G7 dhe pazaret e pushtetit global
2023-04-22 21:09:18

Kur “G7” u krijua në vitin 1975 zyrtarisht, në qendër të saj ishte kriza e naftës dhe koordinimi i politikave ekonomike të vendeve më të industrializuara në botë, Shtetet e Bashkuara, Japonia, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Italia dhe Kanadaja. Në kohën e krijimit të G7-ës këto shtete së bashku kishin 70% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) global, dhe patjetër që impakti i tyre ishte marramendës. Afro gjysmë shekulli më pas, këto vende përbëjnë 43% të PBB-së globale. Në këtë kontekst kur nuk ka epërsi të madhe kapitale, duhet të ketë epërsi vlerash, të paktën në deklarata.

Në këtë klimë, Ministrat e Jashtëm te Grupit të të Shtatë-ve u mblodhën në qytetin turistik japonez të Karuizawa-s, dhe titulli i çdo media të këtyre 7 vendeve për të pasqyruar eventin ishte “unitet”. Por sa në unitet apo unison janë këto vende me të vërtetë?

Foto:VCG

Foto:VCG

Megjithëse takimi i Ministrave të Jashtëm të G7-ës duket se ka një shumëllojshmëri agjendash dhe një gamë të gjerë çështjesh, ai nuk mund të fshehë faktin se ndikimi i përgjithshëm i G7-ës ka rënë dhe dallimet e brendshme janë bërë gjithnjë e më të dukshme. Ndërsa diplomatët e G7-ës shpalosin unitetin në mbledhjen e tyre në qytetin japonez, përçarjet midis tyre mbeten. Të prirur për të demonstruar një front të unifikuar, ministrat theksuan nevojën për t'u përballur me çdo "shtrëngim" kinez, çdo manipulim tregu dhe çdo përpjekje për të ndryshuar status quo-në në ngushticën e Tajvanit. Sa më fort ministrat e G7-ës thërrasin "unitet" dhe sa më shumë të përpiqen të demonstrojnë solidaritetin e tyre duke vepruar unanimisht nga jashtë, aq më të thella janë divergjencat me të cilat përballen nga brenda. Si superfuqia e vetme pas Luftës së Ftohtë, SHBA-ja ka ushtruar presion ndaj aleatëve për të vepruar në përputhje me vullnetin e Uashingtonit dhe kërkon një qëndrim të unifikuar ndaj vendeve që Uashingtoni i sheh si rivalë. Kjo, pa dyshim, po sakrifikon interesat e aleatëve të saj. Me shfaqjen e më shumë lojtarëve në arenën botërore, aleatët e SHBA-ve duan më shumë autonomi për të zgjedhur një rrugë që është në interesin më të mirë të vendeve të tyre, kështu janë shfaqur divergjencat dhe lidhjet janë përkeqësuar. Presidenti francez Emmanuel Macron ishte i drejtpërdrejtë kur u shpreh se “Të jesh aleat (me SHBA-në) nuk do të thotë të jesh vasal... nuk do të thotë se nuk kemi të drejtë të mendojmë vetë”. Macron i bëri komentet pas vizitës së tij shtetërore në Kinë këtë prill, duke paralajmëruar se Franca nuk duhet të përfshihet në një përshkallëzim midis Uashingtonit dhe Pekinit.

Demonstrimi i unitetit në mbledhjen e G7-ës nuk do të thotë se ka solidaritet të vërtetë. Ndërkohë që SHBA-ja dhe Japonia kanë vepruar në mënyrë të pamatur lidhur me çështjen e Tajvanit për të shtyrë përpara axhendat e tyre, vendet evropiane nuk korrin asnjë përfitim nga konfliktet në rajon. Qeveria japoneze ka përfituar nga çështja e Tajvanit për të justifikuar përpjekjen e saj për të çliruar vendin nga kufizimet institucionale ndaj militarizimit. Klubi i pasur i G7-ës theksoi nevojën për t'u kujdesur ndaj atyre që ata i quajtën "kërcënimet ose përdorimi i forcës" kineze në Detet e Kinës Lindore dhe Jugore, veçanërisht mbi Tajvan, në një komunikatë të përbashkët.

