Në pasditen e së mërkurës, presidenti kinez Xi Jinping zhvilloi me ftesë një bisedë telefonike me homologun e tij ukrainas Volodimir Zelenski. Të dy palët shkëmbyen mendime mbi marrëdhëniet kino-ukrainase dhe krizën e Ukrainës. Po të mërkurën, zv.drejtori i Departamentit të Çështjeve të Europës dhe Azisë Qendrore në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kinës, Yu Jun, i informoi mediat kineze dhe të huaja lidhur me këtë telefonatë, duke vënë në dukje që ajo ka dëshmuar qëndrimin e qartë e konsekuent të palës kineze mbi problemin e Ukrainës dhe ka pasqyruar drejtësinë, objektivitetin dhe përgjegjësinë e Kinës në trajtimin e çështjeve ndërkombëtare.
Foto:VCG
Z. Yu tha se biseda u zhvillua në bazë të dy sfondeve.
Së pari, sipas tij, Kina dhe Ukraina, si partnere strategjike, kanë zhvilluar në mënyrë të qëndrueshme marrëdhëniet dypalëshe në 31 vjetët e fundit, duke ruajtur kontaktet e ngushta të nivelit të lartë. Që nga viti 2019 Kina është bërë partnerja më e madhe tregtare e Ukrainës për katër vjet me radhë. Por, për shkak të pandemisë dhe krizës së Ukrainës, bashkëpunimi ndërmjet të dy vendeve pësoi ndikime. Prandaj, kjo bisedë ka treguar rëndësinë që Kina u kushton zhvillimit të marrëdhënieve me Ukrainën dhe gatishmërinë e saj për të vijuar bashkëpunimin dypalësh në fusha të ndryshme.
Së dyti, pas përshkallëzimit të gjithanshëm të konfliktit të Ukrainës, Kina, si vend i madh i përgjegjshëm dhe anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ka mbajtur një qëndrim të drejtë e objektiv, duke nxitur gjithmonë rivendosjen e paqes nëpërmjet bisedimeve dhe duke ruajtur kontaktet me palët përkatëse. Pak kohë më parë, gjatë vizitës së tij në Rusi, presidenti Xi Jinping shkëmbeu mendime në mënyrë të thellë me homologun Vladimir Putin për këtë çështje. Më vonë, Kina priti presidentin francez Macron dhe atë brazilian Lula, si edhe kryetaren e Komisionit Europian Ursula von der Leyen. Kriza ukrainase ishte një temë e rëndësishme në agjendën e këtyre vizitave. Kina ka bërë përpjekje të vazhdueshme për çeljen e negociatave dhe bashkësia ndërkombëtare shprehu dëshirën që Pekini të luante një rol të mëtejshëm për këtë çështje.
Yu Jun vuri në dukje se tani kriza e Ukrainës po shkon drejt përshkallëzimit e zgjatjes dhe ka pasur ndikime edhe përtej palëve të përfshira, gjë që ka krijuar shqetësime te shumë vende dhe ka nxitur shtimin e zërave të arsyeshëm për zbutjen e situatës së tensionuar dhe armëpushim. Mbi këtë problem, Kina gjithmonë qëndron në anën e paqes, duke promovuar zgjidhjen politike dhe duke nxitur negociatat.
Godina e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës(Foto:VCG)
Ai shtoi se, pas shkallëzimit të gjithanshëm të krizës, presidenti kinez shpalli disa propozime dhe Kina publikoi dokumentin për qëndrimin e saj mbi zgjidhjen politike të krizës, ku paraqit një propozim prej 12 pikash, si respektimi i sovranitetit të vendeve të ndryshme, mënjanimi i mendësisë së Luftës së Ftohtë, armëpushimi, ndalimi i konfliktit, rinisja e bisedimeve paqësore etj. “Përveç kësaj, Kina i kushton vëmendje të madhe situatës humanitare në Ukrainë, duke ofruar ndihmë brenda mundësive të saj. Kina është e gatshme të luajë rol konstruktiv së bashku me bashkësinë ndërkombëtare për zgjidhjen politike të krizës së Ukrainës. Jemi të bindur që, nëse të gjitha palët bëjnë përpjekje konstruktive për këtë qëllim, e ardhmja e paqes do të jetë më afër,” tha zv.drejtori i Departamentit të Çështjeve të Europës dhe Azisë Qendrore të Ministrisë së Punëve të Jashtme kineze.
Sipas konsensusit të arritur ndërmjet liderëve të të dy vendeve, Kina do të dërgojë përfaqësuesin e posaçëm të qeverisë kineze për çështjet euroaziatike Li Hui për të vizituar Ukrainën dhe vendet e tjera, për të zhvilluar komunikim të thellë me të gjitha palët mbi zgjidhjen politike të krizës ukrainase. (Zhang Yan/Artan)