Rendi ndërkombëtar dhe bisedimet Xi Jinping - Emmanel Macron!
2023-04-17 09:23:43

Ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergei Lavrov, tha të premten e kaluar se Rusia është e gatshme që të pranojë bisedimet e paqes me Ukrainën, por me kusht që të bisedohet për një rend të ri botëror dhe një rol specific e të shtuar të Rusisë në këtë rend. Kjo deklaratë erdhi menjëherë pas disa përpjekjeve për paqen ndërmjet Rusisë e Ukrainës, zanafilla e së cilës qëndron në projektin 12 pikash të presidentit kinez, Xi Jinping. Ishte kreu i shtetit kinez ai që i dha një dimension të ri zgjidhjes së konfliktit në Ukrainë dhe shtroi nevojën e rikthimit të rendit të mëparshëm bazuar në Kartën e OKB-së.

Foto:Xinhua

Foto:Xinhua

Por Lavrov duket se kërkon prishjen e këtij rendi botëror, dmth krijimin e një rendi të ri, me qëllim zhvleftësimin e Kartës e OKB-së dhe rolit të Këshillit të Sigurimit. Kjo do të thotë se midis Republikës Popullore të Kinës dhe Federatës Rusë nuk ka një akord të përbashkët sa i përket modelit dhe kushteve të arritjes së paqes. Në Pekin flitet vazhdimisht për ruajtjen e rendit botëror aktual, ndërsa në Moskë pohojnë për një rend të ri. 

Në fakt sulmet ushtarake të Rusisë kundër Ukrainës kanë filluar ta ndryshojnë botën e sotme. Fuqitë e mëdha e të mesme po shtojnë buxhetin ushtarak në kufijtë e të paimagjineshmes. Edhe shtetet humbëse të Luftës së Dytë Botërore, të sanksionuara në aspektin ushtarak, si Gjermania dhe Japonia, kanë rritur buxhetet ushtarake përtej çdo parashikimi. Ndërkohë Republika Popullore e Kinës, edhe pse e ka rritur këtë buxhet, nuk e ka kaluar shumën e dy përqind të GDP-së së saj.  Ndërkaq presidenti francez, Emmanuel Macron, e shfrytëzoi vizitën e tij në Pekin për të nënshkruar marrëveshje të shumta, midis të cilave dhe një marrëveshje për shitjen e një numri avionësh në Kinë. 

Kurse SHBA-të kanë stacionuar në Azinë Juglindore mbi 300 mijë forca ushtarake dhe India, Pakistani, Australia, Indonezia, Tajlanda, Koreja e Veriut dhe ajo e Jugut kanë nisur projektet e tyre të rritjes së fuqisë ushtarake. Të gjitha këto janë sinjale që dëshmojnë se bota ndodhet në prag të një ndryshimi të madh. Që do të thotë në prag të krijimit të një rendi të ri ndërkombëtar. Të vetmit aktorë që nuk e duan këtë ndryshim janë Republika Popullore e Kinës dhe shumica e vendeve të Bashkimit Europian. Secila prej këtyre subjekteve kanë interes të veçantë të ruajnë status kuonë e tyre. Sepse ruajtja e statuskuosë në planin ndërkombëtar jep mundësi e shanse që ato të vazhdojnë procesin e reformimit dhe zhvillimit dinamik në objektivat e tyre.

Foto:Xinhua

Foto:Xinhua

Kjo është arsyeja pse të mërkurën e javës së shkuar udhëtuan për në Pekin zoti Macron dhe zonja von der Leyen. Jo vetëm të ruhen marrëdhëniet ekonomike e tregtare, për të cilat të dy vendet kanë nevojë për njëri-tjetrin. Por edhe të ruhet rendi i sotëm botëror. Plani kinez i paqes garanton pikërisht këtë. Se Kina e BE i përmbahen kësaj strategjie, këtë e pohon gjithashtu ambasadori kinez në Uashington, Fu Cong, në një intervistë të ditëve të fundit në gazetën New York Times. Në këtë intervistë ai shpjegon se vizita e presidentit Xi në Moskë nuk promovoi “miqësi pa kufi” me Rusinë. Ndërkaq theksoi që Kina ka mbështetur dhe mbështet sovranitetin dhe integritetin territorial vazhdimisht, (duke përfshirë dhe Krimenë shen. im). 

Këtë fakt e provoi gjithashtu takimi në Pekin i presidentëve Xi e Macron, të cilët kërkuan bisedime të shpejta të paqes, me qëllim që t’i jepet fund luftës. Sa më shpejt të arrihet paqja, aq më mirë ruhet rendi i sotëm botëror. Në kushtet e luftës e zgjatjes së saj e ardhmja bëhet gjithnjë e më e paparashikueshme. Paparashikueshmëria lidhet edhe me mundësinë e përdorimit të armëve atomike. Prandaj Macron i kërkoi presidentit Xi të rrit rolin e Kinës në konfliktin e Ukrainës. Ai, së bashku me Presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, kërkuan qëndrim të përbashkët midis EU-së dhe Kinës për rivendosjen e sistemit të paqes në Ukrainë, bazuar në Kartën e OKB-së. Kjo do të thotë se të dy këto Fuqi Ndërkombëtare nuk pranojnë tendencat ruse për krijimin e një botë me rregulla të reja.

Por Lavrov në një farë mënyre e hodhi poshtë planin 12 pikash të parashtruar nga presidenti Xi Jinping, kur vendosi kushtin e reformimit të rendit ndërkombëtar në këmbim të fillimit të bisedimeve për paqen. Kundërshtinë e Kremlinit e shprehu njëkohësisht zëdhënësi i tij, Dimitri Peskov, kur thoshte se “deri tani nuk shihet se do të ketë ndonjë zgjidhje politike” të konfliktit në Ukrainë.

Foto:VCG

Foto:VCG

Refuzimi i planit kinez nga ana e Moskës do ta shtyjë presidentin Xi që të konsultohet me sa më shumë aktorë ndërkombëtarë. Megjithatë na duhet ende të presim e të shohim. Nëse do të vazhdojë kursi i thellimit të konfliktit dhe lufta do të zgjasë pa limit, atëherë rruga e paqes, sigurisë dhe stabilitetit do të jetë e gjatë. Të papriturat shtohen në këtë rast edhe sa i përket vetë sistemit ndërkombëtar.