Foto:VCG

Foto:VCG

Për autoritetet kineze, kërcënimi është pretekst dhe frikësimi është manovër narrative për të ndërhyrë në punët e brendshme të Kinës. Klishe të tilla janë përdorur pa pushim por, premisa është e gabuar dhe status quo është se Qeveria e Republikës Popullore të Kinës është qeveria e vetme legjitime e Kinës. Duke pasur parasysh se parimi “një Kinë” është një konsensus mbizotërues midis komunitetit ndërkombëtar dhe një normë bazë në marrëdhëniet ndërkombëtare, çështja e Tajvanit është çështja e brendshme e Kinës, në të cilën G7-a nuk duhet të ndërhyjë.

Komunikata në rreshta shënon se “nuk ka asnjë ndryshim në pozicionet bazë të anëtarëve të G7 në Tajvan, duke përfshirë edhe politikat e deklaruara të Kinës”. Por veprat e tyre nuk po arrijnë të përputhen me fjalët. Nga ana tjetër ama, edhe mes këtyre fjalëve kundërshtie, vendet e G7-ës pranuan gjithashtu nevojën për të punuar së bashku me Kinën për sfidat globale, duke përfshirë ndryshimet klimatike, biodiversitetin, sigurinë globale të shëndetit dhe barazinë gjinore.

Për autoritetet kineze komunikata, gjithashtu është e mbushur me shpifje kundër Kinës në Xinjiang, Tibet, Hong Kong dhe Detet e Kinës Lindore dhe Jugore, ajo është plot me arrogancë, paragjykime dhe qëllime të liga.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Wang Wenbin në një konferencë për shtyp më 19 prill, theksoi se punët e Hong Kongut, Xinjiang-ut dhe Tibetit janë punët e brendshme të Kinës që nuk shkaktojnë asnjë ndërhyrje të jashtme nën asnjë pretekst apo në asnjë mënyrë. Sovraniteti dhe integriteti territorial i Kinës nuk janë ndarë kurrë. Kjo është status quo-ja e vërtetë në ngushticën e Tajvanit. Më tej ai i bëri thirrje vendeve të tjera se po inkurajojnë një provokim separatist, me deklaratat e tyre. Ai tha gjithashtu se situata në Detin e Kinës Lindore dhe Detin e Kinës Jugore është e qëndrueshme dhe vendet përkatëse duhet të ndalojnë mbjelljen e mosmarrëveshjeve dhe krijimin e konfrontimeve midis vendeve të rajonit. Në fund, ai i kërkoi bllokut të G7-ës të reflektojë mbi problemet e veta, të braktisë mentalitetin e Luftës së Ftohtë dhe paragjykimet ideologjike dhe të ndalojë së drejtuari gishtin drejt vendeve të tjera me një ndjenjë superioriteti. Për Kinën, bota ka vetëm një rend, që është rendi ndërkombëtar i mbështetur nga e drejta ndërkombëtare, dhe një grup normash, që janë normat bazë që rregullojnë marrëdhëniet ndërkombëtare bazuar në qëllimet dhe parimet e Kartës së OKB-së.

Foto:VCG

Foto:VCG

Është e rrezikshme të kërkosh të ashtuquajturin solidaritet të disave me çmimin e një bote të ndarë. Bota nuk ka nevojë për një "G1" që dikton vendet e tjera, as bota nuk ka nevojë për një "koalicion vlerash të përbashkëta". Ajo që i duhet botës është respekti i ndërsjellë, pavarësisht dallimeve në ideologji, vlera dhe niveli i zhvillimit, solidariteti dhe përpjekjet e përbashkëta.

Së fundmi, ndërhyrja në punët e brendshme të vendeve të tjera sjell vetëm ndarje dhe konfrontim në bashkësinë ndërkombëtare Një profesor kinez shprehet se fryrja e narratives së konfrontimit për Kinën mund të çojë vetëm në një profeci vetë-përmbushëse të konfliktit që po kërkohet nga jashtë Kinës. Kjo narrativë do të devijojë vëmendjen e botës nga çështjet e ngutshme globale, si rimëkëmbja ekonomike, ndryshimet klimatike dhe do të dëmtojë lidhjet e tyre ekonomike me Kinën. Skenari më i rrezikshëm i gjithë kësaj situate është ajo profecia vetë-përmbushëse e konfliktit, sepse “nëse e trajton dikë si armik për një kohë të gjatë, ai pothuajse me siguri do të bëhet i tillë një ditë”....gjë që më tej rezulton në një rreth vicioz përshkallëzimi dhe konfliktesh që do të ishte katastrofale për të gjithë.

 

Dr. Marsela Musabelliu