Intensifikimi i marrëdhënieve Kinë-Evropë përmirëson qeverisjen globale
2023-04-12 17:39:07

Presidenti i Francës Emmanuel Macron, i shoqëruar nga Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, vizituan Kinën në javën e parë të prillit ku u takuan me Presidentin Xi Jinping. Vizita e dy liderëve në Pekin tregon interesin e tyre për të vazhduar angazhimin me ekonominë e dytë më të madhe në botë, mes tensioneve gjeopolitike në rritje. Kjo vizitë e Macron dhe von der Leyen, është e fundit e një serie të gjatë vizitash diplomatike nga disa liderë evropianë në Pekin, të cilët kanë theksuar se angazhimi i vazhdueshëm me Kinën është i rëndësishëm dhe se Kina, si një partnere tregtare dhe aktore e nevojshme globale, është shumë domethënëse për stabilitetin ndërkombëtar. Përtej dallimeve, në fund të fundit, mbetet një parim themelor se është në interesat kolektive të Evropës të mbajë një marrëdhënie pozitive me Kinën. Duket se ka ardhur koha që vendet e Evropës të marrin vendime ndryshe në lidhje me marrëdhëniet e tyre me Kinën duke zgjedhur stabilitetin, ekuilibrin, arsyen dhe pragmatizmin.

Foto:Xinhua

Foto:Xinhua

Ky vit shënon vitin e 20-të të krijimit të partneritetit strategjik gjithëpërfshirës midis Kinës dhe BE-së. Takimi trepalësh në Pekin qartëson më tej propozimet e politikës së Kinës, Francës dhe BE-së për të mbrojtur bashkërisht multilateralizmin dhe për të adresuar sfidat globale. Takimet si ky i fundit, por edhe ato të mëparshmet, u kanë mundësuar liderëve kinezë, francezë dhe të BE-së të arrijnë rezultate të pasura në bashkëpunimin mbi bazën e rritjes së besimit të ndërsjellë politik.

 

Macron dhe von der Layen në Pekin

Presidenti i Francës, prej kohësh ka shprehur nevojën e “autonomisë strategjike evropiane”, e cila vendos theksin mbi Evropën si një lojtar të pavarur, të bashkuar dhe autonom në botë. Ndërsa, von der Layen, shkoi në Kinë pas një fjalimi që kërkonte të kuadronte marrëdhëniet e Evropës me Kinën mbi nevojën për të “reduktuar varësinë” por duke kundërshtuar konceptin e “shkëputjes”, duke dhënë një ton të heshtur optimist për marrëdhëniet aktuale me Kinën. Shtetet evropiane duket se duan të zhvillojnë politikat e tyre të jashtme me Kinën në mënyrë të pavarur, pa ndërhyrje të palëve të treta dhe me synimin për interesat afatgjata të kontinentit. Në këtë drejtim, duhet bërë më shumë përpjekje për të shmangur një “luftë të re të ftohtë” dhe gjithashtu, duke riafirmuar rëndësinë e marrëdhënieve intensive dypalëshe Kinë-BE.

Me këtë vizitë po vihet re se Evropa dhe disa nga krerët e saj po marrin një qasje tjetër kundrejt Kinës, atë për zhvillimin e mëtejshëm të partneritetit të tyre strategjik gjithëpërfshirës. BE-ja po lundron në ujëra të vështira, nga kriza energjetike deri të kriza e konsumit prej inflacionit, etj. Ka ardhur koha, dhe kjo vizitë e nivelit të lartë po e tregon, se palët duhet të ulen në tryezën e bisedimeve për bashkëpunim më të intensifikuar.

Foto:Xinhua

Foto:Xinhua

Aspekti ekonomik i kësaj vizite

Agjenda dypalëshe midis BE-së dhe Kinës ndër vite ka pasur shumë prioritete, në varësi të kohërave dhe eventeve ndërkombëtare. Shpeshherë në krye të listës ka qenë ekonomia, disa herë gjeopolitika, dhe përherë në bazë ka qenë gjetja e mënyrave të bashkëpunimit duke pasur parasysh dallimet midis palëve. Ngushtimi i marrëdhënieve ekonomiko-tregtare me Kinën duket prioritet në vitin 2023. Në takimin trepalësh me Presidentin Xi, u fol gjatë edhe për çështje dypalëshe dhe marrëveshje biznesi me projektime afatgjata.

