PKK-ja do të nisë fushatën edukative në të gjithë Partinë për Mendimin e Xi Jinping-ut
2023-03-30 19:55:40

foto/VCG

foto/VCG

Byroja Politike e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës (PKK) do të nisë një fushatë tematike edukimi në të gjithë Partinë duke filluar nga prilli për të studiuar dhe zbatuar Mendimin e Xi Jinping-ut mbi Socializmin me Karakteristika Kineze për Epokën e Re.

Vendimi u mor në një mbledhje të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PKK-së të enjten, e cila diskutoi gjithashtu rregulloren për raportimin e informacionit personal nga zyrtarët.

Mbledhja u kryesua prej sekretarit të përgjithshëm të Komitetit Qendror të PKK-së Xi Jinping.  

Gjatë mbledhjes u vu në dukje se fushata, me fokus drejtuesit në dhe mbi nivel qarku dhe drejtorie, do të përdorë teoritë e reja të Partisë për arritjen e unitetit në mendim, vullnet e veprim, për të çuar përpara frymën e madhe themeluese të Partisë dhe për të garantuar që e gjithë Partia të përpiqet në unitet për të ndërtuar një vend socialist modern në të gjitha aspektet dhe për të çuar përpara rilindjen e madhe të kombit kinez në të gjitha frontet.  

Gjatë mbledhjes, pjesëmarrësit theksuan se e gjithë Partia duhet të arrijë një kuptim të thellë të rëndësisë vendimtare të vendosjes së pozicionit thelbësor të sekretarit Xi Jinping në Komitetin Qendror të Partisë e në Partinë në tërësi dhe të rolit udhëheqës të Mendimit të Xi Jinping-ut për Socializmin me Karakteristika Kineze për një Epokë të Re.

Ata u bënë thirrje të gjithë anëtarëve të PKK-së që të studiojnë, kuptojnë dhe zbatojnë në mënyrë të gjithanshme parimet udhëzuese të Kongresit të 20-të Kombëtar të PKK-së, të zbatojnë filozofinë e re të zhvillimit, të nxisin një model të ri zhvillimi, të promovojnë zhvillimin me cilësi të lartë dhe të çojnë përpara modernizimin kinez nëpërmjet kësaj fushate.

Në takim u theksua edhe se duhen bërë përpjekje për të çuar përpara vetëreformimin e Partisë dhe për të qëndruar gjithmonë vigjilentë e të vendosur për të përballuar sfidat e veçanta me të cilat mund të përballet një parti e madhe si PKK-ja.  (Fang Xiaoyu/Artan)