Sondazhi: Demokracia më e mirë është ajo që përshtatet me kushtet e vendit
2023-03-22 11:41:25

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Ditët e fundit, Instituti i Studimit të Politikave i CGTN-it pranë Grupit Mediatik të Kinës, bashkë me Shkollën e Qeverisjes dhe Mendimit Publik të Universitetit Renmin të Kinës, zhvilluan një sondazh ndërkombëtar me temë “Demokracia globale”. Sipas rezultatit të sondazhit, të pyeturit në mbarë botën u kushtojnë më shumë rëndësi së drejtës së jetës e të zhvillimit, dhe 84.8 % mendojnë që sistemi demokratik që përshtatet me gjendjen e vendit, është më i miri.

 

Për rëndësinë e sistemit demokratik, pjesëmarrësit në sondazh zgjodhën “të drejtën bazë të jetës” në vend të parë, pikërisht 40.7 % e tyre. Në vend të dytë, me 29.3 %, vjen e drejta ligjore që "të gjithë janë të barabartë”,  ndërsa të drejtat ekonomike për “zhvillim ekonomik” dhe “ngritjen e nivelit të jetesës" janë në vendin e 3-të dhe të 4-tin përkatësisht me 29 % dhe 28.4 %.

 

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Në këtë sondazh, 84.3 % e të pyeturve mendojnë që demokracia nuk ka të njëjtën formë dhe ka modele të ndryshme në vende dhe kultura të ndryshme. 84.8 % mendojnë që, kur zgjidhet sistemi politik, duhet të mbahet parasysh historia, kultura dhe kushtet e vendit. Nuk ka demokraci superiore ose që përshtatet për të gjithë. 86.8% e pjesëmarrësve në sondazh mendojnë që, në marrëdhëniet mes tyre, vendet duhet të respektojnë njëra-tjetrën dhe të kërkojnë pikat e përbashkëta duke lënë mënjanë dallimet.

 

88.3 % e të pyeturve janë të mendimit që demokracia do të thotë që liderët të reflektojnë dëshirat e popullit, t'i shërbejnë popullit dhe të mbikëqyren nga populli. Ky mendim arrin 91.2 % ndër pjesëmarrësit nga Amerika Veriore. Ndërkohë, 81.5 % mendojnë që demokracia duhet të mbulojë të gjitha anët e jetesës së popullit dhe të gjithat çështjet publike duhet të zgjidhen në mënyrë demokratike. Krahas kësaj, për 86.7 % të të pyeturve, sistemi demokratik duhet të marrë parasysh kërkesat e të gjithë popullit dhe jo të grupeve të posaçme, duke pasur veçanërisht në qendër të vëmendjes grupet më të dobëta, dhe duhet të zgjerojë platformat e përfaqësimit të tyre. Në këtë sondazh, 87.3 % besojnë që duhet t'u kushtohet rëndësi si zgjedhjeve demokratike, ashtu edhe menaxhimit pas zgjedhjeve. Të dyja kanë të njëjtën rëndësi dhe duhet të jenë të pamungueshme.

 

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Në dekadat e fundit, Kina ka nxitur ndërtimin e demokracisë popullore në mbarë procesin dhe ka realizuar pjesëmarrjen e gjerë e të vazhdueshme të pjesës dërrmuese të popullit. Në këtë sondazh është njohur dhe pranuar gjerësisht koncepti thelbësor për demokracinë popullore në mbarë procesin. 75.4 % e të pyeturve globalë mendojnë që, për arsye se zbaton një sistem të ndryshëm politik nga vendet perëndimore, Kina ka pasur arritje të dukshme zhvillimi. Ky mendim ndër pjesëmarrësit nga Afrika arrin në 83.1 %. Vlen të përmendet që, ndër të pyeturit afrikanë, sistemi politik dhe përvojat demokratike të Kinës ka shumë vlerë për t’u mësuar dhe renditen në vendin e parë të botës.

 

Sondazhi “Demokracia globale” përfshiu 3776 pjesëmarrës prej 35 vendeve të botës, qoftë të zhvilluara, si ShBA-ja, Britania, Franca e Gjermania, ashtu edhe vende në zhvillim, si Namibia, Nigeria dhe Pakistani.