Ukraina pret 42 miliardë dollarë ndihmë ndërkombëtare këtë vit
2023-04-30 10:45:45

Kryetari i Bankës Kombëtare të Ukrainës (NBU), Andriy Pyshnyy, deklaroi se Ukraina pret të marrë 42 miliardë dollarë në ndihmë ndërkombëtare këtë vit, njoftoi agjencia e lajmeve “Ukrinform” e drejtuar nga qeveria.

“Fondet nga partnerët, në veçanti, do të kontribuojnë në rritjen e rezervave ndërkombëtare në më shumë se 35 miliardë dollarë në fund të këtij viti”,- tha Pyshnyy në një konferencë për media, përcjell “Xinhua”.

Ndër rreziqet kryesore për ekonominë e Ukrainës në vitin 2023, Pyshnyy renditi kohëzgjatjen dhe intensitetin e konfliktit Rusi-Ukrainë. Konflikti prodhon ngarkesa shtesë për ekonominë, si rritja e nevojave buxhetore, ndërprerjet në funksionimin e korridorit të grurit dhe shkatërrimi i mëtejshëm i infrastrukturës energjetike, tha ai.

Në të njëjtën kohë, ai theksoi se zbatimi i shpejtë i programit të rindërtimit në Ukrainë dhe reformat e integrimit evropian do të ndihmojnë në përshpejtimin e ritmit të rritjes ekonomike.

Vitin e kaluar, Ukraina mori një mbështetje rekord prej 32.1 miliardë dollarësh nga partnerët e saj të huaj. (Irma)