Erdogan: Turqia nuk do ta harrojë kurrë solidaritetin ndërkombëtar të treguar pas tërmeteve
2023-03-22 12:13:17

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Presidenti Recep Tayyip Erdogan deklaroi se Turqia nuk do ta harrojë kurrë solidaritetin e treguar nga Bashkimi Evropian, Kombet e Bashkuara dhe organizata të tjera ndërkombëtare pas tërmeteve të 6 shkurtit.  

“Nuk do ta harrojmë kurrë solidaritetin e treguar në këto ditë të vështira nga të gjithë miqtë tanë, BE-ja me institucionet e saj, vendet anëtare dhe kandidate, nga OKB-ja dhe organizatat e tjera ndërkombëtare”, tha presidenti Erdogan.  

Gjatë një lidhjeje video në seancën hapëse të Konferencës Ndërkombëtare të Donatorëve, organizuar nga Komisioni Evropian dhe Presidenca Suedeze e Këshillit të BE-së, për të mbështetur viktimat e tërmeteve shkatërruese në Turqi, Erdogan tha se kjo konferencë është një shembull i mirë se sa të fuqishme janë marrëdhëniet mes popujve tanë, raporton “ATSH”.  

Duke theksuar se kostoja e vlerësuar e shkatërrimit të shkaktuar nga tërmeti ishte rreth 104 miliardë dollarë, Erdogan tha se nuk është e mundur që një komb i vetëm të trajtojë një krizë të kësaj shkalle i vetëm.  

Më 6 shkurt, dy tërmete me magnitudë 7.7 dhe 7.6 goditën 11 provinca në Turqinë jugore dhe morën jetën e të paktën 50.096 personave.  

Mbi 13.5 milionë njerëz në Turqi janë prekur nga tërmetet shkatërruese, si dhe shumë të tjerë në Sirinë veriore.  

Presidenti turk njoftoi se vendi i tij aktualisht strehon mbi 4 milionë refugjatë, përfshirë rreth 3.5 milionë sirianë.  

“Sot, derisa shërojmë plagët e fatkeqësisë së shekullit në vendin tonë, jemi në solidaritet me popullin sirian që u godit nga tërmetet. Ne ofrojmë lehtësimin e nevojshëm për palët e treta dhe vendet e tjera për të transferuar ndihma humanitare nga toka dhe ajri për viktimat e tërmetit në Siri. Ne do të vazhdojmë këtë qëndrim në të ardhmen”, tha presidenti Erdogan. (Elona)