndetën "tre dekadat e arta" të ardhshme të marrëdhënieve ndërmjet të dy vendeve dhe premtuan të zgjerojnë bashkëpunimin për të promovuar zhvillimin e përbashkët.

Gjatë takimit në Xian me Tokayev-in, që ndodhet për një vizitë shtetërore në Kinë, presidenti Xi Jinping u shpreh se Kina dhe Kazakistani janë miq të besueshëm, vëllezër dhe partnerë. Kina po promovon rilindjen kombëtare nëpërmjet modernizimit dhe pala kazakistanase po ndërton një “Kazakistan të ri” me zhvillim të shpejtë e lulëzim. Të dy vendet gjenden tashmë në një etapë të rëndësishme zhvillimi.

Një Kazakistan i pavarur, i qëndrueshëm, i sigurt e i lulëzuar përputhet me interesat e të dy popujve, tha Xi Jinping. Ai u shpreh se Kina e përkrah me vendosmëri sovranitetin, pavarësinë dhe tërësinë territoriale të Kazakistanit dhe zgjedhjen nga ky vend i Azisë Qendrore të një rruge zhvillimit në përputhje me kushtet e veta kombëtare.

Presidenti kinez vuri në dukje se, që nga paraqitja e nismës “Një brez, një rrugë” 10 vjet përpara, dy vendet kanë zhvilluar me sukses dhjetëra projekte të rëndësishme bashkëpunimi, duke u sjellë të dy popujve përfitime e duke promovuar zhvillimin e përbashkët.

Ai u bëri thirrje dy palëve të zgjerojnë bashkëpunimin në fushën ekonomiko-tregtare, të investimeve, të bujqësisë e të energjetikës, të thellojnë ndërlidhjen me njëri-tjetrin dhe të promovojnë transportin hekurudhor-detar, duke forcuar bashkëpunimin në fushat e reja si tregtia elektronike, risitë, të dhënat e mëdha etj.

Mekanizmi Kinë-Azi Qendrore ka si qëllim fokusimin në kërkesat dhe zhvillimin e ardhshëm të vendeve të ndryshme dhe forcon bashkëpunimin me përfitime të përbashkëta, për të promovuar lulëzimin e përbashkët, tha presidenti Xi Jinping.

Ai vlerësoi se Samiti Kinë-Azi Qendrore ka rëndësi shumë të madhe dhe do të nxitë hyrjen në një etapë të re të bashkëpunimit dypalësh. Kina dëshiron të punojë së bashku me vendet e Azisë Qendrore, duke përfshirë Kazakistanin, për ta nxitur mekanizmin Kinë-Azi Qendrore të bëhet një platformë e rëndësishme e thellimit të bashkëpunimit dypalësh.

Nga ana e tij, presidenti Tokayev u shpreh se Kazakistani dëshiron të punojë me palën kineze për të forcuar më tej marrëdhëniet e partneritetit të gjithanshëm strategjik ndërmjet dy vendeve duke zgjeruar bashkëpunimin, për të hedhur themele të forta për "tre dekadat e arta" të ardhshme të marrëdhënieve dypalëshe.

Ai vlerësoi se “Një brez, një rrugë” është një nismë e madhe dhe Kazakistani do të vazhdojë të marrë pjesë në të.

Pas bisedimeve, të dy liderët nënshkruan një deklaratë të përbashkët dhe dëshmuan nënshkrimin e një sërë dokumentesh bashkëpunimi Kinë-Kazakistan në fushën ekonomiko-tregtare, të energjetikës, transportit, bujqësisë, ndërlidhjes, kulturës e shkëmbimeve njerëzore. (Fani)