Zgjedhjet vendore 2023, fushata dhe pritshmëritë
2023-05-12 16:00:09

Të dielën, më 14 maj shqiptarët do të votojnë për të zgjedhur 61 kryetarë bashkish dhe 3222 anëtarë të këshillave bashkiake. Në garë janë 145 kandidatë për kryetarë bashkish dhe 23,646 kandidatë për këshilltarë. Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në këto zgjedhje garojnë 40 subjekte politike. Votimi do të nisë në orën 07.00 të mëngjesit dhe do të mbyllet në orën 19.00 të 14 majit, për t’i lënë vendin rezultateve zgjedhore, që do të shpallen nga KQZ.

Analisti Aleksandër Çipa në intervistë për CMG

Analisti Aleksandër Çipa në intervistë për CMG

Rreth zgjedhjeve vendore, fushatës së zhvilluar nga subjektet politike, pritshmërive dhe pasqyrimit të tyre në media flet në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës, analisti Aleksandër Çipa

Zgjedhjet vendore 2023, fushata dhe pritshmëritë

Rreth 140 kandidatë të subjekteve politike si, Partia Demokratike; Partia Socialiste; Partia Lëvizja Bashkë; Partia Minoriteti Etnik Grek për të Ardhmen; Partia e Fronit të Majtë; Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet; si dhe koalicionit “Bashkë Fitojmë” do të synojnë të marrin drejtimin e bashkive në gjithë vendin. Deri më 12 maj partitë politike  kanë prezantuar programet e tyre, e shtuna është heshtje zgjedhore dhe të dielën qytetarët i drejtohen kutive për të votuar.

Fushata “de fakto” ka nisur prej kohësh dhe partitë kanë zhvilluar aktivitete promovuese të kandidatëve në bashki të ndryshme prej muajsh. Gara për 14 majin do të jetë kryesisht mes Partisë Socialiste të Edi Ramës dhe Koalicionit “Bashkë fitojmë” të Sali Berishës dhe Ilir Metës, të cilët kanë kandidatët e tyre në çdo bashki. Sakaq, Partia Demokratike zyrtare e drejtuar nga kryetari i komanduar, Enkelejd Alibeaj, gjithashtu do të jetë në garë, por vetëm në disa bashki.

Në 44 bashki do të garojnë nga dy kandidatë, në 14 bashki do të jenë nga 3 kandidatë, ndërsa në Sarandë do të jenë 4 kandidatë.

Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës analisti Aleksandër Çipa  skanon situatën parazgjedhore, fushatën zgjedhore dhe pritshmëritë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (Foto KQZ)

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (Foto KQZ)

CMG: Zgjedhjet vendore 2023, cila është risia e tyre?

Aleksandër Çipa: Po, sepse është hera e parë pas një ndërprerje gati dyvjeçare të pjesmarrjes në institucionet politike të opozitës së vendit dhe kjo rikthen normalitetin në një konkurrim për zgjedhjet vendore në Shqipëri. Kjo do të thotë se në 61 bashkitë e vendit ka jo vetëm një konkurrim bilateral midis pozitës dhe opozitës, por ndryshe nga turet e mëparëshme zgjedhore tashmë kemi jo pak raste me më shumë se dy kandidatë. Kjo dëshmon se potencialisht pluraliteti i konkurrimit është evident.

Një risi tjetër ka të bëjë me faktin që partia në qeverisje, Partia Socialiste ka kthyer ripërsëritjen e mandateve për kryetarë bashkish, të cilët kanë konsumuar 2 apo 3 mandate. Janë 20 kandidatë dhe ky numër është i konsiderueshëm. Në të njejtën kohë kemi dhe mosthyerjen e tabusë sepse janë rreth 20 prej kryetarëve të bashkive që konkurrojnë për herë të tretë por edhe më tepër.

