Kujt i shërbejnë kufizimet në një botë të globalizuar?
2023-05-05 16:30:04

Në gjysmë shekullin e fundit, bota ka përjetuar globalizimin ekonomik më të gjerë dhe më të thellë në historinë njerëzore. Të gjitha llojet e mallrave, shërbimeve, kapitalit, teknologjisë dhe personelit po kalojnë kufijtë kombëtarë dhe po shpërndahen në shkallë globale. Faktet kanë treguar se globalizimi mund të rrisë shumë mirëqenien e njerëzve në mbarë botën.

Sipas ish-ministrit të Financave të Republikës Popullore të Kinës, Lou Jiwei, ky përmirësim në mirëqenie është i përqendruar, në dy aspekte: Nga njëra anë, globalizimi u mundëson vendeve të maksimizojnë avantazhet e tyre krahasuese dhe të përmirësojnë efikasitetin e prodhimit. Në globalizimin ekonomik, njerëzit e vendeve të ndryshme dhe në faza të ndryshme të zhvillimit ekonomik mund të fokusohen në fushat në të cilat ata kanë përparësi duke maksimizuar avantazhet e tyre. Nga ana tjetër, globalizimi ka sjellë edhe përfitime “të larmishme” për njerëzit në të gjitha vendet në lidhje me zgjedhjen e mallrave dhe shërbimeve. Në një ekonomi të mbyllur, njerëzit kanë një gamë jashtëzakonisht të kufizuar të zgjedhjes në mallra dhe shërbime, qoftë për sa i përket numrit të varieteteve apo nivelit të cilësisë. Por në globalizimin ekonomik, tregtia ndërkombëtare e importit, eksportit dhe investimet rrisin në masë të madhe llojet e mallrave dhe shërbimeve nga të cilat njerëzit e të gjitha vendeve mund të zgjedhin.

Faktorë dhe aktorë që kanë tronditur themelet e globalizimit

Forca madhore e kohëve të fundit në rrjedhën e globalizimit ka qenë ndikimi i pandemisë. Që nga shpërthimi i tij, zinxhirët e furnizimit global janë ndikuar rëndë. Shumë vende kanë tërhequr zinxhirët e prodhimit për materialet thelbësore, veçanërisht ato të nevojshme për të luftuar pandeminë, në zonat e tyre përreth. Kështu faktori i sigurisë shëndetësore është dashur t'i mbivendoset globalizimit, i cili në të kaluarën drejtohej nga mekanizmat e avantazhit krahasues - kjo është e kuptueshme. Dhe më tepër, shpërthimi i konfliktit gjeopolitik dhe ushtarak  ka ndikuar më tej globalizimin. Konflikti midis Rusisë dhe Ukrainës ka vazhduar për 14 muaj dhe ende është duke u intensifikuar. Nuk do të ndalemi tek konflikti në vetvete por vetëm mbi efektet e përhapura të sanksioneve. Ndikimet më të mëdha negative janë çmimet e larta të mallrave me shumicë si nafta, gazi dhe drithërat, si dhe mungesat në ofertën e tyre, gjë që nxit më tej inflacionin global. Më tej, sanksionet kanë ristrukturuar apo edhe thyer zinxhirë të tërë industrialë dhe kjo e ka zhytur më tej ekonominë globale në recension.

CFP

CFP

Çfarë ka ndodhur është se vendet e mëdha perëndimore kanë ideologjizuar subvencionet industriale.  Liu Guozhu Profesor Universiteti Zhejiang ka shkruar se rimëkëmbja e ekonomisë botërore është e ngadaltë dhe deficiti i qeverisjes globale po rritet. Të ndikuara nga këto ndryshime në modelin botëror dhe faktorë si kriza e Ukrainës, marrëdhëniet midis fuqive të mëdha tregojnë një prirje të përshpejtuar diferencimi dhe riorganizimi. Përballë shumë pasigurive, rreziqeve dhe sfidave në botën e sotme, Kina mbështet idenë e një komuniteti me fat të përbashkët për njerëzimin dhe thekson forcimin e solidaritetit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar. Pekini propozon një sërë zgjidhjesh inovative të qeverisjes globale dhe e konsideron zhvillimin dhe progresin e vet si krijimi i mundësive të reja dhe kontributi në paqen, zhvillimin dhe qeverisjen botërore. Por, tendencat e reja në mjedisin strategjik ndërkombëtar janë në një situatë në ndryshim:

Së pari, konkurrenca për dominim në revolucionin e katërt shkencor dhe teknologjik po riformëson strukturën politike të fuqive të mëdha. Ky revolucion shkencor dhe teknologjik së pari do të sjellë ndryshime në strukturën industriale të botës, më pas në strukturën ekonomike botërore dhe balancën e fuqisë midis vendeve dhe në fund ndryshime në strukturën politike ndërkombëtare.

