INSTAT: Eksportet e zarzavateve në sasi u rritën me 10%
2023-03-30 10:25:23


Foto nga ATSH

Fermerët po shtojnë prodhimin bujqësor në serra nxitur nga ulja e kostove nga mbështetja me subvencione, por edhe moti i ngrohtë që ka shoqëruar këtë dimër.

Sipas INSTAT-it, fermerët kanë eksportuar sasi më të larta të frutave dhe zarzavateve në dy muajt e parë të këtij viti.

Të dhënat zyrtare nga INSTAT tregojnë se në janar-shkurt 2023 eksportet e zarzavateve në sasi u rritën me 10%, ndërsa eksportet e frutave me 25 për qind, përcjell “ATSH”.

Ndryshe nga vitet e tjera, prodhimet e serave dolën gati 20 ditë më shpejt. Fermerët në zonat me bujqësi intensive në serra, Fier dhe Berat, pohojnë se këtë vit çmimet ishin më të larta se vitet e kaluara, duke nxitur sërish interesin për të kultivuar në serra.

Për shkak të investimeve në zinxhirët e eksportit, prodhimet në sera po marrin formën e bizneseve të organizuara. Eksportet e zarzavateve ishin 3.4 herë me larta se importet në vitin 2021.

Zhvillime pozitive ka edhe në prodhimin dhe eksportin e frutave. Deri në vitin 2020 vendi ishte deficitar në tregtinë me jashtë të frutave, ku importet ishin më të larta se eksportet. Pas vitit 2020, raportet kanë ndryshuar. Në vitin 2022 sasia e frutave të eksportuara ishte 30% më e lartë se sasia e importeve.

Ndër produktet kryesore të eksportuara janë perimet e serrave, domatja, kastraveci, speci, lakra, qepa, preshi etj. Ndërsa gjeografia e eksporteve “Made in Albania” është shtrirë në mbi 75 shtete të botës. (Elona)