Një risi tjetër ka të bëjë me parashikimin e analistëve dhe komentuesve të fushatës zgjedhore që pritet të rikthehet një lloj konkurrence pluraliteti në këshillat bashkiakë në nivel vendi. Kjo e bën më të përgjegjshëm dhe më të kontrolluar pushtetin e kryebashkiakëve të vendit. Nuk përjashtohen nga kjo pjesmarrje ka në konkurrim dhe përfaqësues të pakicave kombëtare që jetojnë në Shqipëri, siç është minoriteti grek dhe një pakicë maqedonase në zonën juglindore të vendit, nël qarkun e Korçës.

CMG: Tashmë fushata zgjedhore ka përfunduar. Sipas jush si është zhvilluar kjo fushatë? Disa karakteristika të saj

Aleksandër Çipa: Kjo është një fushatë që ka legjitimuar si pjesmarrje atë që quhet fraksionimi real i opozitës së vendit. Partia Demokratike, forca kryesore politike nuk është më në potencialin e bashkuar të saj, por partia zyrtare përfaqësohet nga një kapacitet nga më të ultit historik të konkurrimit sepse nuk ia doli që të kishte kandidatët e vet në 61 njësitë administrative të konkurrimit elektoral. Në të njejtën kohë që grupimi, i cili udhëhiqet prej ish kryetarit të saj Sali Berisha dhe që është tashmë pjesë e Koalicionit “Bashkë Fitojmë” me “Partinë e Lirisë” të zotit Meta, ish president i vendit, pretendon të garantojë kapacitetin kryesor të opozitarizmit, qoftë për rezultatin e pritshëm, qoftë dhe për mënyrën se si e zhvillon fushatën zgjedhore.

Ky është një moment i anormalitetit, por që sipas perspektivës tashmë do të kemi të bëjmë edhe me një shfaqje të një spektri të ri të përfaqësimit partiak pas periudhës së 14 majit në vend. Dilemat e opozitarizmit ende mbeten në fuqi për shkak të raporteve të  brendshme dhe krizës së pazgjidhur në nivelin e Partisë Demokratike, por edhe në nivelet e kapaciteteve përfaqësuese tek opozitarizmi dhe si koalicion partish.

Elementi i dytë ka të bëjë me faktin që Partia Socialiste duke qenë në mandatin e tretë të qeverisjes, sipas të gjitha gjasave do të pretendojë dhe do të marrë shumicën e bashkive të vendit në këtë proces.

Gjithësesi risia shënohet tek ajo që tashmë është e perceptueshme dhe e analizueshme se opozita do të arrijë të marrë një numër të konsiderueshëm bashkish, pa kapërcyer shumicën socialiste në qeverisje.

CMG: Duket që ka interesim të qytetarëve në zona të ndryshme të vendit për këto zgjedhje. Sipas jush është thjesht besimi i qytetarëve te kandidatët e propozuar nga subjektet politike, apo dëshira e qytetarëve për të rregulluar jetën e tyre?

Aleksandër Çipa: Unë e konsideroj si një arsye që lidhet me interesimin e qytetarëve për shkak të një krize më shumë psikologjike dhe sociale që përjeton shoqëria. Për këtë pikëpamje rikthimi i opozitës në konkurrimin elektoral pritet të rritë edhe përfshirjen e qytetarëve, të cilët në 2019 apo në 2020 nuk morën pjesë në proceset zgjedhore. Sipas të gjitha gjasave në procesin e 14 majit do të kemi një pjesëmarrje më të konsiderueshme, por të pakrahasueshme me atë të dy proceseve zgjedhore të zhvilluara më parë.

CMG: Kemi ndjekur dhe interesimin e ndërkombëtarëve për zgjedhjet vendore të 14 majit, ndërkohë që KQZ duket se ka bërë përpjekje për një proces zgjedhor më të shpejtë dhe më transparent. Bëhet fjalë për disa projekte pilot në disa bashki ku numërimi i votave të kryhet brenda disa orësh dhe të dalin dhe rezultatet e votimit.

