Kina synon përmirësimin e mëtejshëm të cilësisë së jetës së qytetarëve të saj
2023-04-20 13:09:13

Kina synon përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve të saj. Kalimi nga një shoqëri me tipare rurale në një shoqëri me tipare urbane dhe suburbane dhe shndërrimi spektakolar i strukturës së ekonomisë, nga një ekonomi rurale dhe e përpunimit të produkteve bujqësore dhe blegtorale, kombinuar me industri nxjerrëse dhe përpunuese metalesh, në një ekonomi ku modernizimi i jetës në fshat, zhvillimi industrial dhe rritja e harmonizuar e sektorit të shërbimeve, kombinuar me digjitalizimin dhe teknologjitë e informacionit, kanë bërë që edhe jetesa e qytetarëve të përmirësohet, edhe stili i jetesës së tyre të ketë edhe më shumë larmi dhe edhe më shumë dinjitet, cilësi dhe vlera humane.

Foto:VCG

Foto:VCG

Është fakt se këto ndryshime kanë ndodhur në kushtet e një vendi me një popullsi shumë të madhe, ku shpërndarja dhe rishpërndarja e të ardhurave janë parë si përparësi të qeverisjes, në mënyrë që të mos ketë prishje të balancave sociale dhe të mbrohet kohezioni social, si një parakusht që populli të ndjekë rrugën e hapur nga lidershipi, i cili planifikon, organizon, drejton dhe kontrollon me kujdes dhe efikasitet zhvillimin e qëndrueshëm drejt prosperitetit si individ dhe si komb.

Nëse mund të bëjmë krahasime në lidhje me arritjet e Kinës, krahasimi duhet të bëhet me vende që kanë popullsi dhe sipërfaqe të përafërt dhe një nga vendet më të përshtatshme për të bërë këtë krahasim është India. Aq më tepër ky krahasim vlen edhe për faktin se sipas një raporti të publikuar nga UNFPA (Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Fondin për Popullsinë), India po bëhet vendi me popullsinë më të madhe të botës. Sipas kësaj agjencie, deri në mesin e vitit 2023 popullsia indiane do të ketë 2.9 milionë banorë më shumë se ajo e Kinës dhe në lidhje me këtë disa media perëndimore hodhën idenë se kjo shënon edhe të ardhmen e zymtë të zhvillimit të Kinës.

Në vitin 2022 popullsia e Indisë ishte rreth 1,375 miliardë banorë, që jetojnë në një sipërfaqe rreth 3,287,263 km2 dhe dendësia e popullsisë në Indi është 419.8 banorë për km2. Të ardhurat nominale për banor në Indi janë rreth 2.601 $ dhe GDP për frymë është rreth rreth 9000 $, ndërsa indeksi i zhvillimit human është 0.633, një nivel, që e klasifikon Indinë në zonën e mesme për këtë indeks.

Foto:VCG

Foto:VCG

Kina ka një popullsi rreth 1,411 miliardë banorë (census i vitit 2022) dhe sipërfaqja e vendit është rreth 9.640.821 km². Dendësia e popullsisë është 139,6 banorë për km² dhe indeksi i zhvillimit human është 0.768, që e klasifikon Kinën në grupin e vendeve me indeks të lartë. Të ardhurat nominale në Kinë janë rreth 13,721$ dhe GDP për frymë rreth 23,382$.

Ministria e Jashtme kineze tha të mërkurën, 20 Prill 2023, se dividenti demografik i një vendi varet nga sasia e popullsisë, por cilësia e popullsisë dhe shkalla e fuqisë punëtore të kalibrit të lartë janë më të rëndësishme.

Kina ka një popullsi prej më shumë se 1.4 miliardë banorë, nga të cilët afro 900 milionë janë në moshë pune, dhe numri mesatar i viteve të arsimit për popullsinë në moshë pune nga 10.9 vjet, tashmë është në 14 vite.

Në të njëjtën kohë, Kina ka zbatuar një strategji kombëtare për t'iu përgjigjur në mënyrë aktive popullsisë në plakje, duke promovuar një politikë të tre fëmijëve me masa mbështetëse për t'iu përgjigjur në mënyrë aktive ndryshimeve demografike. Tashmë në Kinë në lidhje me nxitjen e shtimit të lindjeve shteti financon në zona të caktuara të vendit mesatarisht 580$ në muaj për çdo fëmijë.

Në lidhje me këtë çështje i pyetur nga ana e gazetarëve të AFP (Agence France-Presse – Agjencia Franceze e Lajmeve), në Konferencën e rregullt për shtyp, të datës 19 Prill 2023, me pyetjen: “Një vlerësim i ri i Kombeve të Bashkuara të shpallur sot tregoi se ata presin që India të kapërcejë Kinën si vendi më i populluar në botë nga mesi i këtij viti. Thjesht pyes veten nëse Ministria e Jashtme ka ndonjë koment për këtë?”, Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Wang Wenbin, tha: “Siç vuri në dukje kryeministri Li Qiang, dividenti demografik i Kinës nuk është zhdukur dhe dividenti ynë i talenteve është në zhvillim e sipër. Forca lëvizëse për zhvillimin e Kinës mbetet e forte”.

