Sejko: Pritet rënie e inflacionit në gjysmën e parë të vitit 2024
2023-05-05 11:37:24

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, deklaroi se ekonomia shqiptare shënoi rritje që pritet të vijojë në afatin e mesëm e të gjatë, ndërsa inflacioni do të shënojë rënie graduale dhe do të kthehet në objektiv në gjysmën e parë të vitit 2024.

Në një konferencë për shtyp, guvernatori Sejko tha se ka një kërkesë e lartë për mallra dhe shërbime, ndërsa vitin e kaluar kishte një rritje ekonomike që u pasqyrua edhe në sektorin e ndërtimit, citon “ATSH”.

“Rritja e ekonomike është ushqyer nga rritja e konsumit familjar, ndërsa pritet vijim i këtyre trendëve edhe gjatë tremujorit të parë të këtij viti. Edhe pse nën efektin e goditjes, prodhimi i brendshëm bruto shënoi një rritje vjetore prej 4.7% në tremujorin e katërt të vitit 2022 dhe prej 4.8% gjatë gjithë vitit. Kjo rritje pasqyroi zgjerimin e vazhdueshëm të aktivitetit në sektorët e ndërtimit, të industrisë dhe të shërbimeve, sektorë të cilët përfituan nga rritja e shpejtë dhe e vazhdueshme e të ardhurave nga turizmi”,- tha Sejko.

Sipas tij, rritja e shpejtë e punësimit dhe e pagave japin sinjale inkurajuese për qëndrueshmërinë e rritjes ekonomike në të ardhmen, por ato krijojnë gjithashtu një mjedis të favorshëm për rritjen e presioneve të brendshme inflacioniste.

Guvernatori informoi se, në përgjigje të inflacionit të lartë, Banka e Shqipërisë ka reduktuar gradualisht intensitetin e stimulit monetar, duke lëvizur drejt normalizimit të qëndrimit të politikës monetare. Prej fillimit të vitit të shkuar, norma bazë e interesit është rritur nga niveli minimal 0.5% në 3% në muajin mars 2023.

Sejko deklaroi se, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 3%, të mbajë të pandryshuar normën e interesit të kredisë njëditore, në nivelin 4%, dhe të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës njëditore, në nivelin 2%. (Irma)