Ulen çmimet e roaming-ut mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor
2023-05-05 10:36:07

Tridhjetë e tetë operatorë të BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor kanë rënë dakord që të zvogëlojnë dallimin ndërmjet çmimeve për shërbimet e telefonisë celulare për qytetarët dhe bizneset.

Për këtë marrëveshje u arrit pajtim në samitin mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, i mbajtur në dhjetor 2022, në Tiranë, përcjell “RTSH”.
Nëpërmjet marrëveshjes, operatorët u angazhuan për të reduktuar ndjeshëm hendekun midis tarifave të roaming-ut dhe tarifave të brendshme për përdorimin e të dhënave për qytetarët që udhëtojnë ndërmjet BE-së dhe rajonit.

Nivelet maksimale të çmimeve të shitjes me pakicë (kufijtë e çmimeve) për 1 gigabajt do të ulen nga tetori 2023 në 2028 si më poshtë: 18 euro nga 1 tetori 2023, 14 euro nga 2026 dhe 9 euro nga 2028.

“Rishikimet vjetore janë parashikuar për të vlerësuar ndikimet dhe më pas marrja e hapave. Operatorët aktualisht po punojnë për krijimin e produkteve me çmime më të ulëta se ato për të cilat u arrit marrëveshja, që do të jenë në dispozicion për blerje nga numri më i madh i mundshëm i konsumatorëve”,- thuhet në njoftimin e KE-së.

Komisioni Europian ka ftuar edhe operatorët e tjerë telefonikë nga BE-ja dhe rajoni për t’iu bashkuar iniciativës.

Ndërkohë, prej 1 korrikut 2021, rajoni i Ballkanit Perëndimor është zonë ku nuk aplikohen tarifat e roaming-ut. (Irma)