Aleksandër Çipa: Mendoj që administrata zgjedhore në Shqipëri tashmë ka krijuar një profil dhe përvojë profesionale të konsiderueshme. Konsulenca që vjen kryesisht nga Bashkimi Evropian dhe vende të tjera të partneritetit, por në mënyrë të veçantë nga organizata që kanë një përvojë në monitorimin zgjedhor dhe parazgjedhor siç është OSBE dhe ODHIR janë prezente dhe kanë shtuar prezencën në të gjithë hapërisën e procesit zgjedhor. Gjithashtu ofrohet një konsulencë lidhur me trajnimin dhe kryesisht me përdorimin e risive në procesin e numërimit elektronik të pritshëm për zgjedhjet e 14 majit.

Administrata e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka penalizuar disa prej kryebashkiakëve të vendit për mosrespektimin e rregullave parazgjedhore dhe kryesisht të ligjit zgjedhor që ndalon buxhetimin e veprimtarive, të cilat mund të shkaktojnë impakt elektoral. Kjo mendoj është një risi sepse imponon një sjellje më korrekte ndaj ligjit dhe procedurave zgjedhore.

Procesi i votimit (Foto Ministria e Brendëshme)

Procesi i votimit (Foto Ministria e Brendëshme)

CMG: Si është prezantuar nga mediat shqiptare  kjo fushatë zgjedhore ?

Aleksandër Çipa: Në përgjithësi nga të dhënat zyrtare të entit të vetëm rregullator AMA, por dhe nga monitorimet që bëjnë organizata dhe institucione të monitorimit të medias rezulton se ka patur një raportim korrekt, një pasqyrim të balancuar, E vetmja gjë për t’u shënuar është mungesa e debatit midis kandidatëve antagonistë në këtë proces dhe sjellja e protagonizmit të tyre në mediumet tona.  Për këtë gjë nuk ka përgjegjësi media, por është një vendim politik i partive, kryesisht i Partisë Socialiste që e ka shmangur këtë. Për rrjedhojë mediat, janë të imponuara të pasqyrojnë dhe të raportojnë kryesisht për itineraret ditore të udhëheqësve të lartë të partive dhe subjekteve kryesore politike.

Do të thoja se ka një sjellje diskriminuese ndaj udhëheqësve të partive të vogla dhe raportimit të veprimtarive të tyre dhe ky është i vetmi element i disbalancuar në raportim. Deri tani pjesa më e madhe e mediave audiovizive të vendit kanë refuzuar përdorimin e kasetave të gatshme, duke u krijuar mundësi dhe kandidatët e opozitës kanë arritur të thyejnë tabunë e 3 apo 4 zgjedhjeve të fundit për materialet e servirura nga subjektet politike. Ndërsa tani është krijuar mundësia që mediat dhe reporterët të raportojnë vetjakisht dhe të ndjekin kalendaret ditore të kandidatëve.

Mbetet në mënyrë kritike mosraportimi i projekteve të servirura, mundësia reale e realizimit të tyre dhe projeksioni i efektit financiar që shkaktojnë këto projekte që më së shumti duket sikur janë pjesë e një propagande se sa të mirëstrukturuara për t’u zbatuar në realitetin e bashkive. Ajo që konstatojnë mediat me të drejtë ka të bëjë me faktin që në agjendën e komunikimit dhe ligjërimit mes kandidatëve dhe komuniteteve lokale janë përjashtuar dy problematika kruciale me të cilat përballet shoqëria: e para tendenca për emigrim e forcës aktive për punë e rinisë dhe e dyta për mënyrën se si i premtojnë hapjet e vendeve të punës dhe se si do ta trajtojnë në përgjithësi tregun e punës në nivele lokale. Këto dy aspekte pothuajse nuk janë ndriçuar plotësisht drejt dhe me realizëm nga kandidatët dhe nga disa bashki kryesore të vendit.

Intervistoi Eda Merepeza