CFP

CFP

Revolucioni i parë shkencor dhe teknologjik, si tranzicioni global në proceset e reja të prodhimit 1760 deri në rreth 1820-1840, krijoi Perandorinë Britanike si hegjemoninë e parë globale në historinë njerëzore.

Revolucioni i Dytë Industrial, i njohur gjithashtu si Revolucioni Teknologjik,  ishte një fazë e zbulimit të shpejtë shkencor, standardizimit, prodhimit masiv dhe industrializimit nga fundi i shekullit të 19-të deri në fillim të shekullit të 20-të. Ky çoi në ngritjen e Gjermanisë dhe Shteteve të Bashkuara dhe shkaktoi ndryshime të mëdha në strukturat evropiane dhe aziatike-paqësore.

E treta ishte Revolucioni Industrial drejt elektronikës digjitale, e cila filloi në gjysmën e fundit të shekullit të 20-të, me adoptimin dhe përhapjen e kompjuterave etj. Ky forcoi avantazhin e fuqisë së fortë që Shtetet e Bashkuara kishin ndaj Bashkimit Sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë.

E katërta, e cila ka  nisur dhe është në vazhdim, përfshin fusha të tilla si inteligjenca artificiale, teknologjia e komunikimit, teknologjia e komunikimit kuantik, “Interneti i Gjërave”, integrimi dhe bashkëpunimi midis nanoinxhinierisë dhe nanoprodhimit, materialeve të reja dhe prodhimit të avancuar. Këto teknologji do të krijojnë më shumë mundësi ekonomike dhe do të nxisin rritje të shpejtë ekonomike në vendet që i zotërojnë ato. Në fushën e sigurisë kombëtare, këto teknologji do të përmbysin mënyrat tradicionale të zhvillimit të luftërave, si dhe mekanizmat e vendimmarrjes në “fushën e betejës” së të ardhmes.

Ndryshe nga tre revolucionet e mëparshme shkencore dhe teknologjike, të cilat të gjitha filluan në vendet evropiane dhe amerikane, revolucioni i katërt shkencor dhe teknologjik po shpaloset pothuajse njëkohësisht edhe në Azi. Megjithëse Shtetet e Bashkuara ende ruajnë një pozicion udhëheqës në shumë  fusha, Kina është gjithashtu në pozicion shumë avantazhues në fusha teknologjike si inteligjenca artificiale, të dhënat e mëdha, komunikimi kuantik dhe komunikimi celular.

CFP

CFP

Momenti i zhvillimit të Kinës në revolucionin e katërt do të ketë padyshim një ndikim të rëndësishëm në strukturat e ardhshme industriale dhe ekonomike, si dhe në strukturën politike të fuqive të mëdha në botë.

Nga një treg global i lirë, në investime me kushte

Një nga fokuset e kaluara të “Dialogut Ekonomik Strategjik Kino-Amerikan” ishte se pala amerikane gjithmonë kritikonte Kinën për subvencionet e saj industriale, duke thënë se ato shtrembëronin tregun. Nga ana tjetër, ato miratonin hapur ligje për subvencionet e tyre  industriale. Akti i CHIPS dhe Shkencës madje përcakton që kompanitë amerikane që marrin subvencione nuk mund të zgjerojnë investimet e tyre në Kinë.

CFP

CFP

Ditët e fundit, sipas medias amerikane, ShBA-të do të vendosin kufizime mbi investimet amerikane në Kinë, për të frenuar “rritje teknologjiko-ushtarake” të Kinës. Kjo do të godasë rëndë ekonominë botërore që është përkeqësuar më tej para sfidave aktuale. Globalizimi ekonomik, i cili ka sjellë përfitime të mëdha për njerëzit në mbarë botën po frenohet. Presidenti Biden synon të nënshkruajë një urdhër ekzekutiv që do të kufizojë investimet kryesore nga bizneset amerikane në pjesë të ekonomisë së Kinës, sipas njerëzve të njohur me diskutimet e brendshme. Sekretarja e Thesarit, Janet Yellen tha se administrata e Biden ishte e përgatitur të pranonte kostot ekonomike ndërsa kërkonte të mbronte interesat e sigurisë kombëtare të ShBA-ve nga kërcënimet e paraqitura nga Kina.

