22 prilli është Dita e Tokës dhe Dita e Ligjit. Shumë organizata popullore dhe të mbrojtjes së mjedisit zhvilluan atë ditë aktivitete të ndryshme për të shprehur kundërshtimin ndaj planit të qeverisë japoneze për shkarkimin në Paqësor të ujit të ndotur radioaktiv të krijuar nga cunami në centralin bërthamor në Fukushima. Në një deklaratë të Greenpeace-it, kritikohet vendimi i qeverisë japoneze se është kundër ligjeve ndërkombëtare, si Konventa mbi Ligjin e Detit të OKB-së, duke shpërfillur përgjegjësinë ndërkombëtare të Japonisë për vlerësimin e ndikimeve mjedisore të këtij veprimi.
Protesta të banorëve japonezë kundër shkarkimit të ujit të ndotur radioaktiv(Foto:VCG)
Protesta të banorëve koreanë kundër shkarkimit të ujit të ndotur radioaktiv(Foto:VCG)
Plani i shkarkimit të ujit të ndotur pati kundërshtime e dyshime të forta pasi u deklarua nga qeveria japoneze dy vjet më parë. “Ky është një vendim i marrë pa pranimin tonë”, tha peshkatari Kinzaburo Shiga nga prefektura Fukushima. Sipas tij, ky vendim jo vetëm dëmton interesat e banorëve vendorë, por edhe është i papërgjegjshëm për vendet e tjera.
Megjithatë, para kundërshtimit të komunitetit ndërkombëtar, qeveria japoneze, para publikimit të raportit të vlerësimit të Agjencisë Atomike Ndërkombëtare, nisi zbatimin e planit. Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Industrisë Yasutoshi Nishimura theksoi më 20 prill se shkarkimi zyrtar do të bëhet mes pranverës dhe verës të sivjetshme. Kompania që ka në pronësi centralin bërthamor, TEPCO, tha se kanali nëndetar për shkarkimin e ujit të ndotur do të ndërtohet para fundit të qershorit, duke sheshuar rrugën për shkarkimin zyrtar në korrik. Ndërkohë, kryetari i prefekturës Fukushima, Masao Uchibori, po ndodhet për një vizitë në Europë për të siguruar mbështetjen e vendeve anëtare të G7-s për planin e shkarkimit të ujit të ndotur.
Në përmasa globale, nuk ka pasur më parë shkarkim në det të ujit të ndotur radioaktiv. Në incidentin e ndodhur në vitin 2011 në centralin bërthamor të Fukushimës, që është një ndër më të rëndët në histori, uji i ndotur i shkaktuar përmban mbi 60 lloje elementesh radioaktive. Kompania TEPCO pohoi vjet se me teknologjinë e tanishme, nuk mund të hiqen shumë elemente radioaktive nga uji i ndotur, si tritiumi etj. Ndërsa sipas një studimi francez, tritriumi do të helmojë ADN-në dhe sistemin riprodhues të qenieve ujore. Shumë kërkime të tjera shkencore tregojnë se, po të shkarkohen në det, këto elemente radioaktive do të ndotin mjedisin oqeanik, dhe nëpërmjet grumbullimit në zinxhirin ushqimor, dëmtojnë shëndetin njerëzor dhe mjedisin ekologjik.
Centrali bërthamor i dëmtuar në Fukushima(Foto:VCG)
Tani, në centralin bërthamor të Fukushimas është rezervuar mbi 1.3 milionë tonë ujë i tillë, dhe prodhohen mbi 100 tonë të tjerë në ditë. Sipas llogaritjes, koha e shkarkimit do të zgjasë për më shumë se 30 vjet. Për trajtimin e sasisë së madhe të ujit të ndotur, ka edhe alternativa të tjera, si avullimi, shkarkimi pas trajtimit me hidrogjen apo futja në thellësitë e tokës. Por, për të kursyer para, qeveria japoneze vendosi ta shkarkojë drejtpërdrejt në Oqeanin Paqësor, duke deklaruar se është “shumë i sigurt”.
Sipas një sondazhi të publikuar më 21 prill, 93 % e drejtuesve të qyteteve, të konteve dhe të fshatrave japoneze pohuan se plani i shkarkimit do të dëmtojë reputacionin e krahinave të tyre. Edhe palët e ndryshme ndërkombëtare janë të mendimit se, pa provuar të gjitha metodat e trajtimit të sigurt, pa konsultime të plota me vendet fqinje, veprimi i qeverisë japoneze, që këmbëngul në derdhjen drejtpërdrejt të ujit të ndotur në det, po krijon rreziqe të panjohura mbi gjithë njerëzimin dhe është i papërgjegjshëm.
Sipas një komenti të Grupit Mediatik të Kinës, me rastin e Ditës së Tokës, Japonia duhet të dijë se shkarkimi i ujit të ndotur radioaktiv nuk është vetëm punë e saj, por është një çështje që ka të bëjë me interesat publike të njerëzve dhe Paqësori nuk është vend i hedhjes së mbeturinave, por burim i përbashkët jetik i shumë vendeve. Japonia duhet ta trajtojë ujin e ndotur në mënyrë të sigurt dhe të mos veprojë në mënyrë të njëanshme para marrjes së miratimit prej palëve të interesuara.