Foto:VCG

Foto:VCG

Shifrat në lidhje me dividendin demografik janë kokëforta. Kina ka sipërfaqe sa tre herë sipërfaqja e Indisë, që lejon zgjerim urban dhe rural, por gjithashtu lejon edhe zgjerim agroindustrial dhe për industrinë e rëndë. Minimalisht, Kina ka tre herë më shumë burime natyrore se sa India, që bën që indeksi i zënies me punë në krahasim me Indinë të mos vihet asnjëherë në dyshim. Kjo do të thotë se produktiviti i ekonomisë kineze asnjëherë nuk do bjerë nën produktivitetin e ekonomisë indiane.

Dendësia e popullsisë në Kinë është tre herë më e ulët se dendësia e popullsisë në Indi dhe ky indeks është shumë i rëndësishëm kur bëhet fjalë për kushtet e jetesës dhe për përmirësimin e cilësisë së jetës në këto dy vende, duke marrë parasysh se menaxhimi dhe shfrytëzimi i hapësirave urbane si dhe kushtet e ndërtimit të banesave do të jenë më të përshtatshme në Kinë se sa në Indi. Nëse llogarisim të ardhurat nominale del se një qytetar i Kinës mesatarisht ka të paktën pesë herë më shumë të ardhura se sa një banor i Indisë, pra është njësoj sikur Kina të ketë pesë herë më shumë banorë se sa India.

Indeksi i zhvillimit human, një indek shumë i rëndësishëm, që është një statistikë e përbërë nga tregues të ndryshëm dhe që shërben si indikator i renditjes së vendeve sipas nivelit të “zhvillimit njerëzor”, duke i klasifikuar vendet në vende të zhvilluara (zhvillim i lartë), vende në zhvillim (zhvillim mesatar), dhe vende të pazhvilluara (zhvillim i ulët), që kombinon tre dimensione (1) jetëgjatësia në lindje, një tregues i shëndetit dhe jetëgjatësisë së populates, (2) dijen dhe edukimin, të matura nga shkalla e analfabetizmit të të rriturve dhe disa statistika të tjera dhe (3) standardin e jetesës, të matur nga prodhimi kombëtar bruto për frymë, i jep përparësi Kinës, që e ka indeksin e lartë, ndërsa India e ka të mesëm.

Foto:VCG

Foto:VCG

Në këtë këndvështrim, edhe pse India mendohet se në mes të vitit 2023 do ja kalojë Kinës për numrin e popullsisë me rreth 2.9 milionë banorë (afërsisht sa popullsia e Shqipërisë), mendohet se nuk do e gëzojë këtë status për shumë kohë, për disa arsye, ndër të cilat rendisim (1) ekonomia indiane nuk është e diversifikuar, por e orientuar nga shërbimet, ndërsa ekonomia kineze është e mirëdiversifikuar dhe e mirë orientuar drejt plotësimit të kërkesës vendase dhe asaj të tregjeve ndërkombëtare, duke forcuar dhe perfeksionuar zinxhirin e furnizimit, (2) cilësia e sistemit arsimor në Kinë është më e lartë se ajo e Indisë, (3) popullsia në moshë të re e Indisë është e orientuar drejt emigrimit, ndërsa ajo e Kinës drejt kërkimit të vendit të punës brenda ekonomisë vendase, (4) prirja për konsum në Kinë është më e lartë se sa prirja për konsum në Indi, që nxit për përmirësimin më shpejt dhe me më shumë karakteristika pozitive të cilësisë së jetës në Kinë se sa në Indi, (5) Kina e ka indeksin e zhvillimit të qëndrueshëm më të lartë se sa të Indisë, (6) indeksi i krijueshmërisë dhe inovacionit në Kinë është më i lartë se sa indeksi i krijueshmërisë dhe inovacionit në Indi, (7) kushtet e bërjes së biznesit në Kinë janë më të mira se sa kushtet e bërjes së biznesit në Indi, etj. Të tëra sa më lart janë parakushte për menaxhimin e qëndrueshëm dhe të përshtatshëm të numrit të popullsisë, së bashku dhe paralelisht me menaxhimin e territorit, burimeve natyrore dhe atyre financiare. Nga ky këndvështrim, një gjendje kalimtare e Indisë me më shumë banorë se sa Kina, nuk ka lidhje me pozitën prioritare të Kinës në pothuajse të tëra aspektet krahasuar jo vetëm me Indinë, por me pothuajse të tëra vendet e botës, dhe nga ana tjetër, ajo që është më e rëndësishme është mënyra se si jetojnë qytetarët e një vendi dhe jo se sa banorë ka ai vend, mënyra se si qeveria i trajton banorët e atij vendi, kushtet higjienosanitare në atë vend, kushtet e sistemit shëndetsor dhe arsimor dhe aksesit që kanë qytetarët në këto sisteme, sasia dhe cilësia e investimeve publike dhe aksesi që kanë qytetarët për këto investime, aksesi që kanë qytetarët në teknologjitë e informacionit dhe mundësia që ata kanë në lidhje me ekonominë digjitale, etj, dhe në të tëra këto Kina po ecën shumë shpejt, krahasuar jo vetëm me Indinë, por edhe me vendet më të pasura dhe më të zhvilluara të botës.