Kina, ndërmjetësuese për paqen dhe stabilitetin global
2023-05-05 09:55:51

Nisja e vitit 2023 e ka shfaqur Kinën në arenën ndërkombëtare si një ndërmjetësuese e situatave të konfliktit, mosmarrëveshjeve mes vendeve, jo vetëm në rajonin aziatik, por dhe më gjerë. Termi “diplomacia e kreut të shtetit”, që njihet dhe si Xidiplomacia po zhvillohet permes rolit të Kinës si ndërmjetësues me synim paqen dhe stabilitetin. Spotet e kësaj diplomacie janë rivendosja e marrëdhënieve diplomatike midis Arabisë Saudite dhe Iranit, biseda telefonike midis presidentit kinez Xi dhe homologut ukrainas Zelensky për dialogun mes palëve në konfliktin Rusi-Ukrainë, nisma e Kinës për ndërmjetësimin e konfliktit Izrael-Palestinë si dhe evakuimi me sukses i qytetarëve kinezë nga konflikti i armatosur në Sudan.

Kryeredaktorja e portalit online “Argumentum” Marjana Doda komenton këto tema në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës

CMG: Ky vit ka evidentuar në arenën ndërkombëtare rolin e Kinës si ndërmjetësuese për paqen dhe stabilitetin global. Ndërmjetësimi i Kinës për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Arabisë Saudite dhe Iranit, por dhe biseda telefonike midis presidentit kinez Xi dhe homologut ukrainas Zelensky janë një tregues për këtë. Komenti juaj

Marjana Doda: Një vend i madh  dhe i fuqishëm si Kina nuk mund të mos kishte zërin e tij për problemet që janë në agjendën botërore. Aq më tepër duke ditur rolin dhe peshën e madhe politike, ekonomike dhe ushtarake të Kinës, anëtare e Përhershme e KS të OKB-së.

Fakt është rivendosja e marrëdhënieve diplomatike Iran-Arabi Saudite, ku ne do ta shohim rëndësinë tyre edhe me vonë në marrëdhënie me Izraelin.

Ka një kohezion në agjendën e politikës së jashtme të Kinës duke parë konfliktin Rusi-Ukrainë ku dy muaj më parë, Kina doli me qëndrimin politik për një paqe të mundshme në Ukrainë dhe me pas vijoi me vizitën zyrtare në Moskë të Presidentit Xi Jinping për të parashtruar ndër të tjera qëndrimin e  tyre politik përballë këtij konflikti.

Pas kësaj pati një lloj hezitimi nëse do të bëhej i mundur komunikimi midis presidentit kinez dhe atij ukrainas  dhe ndonëse kjo bisedë u zhvillua dhe vjen me propozime të prekshme se si Kina mund të ndihmojë duke ndërmjetësuar  paqen mes dy vendeve, pritshmëritë janë shumë të shpejta sa u përket rezultateve.

Në këtë kontekst duhet të themi se Kina është e kujdesshme dhe ka bërë hapa konkretë. Është pozitiv fakti që Presidenti kinez do të caktojë një emisar të posaçëm në Kiev për të biseduar në hollësi mbi planin kinez të paqes. Mesazh i shumëpritur  dhe në kohën e duhur, që i shton besueshmërinë realpolitike propozimit kinez.

CMG: Duket dhe mënyra se si Kina ka vepruar, duke studiuar së pari me qetësi situatën, duke bërë vazhdimisht thirrje për ulje në tryezën e bisedimeve, për qetësi dhe për të pranuar mendimet e palëve. Situatat në konflikt janë shumë të ndjeshme sa i përket opinionit publik, i cili dëshiron një paqe të menjëherëshme, ndoshta nesër. Këtë e dëshirojmë të gjithë, por diplomacia ka kursin e saj. Nëse ndalemi në fakte konkrete : Në shkurt  Pekini zyrtar nisi Iniciativën e tij të Sigurisë Globale, me qëllim “zgjidhjen paqësore të dallimeve dhe mosmarrëveshjeve midis vendeve përmes dialogut dhe konsultimit”. Në prill, ministri i ri i jashtëm i Kinës, Qin Gang, tha se Pekini ishte gati të ndërmjetësonte bisedimet e paqes midis Izraelit dhe Palestinës. Ai u tha homologëve izraelitë dhe palestinezë, Eli Cohen dhe Riyad Al-Maliki se vendi i tij ishte i gatshëm të ndihmonte në ndërmjetësimin e bisedimeve të paqes. E shihni me optimizëm këtë ide?

Marjana Doda: Konflikti i përgjakshëm gati shekullor Izrael-Palestinë është padiskutim një dështim i komunitetit ndërkombëtar ndër dekada.

