Eksperti spanjoll: Shkalla e ulët e lindjeve, problematike për plakjen e popullsisë së BE-së
2023-03-22 15:05:56

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Mosha mesatare e popullsisë europiane është rritur me 2.5 vjet në dekadën e fundit, sipas të dhënave të “Eurostat”-it të publikuara së fundi.

Në Spanjë, mosha mesatare është rritur me 4.3 vjet, rritja më e lartë në BE pas Portugalisë (4.7 vjet).

Megjithatë, një ekspert spanjoll tha për “Xinhua” se edhe pse gjysma e europianëve tani janë mbi 44.4 vjeç, shqetësimi kryesor është mungesa e fëmijëve që po lindin.

“Ne jemi një nga vendet në botë ku njerëzit jetojnë më gjatë dhe kjo bën që mosha mesatare të rritet”,- tha Albert Esteve, drejtor i Qendrës për Studime Demografike (CED) në Barcelonë.

Gjysma e popullsisë në Spanjë është mbi 45 vjeç (46.2 për gratë), sipas “Eurostat”-it, por mosha mesatare është më e larta në Itali (48 vjeç), e ndjekur nga Gjermania (45.8), Portugalia (46.8), Greqia (46.1) dhe Kroacia (45.5).

Normat e ulëta të lindjeve që nxisin rritjen e moshës mesatare të popullsisë evropiane janë të përhapura, por veçanërisht të theksuara në vendet jugore si Spanja, Portugalia dhe Italia.

“Ne nuk mund të rrisim shkallën e lindjeve sepse gjatë dekadës kritike në të tridhjetat ka shumë pasiguri në krahasim me vendet e tjera, ku ose për shkak të ndihmës publike ose për shkak të një tregu të mirë pune njerëzit ndihen më të sigurt”,- tha Esteve.

“Ne kemi nevojë për mekanizma për të forcuar mbështetjen institucionale në mënyrë që njerëzit të mund të bëhen të pavarur nga prindërit e tyre më herët, dhe në mënyrë që ata të mund të ndiejnë se kanë njëfarë stabiliteti ekonomik midis moshës 29 dhe 39 vjeç. Mendoj se kjo do të inkurajonte më shumë çifte të kenë fëmijë”,- shtoi demografi.

Pavarësisht pasigurisë për të ardhmen e vendeve me një numër në rritje të të moshuarve, Esteve theksoi se shoqëria do të përshtatet me situatën e re. (Elona)