Kina do të sigurohet që karakteret e rralla të mbijetojnë në epokën digjitale
2023-04-28 11:00:31

foto nga CFP

foto nga CFP

Të dielën, Instituti i Standardizimit të Elektronikës në Kinë nën Ministrinë e Industrisë dhe Teknologjisë së Informacionit, kompania shumëkombëshe e teknologjisë “Tencent” dhe të tjerë, njoftuan nisma  për të kërkuar karaktere të rralla dhe për të promovuar njohjen e tyre në industri.

"Qeveria dhe shërbimet publike në Kinë po përshpejtojnë transformimin digjital dhe po lëvizin operacionet në internet. Megjithatë, për shkak të mbështetjes së pamjaftueshme teknike, emrat e shumë njerëzve dhe emrat e vendeve nuk mund të futen",- tha Sun Wenlong, nënkryetar i Institutit të Standardizimit të Elektronikës në Kinë.

“Kjo ka shkaktuar probleme në shumë transaksione, si hapja e llogarive bankare dhe blerja e biletave të transportit”,- shtoi Sun.

Instituti ka ftuar publikun të fotografojë karaktere të pazakonta dhe t'i dorëzojë fotot nëpërmjet një mini programi të ngulitur në “WeChat”, një aplikacion i njohur i mesazheve i operuar nga “Tencent”. Nëse kalojnë vlerësimin e ekspertëve, ato do të shtohen në grupin zyrtar të karaktereve të koduara të Kinës, të njohur si GB18030.

Që nga fillimi i tij më 20 prill, programi ka marrë më shumë se 1400 karaktere të rralla, tha Zeng Yu, nënkryetar i “Tencent”. Karakteri me më shumë paraqitje deri tani është "biang", si në "biang biang noodles" një pjatë e njohur nga provinca veriperëndimore e Shaanxi.

Gjithashtu të dielën, tastiera “Sogou” e “Tencent” lançoi një zgjidhje industriale për t'i bërë karakteret e rralla më të aksesueshme në shërbimet publike si financat, transporti, arsimi dhe kujdesi shëndetësor.

Versioni i fundit i GB18030 ka më shumë se 80,000 karaktere kineze. Megjithatë, shumica e kompjuterëve mbështesin vetëm hyrjen dhe shfaqjen e rreth 30,000 karaktereve të përdorura zakonisht.

foto nga CFP

Certifikata familiare dhe letërnjoftimi në Kinë/ foto nga CFP

Probleme me emërtimin

Rreth 60 milionë njerëz në Kinë kanë emra që përmbajnë karaktere të rralla, thanë ekspertët, dhe një numër i konsiderueshëm i emrave të vendeve dhe teksteve të lashta kanë vështirësi të digjitalizohen për shkak të karaktereve të panjohura.

Në fillim të këtij muaji, një fshat në provincën Yunnan u bë i njohur pasi një mbiemër lokal "Nia", që do të thotë "zog fluturues", nuk mund të shtypej në kompjuter, duke detyruar shumë fshatarë me këtë emër ta ndryshojnë atë në një karakter të ngjashëm, që do të thotë "rosë", gjatë regjistrimit për kartat e identitetit.

Lin Sumiao, një avokate me bazë në Pekin, tha se karakteri i rrallë "su" në emrin e saj tregohej vazhdimisht me pikëpyetje në kartat e pranimit të provimeve kur ajo ishte në shkollë dhe e njëjta situatë ndodh tani kur ajo printon kartat e imbarkimit të fluturimeve.

Lin heziton të ndryshojë emrin pasi ka një rëndësi të veçantë për të.

Karakteri "su" përbëhet nga karakteret "geng" dhe "sheng", pjesa e fundit e frazës "zi li geng sheng" që do të thotë "të mbështetesh te vetja".

“Karakteri tregon dëshirën e prindërve të mi që unë të rritesha me një shpirt të pavarur”,- tha ajo.

Si shkrim ideografik, digjitalizimi i karaktereve kineze është i vështirë, pasi çdo karakter duhet të përfaqësohet nga një kod dhe një font unik, tha Huang Shanshan, drejtor i laboratorit kinez të informacionit të Institutit të Standardizimit të Elektronikës në Kinë.

Zeng nga “Tencent” tha se digjitalizimi i karaktereve të pazakonta është një projekt sistematik kompleks, i cili kërkon udhëzime nga qeveria dhe kontribute të përbashkëta nga bibliotekat e shkronjave, zhvilluesit e pajisjeve dhe softuerëve dhe sistemet operative.

Pavarësisht vështirësive, digjitalizimi duhet të vazhdojë jo vetëm për të zgjidhur problemet praktike, por edhe për të ruajtur dhe përcjellë kulturën kineze, tha Tan Jingchun, një studiues në Akademinë Kineze të Shkencave Sociale.

"Çdo karakter i rrallë është pjesë e trashëgimisë kulturore. Ato nuk do të humbasin në epokën digjitale dhe as nuk do të bëhen pengesë për shoqërinë digjitale",- tha Zeng.