Sipas revistës amerikane Forbes, në vend të një procesi i cili kontrollon investime të caktuara të huaja në ShBA rast pas rasti, Administrata Biden ka më shumë gjasa të vendosë ndalime më të gjera në nivel industrie për investimet amerikane që po shkojnë në Kinë.

Ministria Kineze e Tregtisë i është përgjigjur raporteve të fundit të mediave se administrata Biden planifikon të ndalojë investimet në disa kompani kineze të teknologjisë dhe të rrisë kontrollin e tyre. Shu Jueting, Zëdhënëse e Ministrisë Kineze të Tregtisë është shprehur se kur qeveria e një vendi ndërhyn në vendimet normale të biznesit përmes qasjeve administrative do të thyejnë rregullat e tregut dhe rendin e tregtisë ndërkombëtare dhe do të dëmtojnë interesat e ndërmarrjeve dhe investitorëve. Pekini po i kërkon ShBA-së të heqë ndalimin e investimeve për dhjetëra kompani kineze. Për Kinën, ShBA-ja po shkel rregullat e tregut duke dëmtuar jo vetëm të drejtat dhe interesat legjitime të kompanive kineze, por edhe interesat e investitorëve globalë, përfshirë investitorët amerikanë.

CFP

CFP

Sipas medias amerikane Politico, edhe brenda administratës Biden ka pasur ndarje për nivelin e agresivitetit në kufizimin e angazhimit ekonomik me Kinën. Por zyrtarët tani duket se janë afër një marrëveshjeje për një përpjekje kyçe për të kufizuar ngritjen teknologjike dhe ushtarake të Pekinit. “Është e rëndësishme që ShBA të jetë e qartë [që] ne nuk kërkojmë të shkëputemi nga Kina ose të kufizojmë rritjen e Kinës në asnjë mënyrë,” tha Jay Shambaugh, nënsekretari i Thesarit.

Profesor Jeffrey Sachs, një intelektual i shquar amerikan është shprehur se ShBA-të, e shohin strategjinë e tyre si dominim (preminca). Ai i referohet edhe një ish-ambasadori amerikan, Robert Blackwell, i cili është shprehur se vendi i tij ka ndjekur vazhdimisht një strategji të madhe të fokusuar në marrjen dhe ruajtjen e pushtetit kryesor mbi rivalët e ndryshëm. Së pari në kontinentin e Amerikës së Veriut, më pas në hemisferën perëndimore dhe më në fund, globalisht. Në këtë linjë, që në vitin 2015 Blackwell është shprehur qartësisht se “ngritja e Kinës është një kërcënim për epërsinë e ShBA-ve”. Blackwell vazhdon duke thënë se Shtetet e Bashkuara duhet të krijojnë kuota, marrëveshje të reja tregtare preferenciale mes nesh miqve dhe aleatëve për të rritur përfitimet e tyre të ndërsjella përmes instrumenteve që përjashtojnë me vetëdije Kinën. Duhet të ketë një “Regjim të Kontrollit të Teknologjisë” për të bllokuar aftësitë strategjike të Kinës, një ngritje të kuotave, fuqisë, kapaciteteve politike të ne miqve dhe aleatëve në periferi të Kinës dhe të forcojë forcat ushtarake përgjatë kufirit aziatik dhe pavarësisht çdo kundërshtimi kinez.

Së fundmi, nëse globalizimi modern ekonomik do të ishte një lojë, duhet pranuar që rregullat e lojës, nisjen dhe vazhdimin e saj i ka krijuar perëndimi me në qendër sistemin global financiar të nisur me “Konsensusin e Uashingtonit” në vitet ’80. Këto ishin politika për reforma të mbështetura nga FMN-ja dhe Banka Botërore, dhe shtynin e promovonin tregun e lirë si liberalizimi i tregtisë, privatizimi dhe liberalizimi i financave.

Kina u fut në tregun e madh botëror më rregulla të lojës të krijuara, dhe të mbajtura nga perëndimi. Dhe me ato rregulla loje, ka fituar pastër ndër dekada. Tashmë që duket sikur po i mund në lojën e krijuar prej tyre, atëherë fillojnë ndryshimet e rregullave të lojës...

Dr. Marsela Musabelliu