Demokracia nuk është monopol i askujt
2023-04-05 14:33:58

Si një grup vlerash të përbashkëta të njerëzimit, për të ndihmuar në përmirësimin e jetës dhe mirëqenies së njerëzve, demokracia ka qenë dhe ende është, aspirata dhe objektivi politik i pothuajse të gjitha kombeve.

Foto:CMG

Foto:CMG

Demokracia duhet gjykuar nga sa po përmbushen nevojat, dëshirat dhe aspiratat e një populli nga  qeveria  e tij dhe duhet t'i shërbejë këtij qëllimi përfundimtar, në vend që të jetë thjesht një format fiks në të cilin mund të zbatohen supozimet dhe praktikat politike. Mbi këtë bazë duhet të përkufizohet demokracia: një grup vlerash në një shoqëri të caktuar, jo një sistem politik në vetvete.

Çdo të thotë demokracia për Kinën

Shumë nëpër botë janë shtyrë të besojnë se Kina dhe demokracia janë dy terma kontradiktorë. Në fakt kjo narrativë është shtyrë përtej fakteve dhe të vërtetave të verifikueshme – edhe sepse demokracisë duket se i janë mveshur ekskluzivisht kritere dhe tipare perëndimore.

Për shumë vende në botë, ku publiku është mësuar me një diskurs politik shumë të ashpër, demokracia konsultative socialiste mund të duket si një anomali. Por në Kinë, marrëdhënia midis shtetit dhe shoqërisë është e ndryshme nga ajo në vende të tjera. Në Kinë, shteti gëzon më shumë legjitimitet, më shumë autoritet dhe më shumë miratim se në çdo vend tjetër të madh, sepse mbart një kuptim shumë të veçantë si përfaqësues, mishërim dhe mbrojtës i kombit. Në Kinë, njerëzit kanë të drejtë të marrin pjesë në politikë, por në një marrëveshje institucionale të ndryshme nga ato në shumë vende të tjera.

Foto:Xinhua

Foto:Xinhua

Përpjekja për të kuptuar Kinën thjesht duke përdorur nocione të paramenduara të demokracisë do të ishte e gabuar, në të njëjtën mënyrë si përpjekja për të projektuar vlerat, opinionet dhe idetë subjektive të dikujt tek të tjerët do të ishte e pavend. Në Kinë, shteti siguron që të gjithë të jetojnë me dinjitet, gjë që, ndër të tjera, një demokraci duhet t'u japë njerëzve.

Në fjalimin e tij në Debatin e Përgjithshëm të Sesionit të 76-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Presidenti Xi Jinping shpjegoi se çfarë do të thotë demokraci për Kinën: " Demokracia nuk është një e drejtë e veçantë që i rezervohet një vendi individual, por një e drejtë që ta gëzojnë njerëzit e të gjitha vendeve. Ne duhet të mbrojmë paqen, zhvillimin, barazinë, drejtësinë, demokracinë dhe lirinë, të cilat janë vlerat e përbashkëta të njerëzimit..."

Një letër e bardhë e lëshuar nga Zyra e Informacionit e Këshillit Shtetëror të Kinës me titull "Sistemi i Partive Politike të Kinës: Bashkëpunimi dhe Konsultimi" ka vënë në dukje se sistemi më i përshtatshëm për një vend përcaktohet nga historia, traditat dhe realitetet e tij. Ndërsa thekson se PKK-ja mbështet vlera të tilla si barazia, konsultimi demokratik dhe bashkëpunimi i sinqertë për të ndërtuar pushtetin shtetëror në të gjitha nivelet, letra e bardhë thekson se sistemi politik i Kinës mishëron thelbin e traditave kineze, pasqyron kërkesat e brendshme të socializmit. dhe përputhet me realitetet e Kinës dhe nevojat e saj qeverisëse.

Forumi i Dytë Ndërkombëtar mbi Demokracinë: Vlerat e përbashkëta njerëzore

Foto:CMG

Foto:CMG

Nga datat 21 deri në 23 mars, më shumë se 300 të ftuar, studiues, ekspertë dhe politikanë nga mbi 100 vende dhe rajone, përfshi edhe Shqipërinë, ishin të pranishëm në Pekin fizikisht dhe virtualisht për të marrë pjesë në këtë forum.

