INSTAT: Gati 50% e ndërmarrjeve të huaja në Shqipëri, nga Italia dhe Greqia
2023-04-06 15:08:54

Foto nga ATSH

Gati gjysma e ndërmarrjeve të huaja që operojnë në Shqipëri i përkasin dy vendeve fqinje, Italisë dhe Greqisë.

Instituti i Statistikave të Shqipërisë (INSTAT) ka hartuar një publikim të veçantë për treguesit kryesorë të ndërmarrjeve me pronësi të huaj dhe të përbashkëta që operojnë në Shqipëri.

Sipas të dhënave, në vitin 2021, ndërmarrjet me pronarë apo bashkëpronarë të huaj zinin 3.7% të ndërmarrjeve aktive.

Referuar të dhënave, ndërmarrjet me origjinë nga shtetet e Bashkimit Europian zinin mesatarisht 57.6% të ndërmarrjeve të huaja dhe të përbashkëta, ndërsa shtetet e Ballkanit Perëndimor përfaqësonin 9.9% të këtyre ndërmarrjeve.

Nga 5250 ndërmarrje të huaja që operuan në vend në vitin 2021, 2087 ishin me pronarë italianë dhe 224 ishin me pronarë grekë. Ndërkohë 136 ndërmarrje ishin me pronarë gjermanë, shkruan “ATSH”.

Në vitin 2021, nga vendet e Bashkimit Evropian, ndërmarrjet e huaja dhe të përbashkëta italiane mbulojnë 47.7 % të punësimit dhe 21.5 % të shitjeve neto,

INSTAT bën të ditur se ndërmarrjet e huaja e të përbashkëta janë përqendruar kryesisht në bashkitë Tiranë dhe Durrës.

Në ekonominë shqiptare, ndërmarrjet e huaja dhe të përbashkëta nga shtetet e Bashkimit Evropian janë mbizotëruese në aktivitetet shërbime të tjera (23.7 %), tregti (12.8 %) dhe industri (9.4%).

Në vitin 2021, ndërmarrjet e huaja dhe të përbashkëta kanë realizuar 18.3 % të punësimit gjithsej dhe 19.8 % të shitjeve neto.

Gjatë vitit 2021, ndërmarrjet nga vendet e BE-së me 1-9 të punësuar mbulojnë 83.8 % të të gjitha ndërmarrjeve të BE-së, ndërsa ndërmarrjet me 250 e më shumë të punësuar mbulojnë 1.4 %. (Irma)