Kina shtjellon qëndrimin e vet për konfliktin ndërmjet Izraelit e Palestinës
2023-04-07 21:14:40

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Të premten, zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës Mao Ning u shpreh në një konferencë shtypi se, po atë ditë paradite, i dërguari i posaçëm i qeverisë kineze për problemin e Lindjes së Mesme Zhai Jun zhvilloi një takim të përbashkët me ambasadorët e vendeve arabe në Kinë për të shtjelluar qëndrimin kinez lidhur me konfliktin e acaruar mes Izraelit dhe Palestinës e Libanit. Kina u kërkon palëve përkatëse të ruajnë e të respektojnë statusin e tanishëm të Jerusalemit sipas rezolutave përkatëse të OKB-së.

Zëdhënësja e diplomacisë kineze bëri të ditur që Zhai Jun u shpreh se tani detyra e parë është forcimi i kontrollit të situatës. Kina u kërkon palëve përkatëse, veçanërisht Izraelit, të ruajnë gjakftohtësinë për të shmangur përshkallëzimin e situatës.

 "Rruga themelore për pushimin e konfliktit palestinezo-izraelit është realizimi i projektit të 'dy shteteve', duke themeluar shtetin e pavarur të Palestinës. Bashkësia ndërkombëtare duhet të dëgjojë plotësisht kërkesat e arsyeshme të palës palestineze dhe të mbajë premtimet e bëra ndaj popullit palestinez. Vendet me ndikim duhet të mbajnë përgjegjësinë e duhur dhe të kenë një qëndrim të drejtë, duke luajtur rolin e duhur për nxitjen e rifillimit të bisedimeve paqësore në bazë të projektit të 'dy shteteve'. Kina do të vazhdojë të bëjë përpjekje për nxitjen e zgjidhjes sa më parë të problemit të Palestinës," tha Mao Ning. (Fani)