Danimarka shënoi rënie të konsumit të energjisë, me fitimin terren të burimeve të rinovueshme
2023-04-15 10:50:34

Foto nga VCG

Konsumi i energjisë në Danimarkë ra me 1.5 për qind në baza vjetore në vitin 2022, sipas shifrave paraprake të publikuara nga Agjencia Daneze e Energjisë (DEA). Faktorët kryesorë ishin një rënie prej 29 për qind në konsumin e gazit natyror dhe një rënie prej 3.4 për qind e kërkesës për qymyr, shkruan “Xinhua”.

Sipas DEA-s, ulja e konsumit të gazit natyror gjatë vitit 2022 ka ardhur si pasojë e rritjes së çmimit të gazit, e cila ka nxitur konsumatorët të kursejnë gazin.

Konsumi i produkteve të naftës u rrit me 5.3 për qind, kryesisht si rezultat i rritjes së shitjeve të karburanteve për aviacionin vendas dhe ndërkombëtar nga aeroportet daneze.

Në të njëjtën periudhë, konsumi i energjisë së rinovueshme u rrit me 5.3 për qind. Prodhimi i energjisë nga era dhe panelet diellore u rrit me 22 për qind, duke përbërë gati 60 për qind të furnizimit me energji elektrike të vendit në vitin 2022, sipas DEA.

Energjia diellore dhe e erës përbënin vetëm 47 për qind të furnizimit me energji elektrike të Danimarkës në vitin 2021.

Shifrat e DEA-s treguan gjithashtu se rënia e konsumit të energjisë kontribuoi në një reduktim prej 0.9 për qind të emetimeve të CO2-shit nga konsumi i energjisë në 2022. (Irma)