Sa i përket gatishmërisë së Pekinit për ndërmjetësim mendoj se ky ndërmjetësim do të kishte sukses, madje besoj se hapin e parë që do të ndihmonte në mënyrë të  tërthortë në bisedimet Izrael- Palestinë tashmë Kina e ka bërë.

Them këtë duke patur parasysh ndërmjetësimin e sukseshëm për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike Iran-Arabi Saudite, që nuk ishte i lehtë duke patur parasysh gjeopolitikën në Lindjen e Mesme. Kina e ka demonstruar gatishmërinë, vullnetin dhe qëndrueshmërinë e saj përballë zgjidhjes së këtij konflikti. Tashmë bota arabe së pari duhet të unifikohet dhe më pas ka ardhur momenti që të gjejnë një rrugë të ndërmjetme në marrëdhënie me Izraelin. Ndërmjetësimi për rivendondosjen e marrëdhënieve diplomatike Iran-Arabi Saudite ka shërbyer dhe do të shërbejë edhe më vonë edhe për Izraelin, për faktin se sikundër u tha gjatë bisedës telefonike të të dy ministrave të jashtëm Kinë-Izrael, ky i fundit pret shumë nga Kina që bëhet “kumbarë” i marrëdhënieve tashmë të reja.

Izraeli i ka sytë nga Kina por se sa do të ketë sukses mendoj se është e rëmdësishme që po flasim për një agjendë paqeje.

Flitet për një koncept të ri në zhvillimet globale sepse gjithmonë ka patur tentative paqeje, por kanë qenë tentative armëpushimi, që zbusin për momentin marrëdhë niet e tensionuara midis dy vendeve. Ndër dekada ka qenë e pamundur të kemi një marrëveshje ndërmjetësimi thelbësor që vendos menjëherë pqen midis këtyre dy vendeve. Besoj që kjo është e mundur.

CMG: Ushtria kineze ka përfunduar misionin e evakuimit të kinezëve nga Sudani, tha një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare.Deri tani, më shumë se 1 100 shtetas kinezë janë evakuuar të sigurt nga Sudani. A lidhet kjo me  konceptin e një bashkësie me një të ardhme të përbashkët të njerëzimit, të shpallur nga Kina, e cila  ka ofruar ndihmë aktive për evakuimin e sigurt të shtetasve të huaj.

Marjana Doda: Ky është një nga ato raste që është shpërfaqur dhe Kina e ka demonstruar tashmë të gjithë gatishmërinë e saj për të ndihmuar jo vetëm qytetarët kinezë që ndodheshin në Sudan, por dhe vullnetin e mire për të ndihmuar të gjithë ata që kanë nevojë apo shtete që kanë kërkuar asistencën e saj.

Në momente kyçe shikohet gatishmëria e shtetit për të qenë në krah të njerëzve. Mendoj që Kina e ka realizuar më së miri këtë gjë dhe është një shembull që duhet ndjekur dhe nga vendet e tjera.

 CMG: Që në fillim të këtij viti pritshmëritë e diplomacisë kineze për vitin 2023 u ravijëzuan në linjën se diplomacia e kreut të shtetit do të arrijë një kulm të ri në këtë vit. Si ka reaguar diplomacia ndërkombëtare dhe mediat ndaj këtij aktivizimi të diplomacisë kineze ?

Marjana Doda: Së pari duhet thënë se në shekullin 21 duhet të zgjidhen konfliktet me dialog dhe bisedime. Demonstrimi i fuqisë ushtarake, i armëve më moderne janë një koncept I vjetëruar dhe duhet të mbeten pas nesh.

Iniciativa Globale e Sigurisë përfaqëson pikërisht përgjigjen e Pekinit ndaj luftës së Rusisë me Ukrainën. Xi deklaroi se siguria ishte një parakusht për zhvillim dhe se kombet duhet të respektojnë shqetësimet legjitime të sigurisë të të gjitha kombeve.  Kjo inicitiativë duhet përshëndetur dhe të çohet përpara me mekanizmat e saj të politikës dhe diplomacisë.

Çdo vizion, çdo reformë dhe çdo koncept i ri ka pritshmëri, por shikohet dhe në mënyrë skeptike. Por mendoj se për shkak të situatave gjeopolitike në botë Kina e ka mundësinë për të demonstruar që realisht iniciativën e saj por dhe vullnetin e mire për t’I zgjidhur këto konflikte. Përmendëm rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike Iran- Arabi saudite, por po shohim hapa konkretë dhe në zgjidhjen e konfliktit Rusi-Ukrainë. Unë dua të citoj një fjali nga fjalimi i Xi Jiping ndërsa lancoi  Iniciativën Globale të Sigurisë ku thotë; “Paqja dhe siguria janë si dielli dhe shiu; ato merren si të mirëqenë, por askush nuk mund të jetojë pa to”.

Ndaj së bashku në unitet mund të garantojmë paqen e sigurinë e vendeve tona.

Intervistoi Eda Merepeza