Ky event i përmasave të jashtëzakonshme u bashkëorganizua nga Akademia Kineze e Shkencave Sociale (CASS), Grupi Mediatik Kinez (CMG) dhe Grupi i Komunikimit Ndërkombëtar të Kinës (CICG).

E ndarë në pesë panele, respektivisht 1) Demokracia dhe Zhvillimi i Qëndrueshëm, 2) Demokracia dhe Inovacioni, 3) Demokracia dhe Qeverisja Globale, 4) Demokracia dhe Diversiteti i Qytetërimit Njerëzor dhe 5) Demokracia dhe rruga drejt modernizimit - tematikat, fjalimet dhe diskutimet në këtë forum prekën gati çdo aspekt të perceptimit, aplikimit dhe përjetimit të demokracisë nga çdo cep i botës.

Forumi u hap nga z. LI Shulei, anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PKK-së, u ndoq nga z. DU Zhanyuan, President i Grupit të Komunikimit Ndërkombëtar të Kinës dhe më pas fjalën e mori znj. XING Bo, zëvendës-Presidente e Grupit Mediatik të Kinës.

Duke diskutuar origjinën, format dhe efektivitetin e sistemeve të shumta demokratike, folësit kryesorë në ceremoninë e hapjes patën një konsensus se demokracia e vërtetë karakterizohet nga dialogu, respekti reciprok dhe mësimi i ndërsjellë. Ata theksuan gjithashtu domosdoshmërinë e bashkëjetesës së sistemeve të ndryshme në një komunitet të përkushtuar për një të ardhme të përbashkët për njerëzimin.

Foto:CMG

Foto:CMG

Në këtë forum nga liderët kinezë u adresuan specifikisht dhe me shumë qartësi se ku qëndron Kina politikisht në këtë epokë të re dhe rrugën e saj drejt modernizimit.

Z.Li Shulei e përshkroi sistemin kinez si “demokraci popullore me vullnetin e shtetit” dhe tha se kinezët janë zotër  të vendit dhe të fatit të tyre, dhe kjo është demokraci.

Z. Du u shpreh se demokracia për Kinën nuk është forma, por substanca. Deri në momentin që aspiratat e popullit përmbushen, nuk ka rëndësi si etiketohen nga të tjerët.

Ndërsa, znj. Xing, si përfaqësuese e medias më të madhe kineze u ndal tek përshkrimi dhe percpetimi. Ajo iu drejtua të ftuarve duke thënë se narrativa e vërtetë e Kinës vjen nga Grupi Mediatik Kinez, dhe u shpreh se duhet një kundërbalancë për hegjemoninë mediatike perëndimore pasi ajo po stis një “konflikt vlerash” që nuk ka vend.

Vlen për tu përmendur edhe një ekstrakt nga profesor Fang Ning i cili u shpreh se Kina është një ndjekëse dhe një përfituese e demokracisë dhe do të ndjekë këtë rrugë edhe në të ardhmen.

Disa nga fjalët më të përdorura në këtë forum ishin dialog, bashkëpunim, njohje e ndërsjellë e kulturave, pranimi i diversitetit njerëzor, kulturor e social etj. Nga ana tjetër u bë  thirrje për dhënie fund të arrogancës, injorancës, vrazhdësisë dogmatike dhe superioritetit moral.

Modernizimi me karakteristika kineze në Epokën e re - Pse është tërheqës?

Foto:VCG

Foto:CMG

Teoria e modernizimit trajton indenë se ekziston një korrelacion midis demokracisë dhe modernizimit; ato ushqejnë njëra-tjetrën në mënyrë simbiotike, kështu që në sinergji, të mund të lulëzojnë së bashku. Megjithatë, modernizimi evoluon me kohën dhe realitetin; ai mund të marrë rrugë të ndryshme sipas kushteve kombëtare dhe ndërkombëtare. Si çdo herë dhe realiteti i çdo vendi është i ndryshëm, ritmi dhe rruga drejt modernizimit janë të ndryshme, pra, ai përfshin variabël të ndryshëm që i gjithë ekuacioni të jetë i plotë.

Në terma të përgjithshëm, modernizimi do të kërkonte përdorimin e arritjeve më të fundit të njerëzimit, në mënyrë që jeta e njerëzve të përmirësohet. Kjo do të ishte e favorshme dhe kryesisht e mirëpritur nëse do të kishte vullnet të mjaftueshëm politik për t’a arritur. Çfarë modernizimi mishëron sot është siguri, infrastrukturë më të mirë, më shumë mundësi, kujdes shëndetësor dhe arsim më të mirë, zhvillim gjithëpërfshirës, një ritëm i shpejtë i lëvizshmërisë sociale dhe sigurisht, një qeveri që punon pa u lodhur për t'i ofruar të gjitha.