Por, vetëm disa ditë para kësaj vizite, në Samitin e liderëve të BE-së mbajtur në Bruksel më 23-24 mars, u pa se ka një Evropë të ndarë kur bëhet fjalë për një politikë të vetme drejt Kinës. Por, edhe pasi u pranua kjo qasje, në Bruksel e pranuan se Kina, në fund të fundit, është tregu më i madh në botë për kompanitë evropiane. Prandaj, edhe kjo vizitë ka një rëndësi monumentale në lidhje me precedentin që do të krijojë për të ecur përpara, dhe si e tillë, ajo duhet të demonstrojë entuziazëm për marrëveshje të tilla si Marrëveshja Gjithëpërfshirëse për Investimet (CAI) dhe investimet e ndërsjella kineze dhe evropiane në vendet e tyre përkatëse në të ardhmen. Po të hedhim një sy nga shifrat, në vitin 2022, Kina ishte partneri i tretë më i madh për eksportet e mallrave të BE-së (9,0 %) dhe partneri më i madh për importet e mallrave të BE-së (20,8 %). Ndër vendet anëtare të BE-së, Holanda ishte importuesi më i madh i mallrave nga Kina dhe Gjermania ishte eksportuesi më i madh i mallrave në Kinë në vitin 2022. Tre importuesit më të mëdhenj nga Kina në BE ishin Holanda, Gjermania dhe Italia. Ndërsa, tre eksportuesit më të mëdhenj në Kinë nga BE ishin Gjermania, Franca dhe Holanda. Me pak fjalë biznesi dhe investimet janë shumë të rëndësishme për të dyja palët, dhe duket sikur me këtë vizitë më shumë do të bëhet për të anashkaluar ose evituar rreziqet, por rreziku kryesor për marrëdhëniet ekonomike Kinë-BE do të shpaloset vetëm nësë biznesi do të përdoret për qëllime gjeopolitike apo edhe ideologjike.

Foto:Xinhua

Foto:Xinhua

Duhet pasur parasysh se këta të fundit janë dy përfaqësues të klasës së lartë franko-gjermane dhe ndodhen në Pekin sepse situata në Evropë tani është disi e paqëndrueshme. Nuk ka asnjë arsye për të dyshuar se këta dy përfaqësues të boshtit të status quo franko-gjermane do të duan të sjellin në Evropë diçka të mirë për industritë e tyre përkatëse.


Nga “shkëputje” në “mos-rrezikim”

Tonet janë ulur me këtë vizitë, sidomos nga ana e Presidentit Macron. Pavarësisht dallimeve, kohët e fundit ka pasur një rritje të aktivitetit diplomatik midis liderëve kinezë dhe evropianë dhe kjo tregon se ka interesa të përbashkëta për palët. Në kontekstin aktual të intensifikimit të konfrontimit gjeopolitik global dhe rritjes së proteksionizmit, vizita e liderëve evropianë në Kinë do të ndihmojë në vendosjen e stabilitetit në marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare midis palëve, gjë që ka një rëndësi të madhe për zinxhirët e furnizimit global.

Para së gjithash, liderët e Kinës, Francës dhe BE-së folën për të rritur besimin e ndërsjellë politik. Për shkak të ndikimit të COVID-19, ata nuk kanë mundur të takohen personalisht për tre vitet e fundit, megjithëse ka pasur lidhje telefonike dhe video. Sidomos në kontekstin e krizës në Ukrainë, narrativa institucionale mes Kinës dhe BE-së është e ndarë, dallimet ekonomike dhe tregtare janë thelluar dhe keqkuptimet janë shtuar. Kjo vizitë ndihmon liderët e Kinës, Francës dhe BE-së për të adresuar shqetësimet dhe për të rritur besimin e ndërsjellë politik. Gjatë takimeve, Macron dhe von der Leyen shprehën të dy kundërshtimin ndaj shkëputjes dhe e bënë të qartë se shkëputja nga Kina nuk është në interes të BE-së dhe nuk është një zgjedhje strategjike për kontinentin.

Vlen për t’u nënvizuar në këtë kontekst, se pozicioni i Kinës është përherë statik dhe koherent. Në fjalët e presidentit kinez Xi në takimin trepalësh, u theksua se Kina dhe Evropa kanë interesa të gjera e të përbashkëta. Bashkëpunimi dypalësh është më i madh se konkurrenca dhe mendimet unanime janë më të shumta se mosmarrëveshjet. Tani situata ndërkombëtare është shumë e ndërlikuar. Si pala kineze, ashtu edhe pala evropiane duhet ta respektojnë njëra-tjetrën, të shtojnë besimin e ndërsjellë politik dhe të forcojnë dialogun e bashkëpunimin, për të mbrojtur së bashku paqen e qëndrueshmërinë botërore dhe për të promovuar zhvillimin e lulëzimin e përbashkët, duke përballuar së bashku sfidat globale. Palët dolën me një komunikatë të përbashkët, që ishte shumë e pasur për sa i përket temave që mbulonte, nga mbështetja e Kinës për integrimin evropian për agjendën e Partneritetit Strategjik të BE-së me Kinën, dhe gjithashtu për sa i përket bashkëpunimit dhe një sërë çështjesh ndërkombëtare.

Porti Lianyungang, 12 prill, provincë Jiangsu(Foto:VCG)

Porti Lianyungang, 12 prill, provincë Jiangsu(Foto:VCG)

Së fundmi, në këtë vizitë u pa një angazhim i rëndësishëm midis liderëve kinezë dhe liderëve evropianë.  Kina i trajton gjithmonë marrëdhëniet me Evropën nga këndvështrimi strategjik afatgjatë, duke ruajtur qëndrueshmërinë e politikës së saj ndaj Evropës. Dhe, mënyra se si Pekini dhe Brukseli do të  menaxhojnë marrëdhëniet e tyre, në një masë shumë të madhe, do të përcaktojë të ardhmen e botës. Vetëm nëse Kina dhe Evropa mund të punojnë së bashku, ato do të sigurojnë jo vetëm stabilitetin e situatës ekonomike botërore por edhe atë të qeverisjes globale.

Dr. Marsela Musabelliu