Mbledhja e parë e Asamblesë së Përgjithshme të Shkollës Ballkanike të Energjisë mbahet në Tiranë
2023-04-02 17:26:54

Nën kujdesin e Entit Rregullator të Energjisë për Shqipërinë u mbajt në Tiranë mbledhja e parë e Asamblesë së Përgjithshme të Shkollës Ballkanike të Energjisë (BES).

Gjatë kësaj mbledhjeje, autoritetet rregullatore themeluese, ku bëjnë pjesë Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, emëruan Salvatore Lanza-n drejtor të shkollës për periudhën 2023-2024, bën të ditur “ATSH”.

Aktivitetet e BES-it do të përqendrohen kryesisht në zhvillimin e rrjeteve të energjisë elektrike dhe gazit, integrimin e burimeve të rinovueshme, lidhjen e tregjeve dhe në aktivitete të tjera që lidhen me tranzicionin energjetik dhe transferimin e njohurive ndërmjet rregullatorëve.

Asambleja pranoi në unanimitet po ashtu kërkesën e rregullatorit të Greqisë, RAE, për t’u bërë anëtar i BES-it dhe kërkesën e rregullatorit të Serbisë, AERS, për të qenë vrojtues në këtë shoqatë. (Irma)