Po Kina? - Në tetor 2022, përfunduan punimet e Kongresin të 20-të Kombëtar të PKK-së ku u përdor shpesh një frazë "Modernizimi i stilit kinez". Që nga ajo ditë, studiuesit dhe politikanët kinezë e kanë përpunuar këtë ide dhe kanë demonstruar një plan të asaj që është dhe çfarë synon të arrijë.

E parë nga jashtë , ajo që bie më shumë në sy në këtë modernizim janë dy karakteristika specifike, është gjithëpërfshirës dhe paqësor, dhe këto karakteristika duhet të jenë padyshim elementë  krenarie kombëtare për Kinën. Duke aplikuar një filozofi të re zhvillimi, autoritetet në Pekin theksojnë zhvillimin ekonomik, politik, kulturor, social dhe ekologjik të ndërthurur, si komponentë kyç të modernizimit kinez, i cili është në përputhje me përmbushjen e aspiratave të njerëzve për një jetë më të mirë.

Foto:VCG

Foto:VCG

Ndërsa bota po përballet me sfida të paprecedenta, është e qartë se angazhimi i Kinës ndaj komunitetit global është intensifikuar. Një Kinë e modernizuar do të krijojë shumë më tepër mundësi për botën duke qenë e angazhuar për thellimin e reformave dhe hapjen dhe më shumë. Për më tepër, pasi përfundoi me sukses fushatën e zhdukjes së varfërisë, Kina tani po fillon një tjetër rrugëtim, atë të synimit të mobilitetit social për qindra miliona njerëz, në mënyrë që ata të kalojnë nga të ardhura të ulëta në të ardhura mesatare -  ky është modernizim.

Modernizimi kinez rezonon ndërkombëtarisht pasi angazhimi i Kinës është të promovojë unitetin dhe bashkëpunimin, ku nuk ka rëndësi nëse një vend është i vogël apo i madh, i pasur apo i varfër, i fortë apo i dobët ushtarakisht. Ky lloj modernizimi bëhet tërheqës për vendet që duan të trajtohen në mënyrë të barabartë dhe të korrin frytet e zhvillimit mbarëbotëror.

Modernizimi kinez në optikën e vendeve në zhvillim është shumë tërheqës pasi sjell mundësi të reja për këto vende. Duke thelluar bashkëpunimin me Kinën dhe duke shfrytëzuar avantazhe specifike, vendet në zhvillim mund të rrisin vitalitetin dhe qëndrueshmërinë në ekonomitë e tyre kombëtare. Dhe kur bashkëpunimi është në rrugën e duhur, ata mund të trajtojnë së bashku çështjen e rëndësishme të modernizimit duke ndërtuar rrugën e tyre drejt përparimit. Historitë e suksesit të Kinës janë frymëzim dhe inkurajim për botën në zhvillim, e cila e sheh atë si një model premtues, një partner të rëndësishëm dhe të besueshëm dhe si nismëtar i një bashkëpunimi të vërtetë fitues.


Foto:VCG

Së fundmi, jemi mësuar të lavdërojmë dhe të motivohemi nga historitë individuale të suksesit, por ajo që vërtet bën ndryshimin në botë janë historitë kolektive të suksesit, si ajo e Kinës drejt modernizimit.  Historitë personale të suksesit japin spunto për filma dhe artikuj interesantë dhe motivues, por historitë kolektive të suksesit krijojnë kapituj të rëndësishëm në historinë dhe përparimin njerëzor. Dhe, është ky lloj ndryshimi që kombet në kërkim të zhvillimit dhe përfundimisht modernizimit po përpiqen të gjejnë.

Demokracia dhe modernizimi nuk mund të injektohen ose transplantohen nga një trup në tjetrin, nga një komb në tjetrin. Ato kërkojnë identifikimin e saktë të kushteve socio-ekonomike të një vendi, një ambinet në të cilin qeniet njerëzore mund të lulëzojnë, ndërtimin e një realiteti ku progresi dhe mirëqenia e përbashkët  janë parësor dhe ku njerëzit të jetojnë me dinjitetin që meritojnë.

Dr. Marsela Musabelliu